Gjymtyra e poshtme e një njeriu është gjetur mbrëmjen e djeshme në bregdetin e Kunës në Shëngjin. Burime të policisë së Lezhës kanë bërë të ditur se, bëhet fjalë për një këmbë njeriu e cila është pikasur në brezin e rërës afër bregut te detit. Ajo ishte e dekompozuar dhe nuk dihet ende sesi ka mbërritur  në breg të detit. Kanë qenë disa banorë të zonës ata që kanë lajmëruar policinë e Lezhës për këtë konstatim. Këmba e djathtë e një njeriu ndodhej pak metra larg bregut, shumë pranë një lokali shërbimi në zonën e Kunës në Shëngjin.
 
Dyshimet e para janë se kjo pjesë trupi njeriu mund të jetë sjellë nga dallgët e detit, duke iu referuar edhe  kohës së keqe dhe me reshje qe ka shoqëruar rajonin e Lezhës ditët e fundit. Eksperte të policisë së Lezhës kanë nisur verifikimet si dhe vendosen perimetrin e sigurisë në zonën ku u gjet kjo gjymtyrë njeriu.
 
Ajo nuk është zhvendosur deri në orët e vona në pritje të mjekësisë ligjore. Këta të fundit pritet të bëjnë edhe përcaktimet e rastit, ndërsa konsiderohet si tepër e vështirë për të përkufizuar së çfarë ka ndodhur me shkëputjen e kësaj gjymtyre.
 
Janë hedhur dyshime të forta se ajo mund t’i përkasë ndonjë personi të zhdukur, fakt për të cilin është kërkuar edhe një ekspertizë e hollësishme nga Tirana.
 
Kryerja e ekspertizës mjeko-ligjore pritet të përcaktojë edhe gjininë e kësaj gjymtyre, kjo do të ndihmojë edhe punën e grupit hetimor për hetuar më tepër rreth ngjarjes.