Një nëne i bie të fikët dhe rrëzohet përdhe. Në trotuare, duhet të ecësh me zig-zake mes trupave. Janë dhjetëra prej tyre. Jo, më shumë, qindra. Trupat transportohen me kamionë që i hedhin përpara morgut të Teheranit, ku nuk ka më hapësirë të lirë.
Rreshta me këllëfë të zinj, formohen përgjatë perimetrit të ndërtesës së vdekjes, në oborr, mes luleve. Disa kanë mbetur gjysmë të hapur, nga ku mund të dallohen fytyra të përgjakura. Copëza lëkure, dhe copëza rrobash.
"Kërkoni fëmijët tuaj", urdhërojnë ata. Dikush gjen djalin. Bërtetë duke rënë në gjunjë. Kush shpreson në një gabim, përkulet mbi çantë, e hap përgjysmë dhe, nëse është me fat, e mbyll përsëri. Një djalë bie në sy mes gjithë kësaj atosfere të errët. Ai ka veshur një bluzë të verdhë, i shtrirë në tokë me fytyrën e mbështetur në ato që duhet të jenë këmbët e të afërmit të tij, që nuk jeton më. Ndërsa orët kalojnë, videot shumohen: skena të ngjashme mbërrijnë nga çdo cep i vendit. Brenda spitaleve, jashtë morgjeve, në rrugë.
Masakra
"Po i vrasin të gjithë", thonë. Është masakra e Republikës Islamike, duke shtypur popullin e saj në revoltë që po bën thirrje për fundin e saj. Në ditën e pesëmbëdhjetë të protestave, rrugët po mbushen përsëri, pavarësisht shtypjes së egër që i ngjan gjithnjë e më shumë një lufte. OJQ-të raportojnë 544 vdekje, por brenda vendit thonë "mijëra". Fondacioni i laureatit të Çmimit Nobel, Narges Mohammadi - ende në burg - shkruan për mbi 2,000 njerëz të vrarë dhe gati njëmbëdhjetë mijë të arrestuar.
Interneti dhe telefonat janë ende jashtë funksionit, por protestuesit po përgatiten të anashkalojnë bllokadën e vendosur nga ajatollahët, të cilët vrasin më mirë në errësirë. Thonë se "kush është i lidhur me Starlink, ofrohet të informojë familjet e të tjerëve dhe të dërgojë materiale të rëndësishme jashtë vendit".
Samira shkruan përsëri: "Jam gjallë." Prej katër ditësh nuk kishim asnjë lajm prej saj: "Ka kaq shumë të vdekur, janë kudo. Po na qëllojnë nga çatitë. Nuk dimë çfarë të bëjmë; nuk mund të mbrohemi me gurë kundër mitralozëve. Do të na vrasin të gjithëve nëse askush nuk na ndihmon." Ka frikë, veçanërisht për vëllezërit e saj: "Guximi i tyre më tremb".
Rrugët janë të mbushura me turma dhe Garda Revolucionare po qëllon drejt e në kokë. Demonstruesit dhe mjekët në dhomën e urgjencës së shembur e raportojnë këtë. Thirrja e dëshpëruar e një mjeku: "Transmetoni mesazhin tonë në televizionin kombëtar; nuk arrijmë të kujdesemi për të gjithë; na mungojnë kirurgë dhe infermierë". Ai kërkon që apeli i tij të transmetohet sepse as telefonat nuk funksionojnë në spitale. Pastaj na vijnë fjalët fjalët e një të riu nga Shirazi: "Familjet e viktimave po heshtin, sepse kjo është e vetmja mënyrë që ata mund të marrin trupat e të dashurve të tyre. Për t'i rikthyer ata, disa duhet të paguajnë mijëra dollarë. Baballarët dhe nënat kanë frikë të flasin". Lexojmë se "në Rasht ka vdekje të panumërta, madje edhe në Lordegan. Qytete të tëra janë në zi. Në qytetet më të vogla, është një masakër".
Samira tregon se si disa agjentë infiltrohen te protestuesit dhe bëjnë sikur i udhëheqin, duke i futur në kurthin e regjimit: "Kur një turmë e madhe marshon nëpër rrugë, nevojitet një udhëheqës për të drejtuar rrugën. Ata minj kanalesh, bëjnë sikur janë udhërrëfyesë dhe na çojnë drejt pritave ushtarake për t’u vrarë." Samira kthehet të luftojë. Por së pari ajo na pyet nëse bota po flet për Iranin dhe na lë një mesazh, siç ka bërë gjithmonë, edhe kur mori pjesë në protestat e vitit 2022: "Nëse më ndodh diçka, thoni se isha në rrugë për liri."
Dosja e Iranit është sigurisht në tavolinën e Donald Trump. Sipas thashethemeve, ai do të shqyrtojë mundësi të ndryshme, përfshirë veprimet ushtarake. "Mundësive që do të vlerësohen", i përgjigjet drejtpërdrejt Kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, i vijës së ashpër dhe besnik i Ali Khameneit: "Në rast të një sulmi ndaj Iranit, si Izraeli ashtu edhe të gjitha qendrat, bazat dhe anijet ushtarake amerikane në rajon do të jenë objektivat tanë legjitimë." Ëall Street Journal raporton se një takim informues është planifikuar për të martën, ku presidentit amerikan do t’i vihen përpara opsionet, të cilat përfshijnë, përveç bombardimeve të mundshme, dhe sulme kibernetike dhe sanksione. Jerusalem Post raporton se "Trump në thelb ka vendosur të ndihmojë protestuesit. Ajo që ai nuk ka vendosur ende është 'si' dhe 'kur'".
Marshimi
Vonë në mbrëmje, ajatollahët bënë një njoftim që, përballë pirgjeve me kufoma të grumbulluara para morgjeve, duket surreale: Tre ditë zie kombëtare për viktimat e "betejës së rezistencës" kundër protestave. Agjencia e lajmeve Tasnim raporton se i ashtuquajturi Presidenti reformist Masoud Pezeshkian është "thellësisht i prekur" nga jetët e humbura dhe po bën thirrje për një marshim. Dyzet e tetë anëtarë të forcave të sigurisë thuhet se janë vrarë në dy javë.
OJF-të po fillojnë të mbledhin emrat dhe historitë e atyre që u vranë nga Rojet besnike të Ajatollahëve. Midis tyre është Ahmad Abbasi, një aktor dhe producent teatri.
Kundër-protestat
Pas protestave masive që kanë 'mbërthyer' gjatë ditëve të fundit Iranin, në vend mësohet se kanë nisur edhe marshimet pro-regjimit, si një mënyrë për të demonstruar forcë dhe për t'ju kundërvënë popullit opozitar./Corriere della Sera
Lideri suprem i ajatollahëve, Ali Khamenei, thotë se protestat e sotme pro-qeveritare "erdhën si paralajmërim për politikanët amerikanë që t'i japin fund mashtrimit të tyre."
Sipas tij, ka qenë një "ditë historike", ndërsa shton se këto "organizime të mëdha përplot vendosmëri tkurrën planet e armiqve të huaj që duhet të zbatoheshin nga mercenarët vendas."
Ai shtoi se "kombi iranian është i fuqishëm, i vetëdijshëm, i njeh armiqtë e tij dhe është i pranishëm në çdo skenë."

Roberta Metsola
"Nuk mund të vazhdojë puna si zakonisht. Ndërsa populli i guximshëm iranian vazhdon të luftojë për të drejtat dhe lirinë e tij, sot kam vendosur t'i ndaloj të gjithë stafit diplomatik dhe çdo përfaqësuesi tjetër të Republikës Islamike të Iranit qasjen në të gjitha ambientet e Parlamentit Evropian", shkroi Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në llogarinë e saj X.
"Kjo Asamble nuk do të kontribuojë në legjitimimin e një regjimi që ka ruajtur pushtetin e tij përmes torturës, shtypjes dhe vrasjeve."

Ambasadorët britanikë, gjermanë, italianë dhe francezë u thirrën sot në Ministrinë e Jashtme të Iranit për të parë filmimet e atyre që autoritetet iraniane i përshkruan si “dhunë nga protestuesit”, shkruan BBC.
Vendet e përfshira janë ndër ato që kanë shprehur haptazi mbështetjen për demonstratat në Iran. Sipas televizionit shtetëror të Iranit, Ministria e Jashtme paraqiti imazhe nga protestat në rrugë dhe tha se kishte tejkaluar protestën paqësore.
Zyrtarët iranianë akuzuan SHBA-të dhe Izraelin për nxitje të destabilitetit në vend dhe i quajtën protestuesit “vandal.”
Televizioni shtetëror thotë se Ministria u tha ambasadorëve që çfarëdo mbështetjeje politike ose mediatike për protestuesit është e papranueshme dhe përfshihet në ndërhyrjen e punëve të brendshme të Iranit.
Më herët, Irani kishte thirrur ambasadorin e Britanisë për “komentet ndërhyrëse” nga sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për një incident ku një protestues hoqi nga ambasada flamurin iranian nga një godinë në Londër dhe e zëvendësoi me një flamur para vitit 1979 që përdorej para Revolucionit Islamik.
BE-ja po shqyrton vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Iranit për shkak të shtypjes së protestave që po tronditin vendin.
“Jemi të gatshëm të propozojmë sanksione të reja dhe më të ashpra pas shtypjes së dhunshme ndaj protestuesve”, tha zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni.
Donald Trump tha se planifikon të flasë me Elon Musk për rivendosjen e internetit në Iran, ku autoritetet kanë ndërprerë shërbimet për katër ditë.
Kompania SpaceX e Muskut ofron një shërbim interneti satelitor të quajtur Starlink që është përdorur në Iran.
"Mund ta vëmë internetin në punë nëse kjo është e mundur. Mund të flasim me Elonin", u tha Trump gazetarëve në Air Force One.
"Ai është shumë i mirë në këto lloj gjërash, ka një kompani shumë të mirë. Kështu që mund të flasim me Elon Musk. Në fakt, do ta telefonoj sapo të mbaroj me ty."
Musk dhe SpaceX nuk komentuan menjëherë mbi komentet e Trump, të cilat erdhën përpara se ministri i jashtëm i Iranit të pretendonte se qasja në internet do të rikthehej në vend "në koordinim me autoritetet e sigurisë".

Pas protestave masive që kanë ‘mbërthyer’ Iranin, disa faqe interneti në vend u bllokuan.
Një agjenci shtetërore lajmesh iraniane ka ndarë një listë të faqeve të internetit, të cilat mbeten të pazhbllokuara mes ndërprerjes së vazhdueshme të internetit që ka përfshirë vendin.
Sipas mediave të huaja, kjo gjë tregon që regjimi ka një nivel të lartë kontrolli mbi ndërprerjen e energjisë elektrike dhe internetit, që nuk e ka demonstruar më parë.
Agjencia e lajmeve e Republikës Islamike të Iranit ndau listën, e cila përfshinte ‘motorë’ kërkimi vendas, harta, përkthyes, kryesisht agjenci shtetërore lajmesh, shërbime komunale, aplikacione mesazhesh, faqe interneti të regjimit dhe të tjera, të cilat vijonin të ishin të bllokuara.
Lista titullohej: "Faqet thelbësore të arritshme nëpërmjet internetit kombëtar" dhe disa kanë thënë se kjo tregon se regjimi nuk ka ndërmend ta kthejë internetin në gjendjen e tij të mëparshme, të para protestave.
Kujtojmë se nga protestat masive në vend kanë humbur jetën disa qindra persona dhe mijëra të tjerë janë plagosur.
“Irani është gati të negociojë me SHBA-në bazuar në respekt dhe interesa të ndërsjella”.
Kështu u shpreh të hënën Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi.
“Siç e kam thënë vazhdimisht, ne jemi gjithashtu të gatshëm për negociata, por negociata të drejta dhe dinjitoze, nga një pozicion i barabartë, me respekt të ndërsjellë dhe bazuar në interesa të ndërsjella”, i tha Araghchi një grupi diplomatësh të huaj në një takim të transmetuar televiziv në Teheran, ndërsa vendi hyri në javën e tretë të protestave të dhunshme.
Deklaratat e ministrit të jashtëm erdhën pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Irani kishte bërë thirrje për negociata, ndërsa administrata e tij po sheh opsionet e mundshme ushtarake për ndërhyrje kundër Teheranit pas demonstratave.
Qeveria iraniane ka deklaruar disa herë gatishmërinë e saj për të negociuar gjatë muajve të kaluar.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka dënuar "me fjalët më të ashpra dhunën që udhëheqja në Iran po ushtron kundër popullit të vet".
Sipas mediave të huaja, gjatë një vizite në Indi, Merz tha se dhuna nga regjimi "nuk është shprehje force, por është shprehje dobësie".
"Për dy javë tani, kemi parë gjithnjë e më shumë njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë që dalin në rrugë në të gjithë vendin. Ata po demonstrojnë në mënyrë paqësore për liri dhe për një jetë më të mirë në vendin e tyre. Kjo është e drejta e tyre. Atyre u takon respekti më i madh për guximin me të cilin po i rezistojnë dhunës joproporcionale dhe brutale të forcave iraniane të sigurisë", shtoi Merz.
Ai tha gjithashtu se udhëheqja në Teheran duhet "të mbrojë popullsinë e saj në vend që ta kërcënojë atë".
Kujtojmë se në Iran prej disa ditësh kanë shpërthyer protesta masive, ku kërkohet larimi i regjimit të Ajatollahut, i cili shihet si përgjegjës për situatën e rënduar në vend.

Foto: Kaja Kallas
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se është e gatshme të propozojë vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, si reagim ndaj asaj që ajo e përshkroi si shtypje barbare të protestave në këtë vend.
“BE-ja tashmë ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Iranit, kundër personave përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut, aktivitete që lidhen me përhapjen bërthamore, si dhe për mbështetjen që Teherani i ka dhënë luftës së Rusisë në Ukrainë”, deklaroi Kallas për gazetën gjermane Die Welt.
“Jam e përgatitur të propozoj sanksione shtesë si reagim ndaj shtypjes barbare të protestuesve nga regjimi”, shtoi ajo.
Sipas informacioneve të Agjencisë Gjermane të Lajmeve, në fazën fillestare pritet të propozohen masa ndëshkuese ndaj personave përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve, përfshirë edhe ministra.
Këto sanksione mund të përfshijnë kufizime udhëtimi dhe ngrirjen e aseteve të tyre brenda juridiksionit të BE-së.
Sipas nënkryetares së Komisionit Evropian dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, qytetarët iranianë po rrezikojnë gjithçka për t’u dëgjuar, ndërsa regjimi ka një histori të gjatë dhe të rëndë të shtypjes së protestave, me forcat e sigurisë që edhe një herë kanë reaguar në mënyrë barbare.
Irani bëri thirrje më herët për demonstrata pro-regjimit, duke i kërkuar qytetarëve që të dilnin në rrugë.
Sipas mediave të huaja, kjo thirrje erdhi pasi protestat popullore prej disa ditësh kishin sfiduar sundimin e Udhëheqësit Suprem 86-vjeçar, Ajatollah Ali Khamenei.
Televizioni shtetëror iranian transmetoi pamje që thuhet se ishin nga marshimet dhe tregoi thirrje nga turma, e cila bërtiste "vdekje Amerikës" dhe "vdekje Izraelit".
Agjencia shtetërore e lajmeve Fars ndau informacionin për marshimet pro-regjimit, duke thënë se ato po mbaheshin "për të dënuar veprimet e fundit të protestuesve dhe terroristëve në vrasjen e civilëve dhe personelit të sigurisë".
Demonstrata u mbajtën edhe në qytete të tjera veç Teheranit, si Kerman, Zahedan dhe Birjand.

Foto: António Guterres
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka deklaruar se është i tronditur nga raportimet për dhunë dhe përdorim të tepruar të forcës nga autoritetet iraniane ndaj protestuesve në disa zona të Republikës Islamike të Iranit, çka ka sjellë dhjetëra viktima dhe shumë më tepër të plagosur ditët e fundit.
“Të gjithë iranianët duhet të jenë në gjendje t’i shprehin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore dhe pa frikë. E drejta e lirisë së shprehjes, e organizimit dhe e tubimit paqësor, ashtu siç garantohet nga e drejta ndërkombëtare, duhet të respektohet dhe të mbrohet plotësisht”, thekson Guterres.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u bëri thirrje autoriteteve iraniane të tregojnë vetëpërmbajtjen maksimale dhe të përmbahen nga përdorimi i panevojshëm ose joproporcional i forcës.
Ai gjithashtu bën thirrje për ndërmarrjen e masave “që do të mundësonin aksesin në informacion brenda vendit, përfshirë rivendosjen e komunikimeve”.

"Teherani dëshiron të negociojë". Kështu u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump ndërsa fliste me gazetarët në bordin e Air Force One, teksa Irani është përfshirë prej prostesave masive.
"Udhëheqësit iranianë telefonuan dje", tha Trump, duke shtuar se po organizohet një takim, shkruan La Repubblica.
Megjithatë, Trump deklaroi se se ushtria amerikane po shqyrton opsione shumë të forta, lidhur me një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Iran.
"Mund të na duhet të veprojmë përpara se kjo të ndodhë. Po e vlerësojmë situatën shumë seriozisht. Ushtria po e shqyrton atë dhe po vlerësojmë disa mundësi shumë të forta. Do të marrim një vendim", theksoi ai.
Një kamion mori para një turmë protestuesish në Los Angeles të dielën pasdite të mbledhur në mbështetje të kryengritjes antiqeveritare në Iran.
Dy nga të pranishshmit morën lëndime të lehta. Pas kësaj situate disa nga demonstruesit ndoqën automjetin në lëvizje, duke u përpjekur të sulmonin shoferin.
Sipas hetimetve paraprake autoritetet thonë se incidenti nuk ishte i motivuar politikisht, por përkundrazi erdhi si pasojë e një konflikti midis shoferit dhe turmës.

Foto: Ali Khamenei and Donald Trump
Presidenti Donald Trump thotë se ushtria amerikane po shqyrton "opsione shumë të forta" në Iran, ndërsa protestat antiqeveritare që thuhet se kanë vrarë 538 persona.
“Po e vlerësojmë shumë seriozisht këtë. Ushtria po e shqyrton këtë dhe po vlerësojmë disa mundësi shumë të forta. Do të marrim një vendim”, tha Trump.
Ndërkohë udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, në një postim në X tha se presidenti amerikan do të rrëzohet si Faraoni, Nimrodi, Reza Khani, Mohammad Reza dhe të tjerë.
"Ai zotëri që rri aty me arrogancë dhe krenari, duke gjykuar të gjithë botën, duhet ta dijë gjithashtu se zakonisht despotët dhe njerëzit arrogantë të historisë, si Faraoni, Nimrodi, Reza Khani, Mohammad Reza dhe të tjerë si ai, janë rrëzuar pikërisht kur ishin në kulmin e krenarisë së tyre. Edhe ky do të ketë të njëjtin fat dhe do të rrëzohet", shkroi ai.
Komente








te gjitha vendet e europes duan rrezimin e qeverise ne iran jo se i ha shume barku per iranianet..por hallin e kane tek nafta e iranit....sepse mendojne se mund ta vjedhin naften kur irani te jete ne kaos...ashtu sic bene me irakun dhe venezuelen....prandaj rrini ne stepi e mos u beni vegla te europes...edhe ne ketu ne shqiperi duhet te marrin ne pronesi naften qe na e vjedhin te huajt....
PërgjigjuNese Trumpi e sheh ushtrine Amerikane ma e forta ne bote pse nuk e dergon ne Iran qe ti tregoj botes ne te vertete
Përgjigju