VLORË- Një breshkë e llojit kareta - kareta ka dalë  e ngordhur në plazhin e Vjetër. Breshka mendohet se është rreth 50- vjeçare si moshë. Kështu ndotjet plastike në det çdo ditë vrasin specie të ndryshme sidomos breshkat. Ky mendohet të jetë shkaku i ngordhjes së breshkës, gjetur këtë mëngjes në breg të detit.

Një nga specialistët e Zonave të Mbrojtura, Nexhip Hysolakoj, së bashku me një specialist kroat kanë marrë mostra nga kjo breshkë dhe sipas ekzaminimit të kryer në vend dyshohet se breshka ka ngordhur pikërisht për shkak të konsumimit të plastikave ndodhur në ujërat e detit.

Kjo nuk është hera e parë që breshka të tilla dalin të ngordhura në bregdet. Pra specialistët mjedisor i shohin këto ndotje si problematikë për këto gjallesa dhe jo vetëm. Brenda dy viteve janë gjetur të tilla në bregdet rreth 30 breshka, kryesisht të llojit kareta-kareta. 15 prej tyre të ngordhura dhe të tjerat pas ekzaminimeve të kryera janë kthyer përsëri në habitatin e tyre në det. Ndërkohë alarmi i specialistëve se ndotja plastike po prek edhe produktet e konsumit si peshqit dhe llojet e tjera.

'Gjatë monitorimit që kemi bërë në gjirin e Vlorës, kemi një numër të konsiderueshëm të breshkave që gjenden të ngordhura për shkaqe të ndryshme. Në të shumtën e rasteve breshkat e ngordhura në gjirin e Vlorës janë nga plastika. Roli i saj negativ është bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes. Rastet e tjera kanë nevojë për një analizë më të thelluar për të kuptuar se në rast se këto ngordhje vijnë nga helmime të ndryshme. Fatkeqësisht për vitin 2020 kemi pasur një numër të konsiderueshëm, gati 50% të breshkave që kemi evidentuar në Gjirin e Vlorës, të cilat kanë ngordhur nga plastika.’- tha eksperti Nexhip Hysolakoj.