LIBAN - Dy ditë pas lajmit se është eliminuar nga bombardimet izraelite, trupi i pajetë i liderit të Hezbollah, Hassan Nasrallah është gjetur brenda një bunkeri në Liban. Agjencia e lajmeve Reuters bën me dije se trupi i tij nuk kishte lëndime dhe se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë trauma e fortë nga forca e shpërthimeve.
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan këtë diel valën e re të sulmeve me jugun e Libanit, duke shkaktuar dhjetëra viktima, numri i të cilëve është vazhdimisht në rritje.
SHBA sheh mundësinë e një inkursioni tokësor të kufizuar izraelit në Liban ndërsa Izraeli po lëviz forcat në kufirin e tij verior.
Mbetet e paqartë nëse ushtria e shtetit hebre do të nisë një sulm tokësor, pavarësisht se më herët zëdhënësi i saj, Peter Lerner, tha se trupa po përgatiten për mundësinë e një inkursioni, i cili është një opsion që po shqyrtohet. Ministri libanez i Informacionit, Ziad Makary theksoi se qeveria e Libanit po këmbëngul për një armëpushim.
“Përpjekjet diplomatike për një armëpushim me Izraelin janë ende në vazhdim. Kryeministri është i vendosur për këtë, por çështja nuk është aq e lehtë”, tha ministri libanez.
Ndërsa Irani nuk përjashton mundësinë e një lufte masive në Lindjen e Mesme. Duke marrë shkas nga vrasja e liderit të Hezbollah, kreu i diplomacisë iraniane Abbas Araghchi, tha se “gjithçka është e mundur, edhe lufta”.
"Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se situata është e nxehtë dhe se gjithçka është e mundur, madje edhe lufta", paralajmëroi ministri Iranian. Araghchi nuk kurseu akuzat ndaj Izraelit dhe deklaroi se për këtë arsye Irani ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit në OKB.
Dy ditë pas eliminimit nga bombardimet izraelite, u bë e mundur gjetja e trupit të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Ai u gjet brenda një bunkeri në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Janë bërë publike dhe pamjet nga bunkeri i shpërthyer prej bombardimet izraelite ku fshihej Nasrallah.
Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut tani ka arritur në pikën më të lartë me eliminimin e liderit të kësaj lëvizjeje. Ende nuk dihet se cila do jetë momenti i radhës në këtë luftë, por më tepër flitet për një inkursion izraelit tokësor në Liban.