Vetëm 24 orë pas marrjes së detyrës si ministër i komanduar i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshi ka firmosur dy urdhëra. I pari lidhet me personelin e ministrisë së brendshme për të përdorur në mënyrë efikase kohën në punë.

Urdhëri i Sandër Lleshit u kërkon që të gjithë punonjësit e kësaj ministrie të mos ftrekuentojnë kafenetë , restorantet , njësive tregtare e çfarëdo mjedisi publik jashtë vendndodhjes për arsye pune. Bëjne përjashtime rastet e festave apo fatkeqësive familjare dhe kjo vetëm me lejen e eprorit. Ndërsa urdhëri i dytë lidhet me protestat e fundit në Durrës për ndotjen, që ka të bëjë pikërisht me djegien e mbeturinave.

Në përgjigje të shqetësimeve të banorëve ai i kërkon Policisë së Shtetit të marrë masa urgjente dhe të mbajë nën kontroll situatën duke bashkëpunuar me institucionet vendore. Qytetet më problematike në këtë drejtim, sipas ministrit Lleshi, janë Durrësi, Vlora, Kukësi, Tirana dhe Dibra.

Në urdhërin drejtuar numit një policisë së shtetit Ardi Veliu, ministri i komanduar Sandër Lleshi thotë: “Kërkoj që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit”. Sa më sipër Sandër Llleshi kërkon nga Policia e Shtetit raportime të veçanta ditore për këtë çështje.

Letra e Lleshit drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

I nderuar Z. Drejtor,

Siç jeni në dijeni, ditët e fundit është shtuar problematika lidhur me djegien e mbeturinave në vende të hapura pranë qendrave të banuara, si dhe në landfille, duke u kthyer kështu në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve pranë tyre. Informacionet e fundit tregojnë se Qarqet më problematike janë ato të Durrësit, Vlorës, Kukësit, Tiranës dhe Dibrës.

Nisur nga sa më sipër, kërkoj që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit. Për këtë, ato të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat përgjegjëse në Prefektura, Bashki, Njësi Administrative, si dhe me ato të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me qëllim ndalimin e zjarreve në landfille dhe vende të hapura publike. Po ashtu, strukturat e Policisë të komunikojnë edhe me kompanitë e kontraktuara për pastrimin e qyteteve/njësive vendore, për t’i dhënë fund një fenomeni të tillë të rrezikshëm.
Sa më sipër, kërkoj nga Policia e Shtetit raportime të veçanta ditore për këtë çështje. 
Ju faleminderit për bashkëpunimin.