VLORË - Punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit kanë dalë edhe këtë të martë në protestë përpara Bashkisë së Vlorës.
Pas shkrirjes së dy drejtorive, asaj të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në një të vetme, punonjësit kërkojnë një takim me kryetaren e bashkisë për kontratën e re të punës. Sipas tyre, kontrata e re është një tallje dhe nuk garanton siguri për vendet e tyre të punës.
“Jemi në pritje të kryetares ose nënkryetares për të sqaruar problemet që kanë ata me ne. Për momentin po qëndrojmë pa punë. Në asnjë nen të kontratës të re nuk ka rritje rroge apo një përecaktim që jemi punëtorë gjelbërimi. Kontrata nuk mbron asnjë të drejtë tonën, nuk do e firmosim”, tha një punonjës.
Punonjësit shprehen gjithashtu se nuk do e firmosin kontratën pasi ata duan të mbeten vetëm si punonjës gjelbërimi, jo pastrimi. Për këtë arsye ata shpresojnë që të kenë një zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi.
“Jam punëtore e gjelbërimit dhe dua të qëndroj në gjelbërim. Po na heqin bukën e gojës. Na kanë thënë që po nuk e firmosët nuk do t’ju njihet asnjë e drejtë. Në kontratë nuk shohim fjalën gjelbërim. Nuk kam firmosur. Këta po i heqin mushkrinë Vlorës, po i heqin ajrin, oksigjenin”, u shpreh punonjësja.
“Pastrim-Gjelbërimi nuk mund të shkrihet. Me kontratën e re kalon si punëtor pastrimi dhe nuk e firmos. Shpresoj të kemi një zgjidhje ky problem në të mirën tonë. Gjelbërimi duhet të mbetet në sektorin e gjelbërimit", tha një tjetër.
Lajm në përditësim...
Komente







