Gjenerata e re jo të mbytet
por të ankorohet në BE

Ne jemi këtu për të çelur një proces diskutimi me të gjitha grupet që sëbashku i shërbejnë shtetit dhe qytetarit, si njerëz të angazhuar në funksion të ligjit dhe po ashtu të një programi shumë ambicioz dhe shumë të vështirë për të rilindur Shqipërinë. Jo rastësisht, unë vendosa që këtë proces diskutimesh ta nisim me Policinë e Shtetit, sepse unë besoj dhe fatmirësisht, qytetarët shqiptarë besojnë se Policia e Shtetit në këto tre vjet ka qënë shembulli më domethënës i një përpjekjeje shumë të vështirë, por absolutisht jo të pamundur, për të bërë shtet, në kuptimin më të troçtë të fjalës.

Një shtet që shqiptarët e kanë dashur që në ditën e parë të përmbysjes së regjimit të vjetër, si një alternativë kuptimplotë e të jetuarit me një kushtetutë demokratike, me një ligj përpara të cilit janë të gjithë të barabartë dhe në një mjedis ku ata që janë të ndershëm, ata që janë punëtorë dhe të përkushtuar ndaj familjes dhe ndaj vendit të mos ndjehen si budallenj, ndërkohë që të tjerë, vetëm pse guxojnë të dalin përtej kufijve të ligjit, të ndjehen përfitues, siç ka ndodhur për shumë vite, kur me plot të drejtë shqiptarëve iu kthye në ankth pyetja: “A mund të bëjmë shtet, ne shqiptarët, në kushtet e zgjedhjes së lirë, që e garanton kushtetuta demokratike”?

Për mua, një nga arritjet më shembullore dhe kuptimplota të këtij procesi jashtëzakonisht të vështire transformimi është fakti se jo sipas nesh, por sipas anketimeve të bëra nga institucione ndërkombëtare, një nga të cilët Bashkimi Europian, Policia e Shtetit rezulton institucioni më i besuar i shqiptarëve.

Kjo do të ishte krejtësisht utopi, në rast se do ta mendonim dhe do ta thoshim vetëm tre vjet më parë, kur Policia e Shtetit ishte një nga institucionet më të pabesueshme për qytetarin. Padyshim që ky proces transformimi, që tek Policia e Shtetit gjen një ndër shembujt më pozitive, është meritë e lidershipit të ministrit të Brendshëm, është meritë e ekipit drejtues të Policisë së Shtetit, por është meritë edhe e çdo punonjësi policie që mes rrugës së vjetër të shpërdorimit të uniformës dhe të besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, tek rruga e re e respektit për uniformën, drejt kryerjes me dinjitet të detyrës, ka zgjedhur këtë të dytën.
Është rezultat i një pastrimi shembullor që iu bë Policisë së Shtetit, duke përjashtuar prej radhës së saj 11 % të trupës për shpërdorim detyre, nga aktet më shembullore të shkeljes se ligjit deri në abuzimet më të vogla. Kjo nuk do të thotë që lufta e brendshme me këtë traditë të shpërdorimit të detyrës në uniformë ka përfunduar. Është një luftë që vazhdon me vetëdijen që sot, ende, në Policinë e Shtetit vazhdojnë të shfaqen fenomene që Policia e Shtetit si e tërë është ndarë me vendosmëri dhe me një vullnet që dëshmohet përditë nga drejtues dhe punonjës të thjeshtë policie, të cilëve të gjithë iu jemi mirënjohës, sepse po provojnë në një realitet aspak të lehtë se kjo është e mundur.
Është plotësisht e mundur të dalësh nga shtëpia me këtë uniformë që peshon kaq shumë dhe të kthehesh në shtëpi, duke e mbajtur uniformën të pastër, duke e mbajtur figurën e uniformës së policisë të pastër, duke e mbajtur marrëdhënien e kësaj figure me shoqërinë të pastër. Nuk ka dyshim, dua që ta dëgjoni dhe të besoni këtë; Për asnjë moment, ne nuk kemi harruar që të çmojmë mundin e madh që të gjithëve ju këtu dhe atyre që bashkë me ju i kanë dhënë Policisë së Shtetit, një fytyre të re, duke qenë ende larg së qenit i shpërblyer siç duhet në të gjitha aspektet, që nga aspekti financiar deri tek aspekti i mirënjohjes shoqërore që në këndvështrimin, besoj, të çdo qytetari të zakonshëm dhe normal duhet të mishërohet tek përfaqësuesit e popullit pa dallim, qofshin këta përfaqësues të popullit në shumicë, që kanë barrën të qeverisin, qofshin këta përfaqësues të popullit në pakicë, që kanë barrën jo më të vogël, të jenë në opozitë me qeverinë për të bërë që gjërat të bëhen më mirë. Ne jemi larg së qeni një qeveri e përsosur. Nuk ka qeveri të përsosur dhe çdo ditë e më shumë, unë i besoj fjalës së të madhit Ronald Reagan, i cili thoshte: “Qeveria nuk është zgjidhja, është gjithmonë problemi.” Por një problem me të cilin çdo shoqëri është e detyruar të bashkëjetojë, sepse nuk ka një zgjidhje më të mirë.

Nëse ka një forcë kritike, sot, për çka duhet të bëjë më mirë Policia e Shtetit, për fat të keq nuk është opozita, jemi ne vetë. Nëse do të bënim një debat normal, për të shfaqur aftësinë vetëkritike, do ta fitonim ne, nuk do ta fitonte opozita, në vendosjen e gishtit mbi dobësitë, të metat dhe problemet e Policisë së Shtetit.

E them këtë, sepse dua të nënvijëzoj se ambicia jonë është shumë më e madhe dhe shumë më e fortë, sesa çka kemi mundur të bëjmë deri këtu dhe kështu duhet të jetë. Por pa dyshim do të ishte shumë herë më mirë, nëse kjo ambicie e madhe dhe e fortë për një polici shteti që nuk krahasohet me të shkuarën, por që krahasohet me më të mirën në rajonin dhe në Europën ku jetojmë, do të sfidohej nga ambicia e opozitës, nga fuqia e analizës, ideve dhe vizionit alternativ të opozitës. Për fat të keq, sot, opozita nuk është një fuqi alternative që na shtyn për të bërë dhe më shumë, por është një forcë energjie negative që cenon moralin dhe pasionin e çdo punonjësi të policisë.
Jam munduar vazhdimisht të vihem nën lëkurën tuaj dhe ta parafytyroj veten si një punonjës policie që ndahet në mëngjes nga familja, përqafon fëmijët dhe niset në një punë ku gjithçka mund të ndodhë dhe pastaj kthehet dhe është i detyruar të dëgjojë kaq shumë shpifje, kaq shumë akuza, kaq shumë gjëra që nuk kanë lidhje me atë që, në fakt, ai bën.

A ka në Policinë e Shtetit, njerëz që nuk meritojnë të jetojnë nën këtë uniformë, njerëz të cilët probabilisht meritojnë të ishin në burg, sepse e tradhtojnë këtë uniformë? Patjetër, por a e meriton gjithë kjo trupë, që i ka dhënë vendit një shpresë të re dhe një besim të ri se ne mund të bëjmë shtet, që për hir të atyre të cilët i përmenda pak më parë, të marrë çdo mbrëmje një pjesë të baltës që lëshohet me furi ndaj gjithë Policisë së Shtetit, në kurrizin e vet? Në asnjë mënyrë jo! Kjo ma risjell detyrimisht në gojë atë shprehjen e famshme të një mendimtari të madh, i cili thoshte: “Armiku më i madh i policisë nuk është krimi, por vetmia”.

Vetmia që krijon mungesa e mbështetjes nga shtypja, apo mungesa e vëmendjes për të dëgjuar. Në fakt, ajo që ndodh çdo ditë ndaj Policisë së Shtetit është shtypja. Një shtypje që vjen me furinë e një dhune verbale të pashembullt dhe të pangjashme me asgjë në botën ku jetojmë. Fatkeqësisht, sado ta kërkojmë, nuk do ta gjejmë sot as në rajon, as në Europë, në SHBA jo e jo dhe në asnjë vend normal të botës, një opozitë e cila i kundërvihet Policisë së Shtetit me gjithë forcën e dëshpërimit të saj, duke çliruar çdo ditë energji negative që tentojnë moralin e çdo punonjësi policie, i cili në fund të fundit është në këtë detyrë jo sepse i shërben një partie sot, por nesër e gjithmonë do t’i shërbejë shtetit, nën drejtimin e cilësdo parti që populli vendos t’i japë mandatin për të qeverisur.

Le të kthehemi tre vite më parë, ku besoj u shënua një nga aktet më kuptimplota të vullnetit tonë për t’i dhënë Policisë së Shtetit në duar, fuqinë që i ka munguar për vite të tëra. Aktin e rritjes së menjëhershme të rrogave për të gjithë trupën e Policisë së Shtetit. Në kushte të zakonshme do të ishte një akt i zakonshëm, por është një nga aktet më të jashtëzakonshme që ka bërë kjo qeveri, sepse ndodhi në kushte të jashtëzakonshme. Shqipëria që ne morëm ishte në një situatë shumë më të rëndë se Shqipëria që ne dinim që do të merrnim. Me t’u ulur në tryezën e lartë të qeverisjes së vendit, ne gjetëm mu në mes të rrugës një borxh, i cili deri në atë moment ishte mbajtur i fshehur, 720 milionë dollarë në formën e detyrimeve të prapambetura për shërbime që shteti i kishte marrë.

Këtu ka plot njerëz që e dinë shumë mirë, se edhe ata ishin ndër të shumtit të cilëve shteti iu kishte borxh. Ju kujtohen borxhet për aktivitetin ekstra, orë pune të papaguara. Një borxh, i cili nuk ishte thjesht dhe vetëm aty si një shumë parash, por një mal që qëndronte në fushën e minuar në rrezik shpërthimi, në formën e një kolapsi energjetik.
Qeveritë vlerësohen nga njerëzit për atë që bëjnë, ndërsa nga ekonomistët, qeveritë vlerësohen edhe për atë që shmangin. Njerëzit nuk janë të detyruar të jenë të vëmendshëm ndaj fatkeqësive që shmangin. Ju jeni dëshmitarë se sa vrasje, sa grabitje që ju keni shmangur nuk përbëjnë lajm. Mjafton një vrasje, një grabitje dhe është lajm i parë dhe kështu duhet të jetë.

Në tetorin e vitit 2013 kemi shmangur rënien në humnerë e një katastrofe financiare. Shqipëria rrezikonte të mbetej pa para për të paguar rrogat e pensionet e fundnëntorit e më pas 2013. U detyruam nga situata të thërrisnim “zjarrfikëset” e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe pranuam t’i nënshtrohemi një programi shumë të vështire ristrukturimi, ku e mbaj mend shumë mirë, njëra nga kërkesat ishte ulja e menjëhershme e rrogave dhe e pensioneve. Një kërkesë, së cilës vendet e tjera në rajon i ishin përgjigjur pozitivisht. Mjafton të shikoni çfarë ka ndodhur në vendet e tjera të rajonit, për të parë sesi janë ulur rrogat dhe pensionet. Ne refuzuam ta ndërmarrin këtë masë, të vetëdijshëm që ishte e padrejtë për njerëzit e mirë dhe të ndershëm të këtij vendi, që atë rrogë të pamjaftueshme e merrnin me punë të vështirë. Patjetër dhe për pensionistët e këtij vendi, që atë pension minimal nuk e meritonin.

Ramë dakord që ta rishikojmë vendimin, një vit më pas, me kushtin që të na jepej një vit për të ristrukturuar sektorin e energjisë. Askush, më besoni, nuk e merrte në konsideratë, qoftë nga përfaqësuesit e FMN-së, qoftë nga përfaqësuesit e Bankës Botërore, qoftë nga të gjithë të tjerët, ambicien tonë për të adresuar problemin më të madh dhe sëmundjen më të egër kronike, vjedhjen e energjisë elektrike. Vjedhje që i kushtonte buxhetit të shtetit mesatarisht 150 milionë euro në vit, për të mbajtur dritat ndezur, sepse historia e 23 viteve e kishte treguar që të gjitha qeveritë kishin dështuar me sukses në këtë përpjekje.

Por akti i jashtëzakonshëm ishte rritja e menjëhershme e pagave të Policinë e Shtetit.
Sot, me të drejtë, njerëzit shqetësohen për shkak të çdo vepre kriminale që bën bujë, por tre vjet më parë, kur ne zhvillonim fushatën tonë elektorale, unë mund t’ju siguroj se në çdo cep të Shqipërisë, në çdo takim me grupe apo me individë, kryefjala ishte “na shpëtoni nga kthetrat e krimit, na shpëtoni nga makthi se në çdo moment mund të na ndodhë diçka”. Sot, kjo nuk është më kryefjala, por është një nga shqetësimet e qytetarëve, që me të drejtë kërkojnë më shumë.

Bëmë një rritje pagash për Policinë e Shtetit si asnjëherë më parë, e cila na dha të drejtë, ndërkohë që filluam një proces rindërtimi nga themelet të Policisë së Shtetit, të cilën e gjetëm më të vjetrën në moshë dhe më të paarsimuarën në rajon, - nuk po diskutojmë BE-në, - të cilën e gjetëm si një organizatë të madhe punësimi për gjithfarëlloj militantësh, kushërinjsh apo fukarenjsh, që për të veshur kapelën e policit paguanin para. Një trupë e çorganizuar, e çoroditur dhe krejtësisht e braktisur.
26 milionë dollarë ishte borxhi, që në atë malin e madh trashëgonte Ministria e Brendshme, bashkë me një flotë automjetesh që ishte bërë barcaleta e këtij populli. Policë që shtynin veturat dhe ishin bërë personazhet kryesore të “Jeta osht qejf”. Nuk e di a kishte lindur apo jo portali, por jam i sigurt që një nga frymëzimet e atyre që e kanë krijuar atë portal ka qenë figura e policit, njësoj si në kohën e vjetër ku çdo barcaletë kishte policin brenda.

Nga viti 2010 deri në shtator të vitit 2013, 8866 punonjës policie ose 90% e trupës, parafytyrojeni, ishte transferuar të paktën një herë nga këtu - aty, nga aty – këtu, nga andej - këtej, nga lart – poshtë e nga poshtë - lartë, një trup fluide këmbësorësh, që me një urdhër qorr nga lart dilnin nga shtëpia dhe shkonin në një adresë tjetër. Mjafton kjo për të bërë konkluzionin mbi kapacitetin reagues të kësaj trupe si e tërë.

Për shkak të këtyre transferimeve, parafytyrojeni, çdo post pune në Policinë e Shtetit i ka kushtuar këtij shteti 1.6 herë më shumë se çfarë do të kushtonte, nëse gjithë këta njerëz nuk do bënin xhiro dhe këto 1.6 herë më shumë nuk kanë përfunduar, për fat të keq, në buxhetin e familjeve të punonjësve të policisë, por në gropën e madhe, të hapur nga një papërgjegjshmëri historike në qeverisjen e vendit.
Në vitin 2012 u bë një rritje pagash për të ashtuquajturit policë me diplomë, por çfarë tregon analiza e bërë më pas. Analiza tregon se përftimi financiar nga puna i punonjësve të policisë ka ardhur vazhdimisht në rënie, pra, paga reale, tregon se punonjësit e policisë, në fund të 8 viteve xhiro ishin më të varfër sesa kur filloi xhiroja. Tregon se asnjë nivel në Policinë e Shtetit nuk ka njohur rritje të pagës reale në 8 vjet dhe paga reale është ulur, në krahasim me vitin fillestar të kiametit, 2005-ën.
Po e them me pak shifra, sesi ka ndodhur kjo. Midis viteve 2005-2013, paga bruto e inspektorit të policisë është rritur 18.9 %, ndërkohë që po në këtë hark vitesh, çmimet janë rritur 24.2%. Fuqia blerëse e familjes së inspektorit të Policisë së Shtetit ka rënë me 5.3%.

Për vetëm tre vjet, për inspektorin e policisë, 15.3 % paga bruto, në një rritje çmimesh 4.7%, që do të thotë fuqia blerëse e inspektorit në familje është rritur me 10.6 %. Kjo fuqi blerëse është rritur edhe si rezultat e një taksimi të ndershëm. Inspektorit, përpara 2013-s, shteti i fuste dorën në xhep dhe i merrte taksë më të lartë sesa drejtorit të policisë, shumë më të lartë sesa ministrit, shumë më të lartë sesa kryeministrit apo deputetit. Kështu, paga neto e inspektorit të policisë në 2013-n ishte 400 mijë lekë, sot është 485 mijë lekë dhe rritja e saj në vlerë është 82 mijë lekë, me një përfitim nga taksimi i ndershëm 5.3 %.

Policia që ne trashëguam mbulonte vetëm 55 % të territorit të vendit. Faktikisht ishte e pranishme vetëm nëpër qytete. Ndërkohë që, pavarësisht gjitha këtyre, ne filluam një rritje page të strukturuar dhe të menduar, jo thjesht për të shtuar nga njëra anë ca lekë dhe për t’i marrë nga ana tjetër, por për të rritur fuqinë blerëse të familjes të çdo punonjësi të policisë. Në krahasim me 2013-n, sot, inspektori ka një pagë të rritur me 15.3 % dhe rritja reale dhe ajo maksimale është 10.6 %. Por jo vetëm kaq. Ne nxitëm një rritje në bazë funksionesh, duke parë pamjen absurde të nivelit të shpërblimeve, që ishte rezultat i pamjes absurde të strukturës së Policisë së Shtetit, ku më të diskriminuarit ishin punonjësit e terrenit, ata që kanë punën më të vështirë, ata që përballen me gjithfarëlloj situatash dhe që duhet çdo ditë të punojnë më mirë, për ta sjellë qytetarin më pranë policisë dhe për ta çuar shkelësin më pranë burgut. Sot është përmbysur piramida e vjetër. Sot baza është në terren dhe në zyra, përqendrimi është shumë më i vogël dhe shumë më efikas.

Kanë qenë 3 milionë e 590 mijë dollarë borxhe të shtetit ndaj jush, orë ashtë orarit, dieta, shpërblimet e famshme për largësitë nga vendbanimi që nuk i morët kurrë, madje largësia nga vendbanimi ishte teknika për t’ju nxjerrë fare nga policia, për shkak të pamundësisë.

Le të flasim pak për familjarët e të rënëve dhe të plagosurve në krye të detyrës. Na ka rënë rasti të takojnë plot prej tyre dhe jo sikur shteti u kishte borxh, po sikur u kishin borxh shtetit. Sot, familja e një dëshmori përfiton menjëherë 10 paga, sipas nivelit të detyrës dhe një pension të përjetshëm, bashkë me një sërë përfitimesh shtesë për fëmijët.

Ndërkohë që, patjetër, forcimi i burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit është domosdoshmëri, por sado t’i forcojmë burimet njerëzore nuk mund të marrësh atë që kërkon, nëse mjetet nuk kanë naftë apo nëse “gërhasin” kur ndizen. Në vitin 2016 që po mbyllet, buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme është më i larti në histori dhe investimet janë 60% më shumë, sesa në vitin më të mirë të 25 viteve me radhë.

Po jap një shembull tjetër. Grada më e ulët në polici, në vitin 2013 merrte 510 mijë lekë, sot merr mesatarisht 690 mijë lekë. Nuk mjafton. Dhe ndërkohë që, me të drejtë, mësuesit, mjekët, punonjësit e administratës publike, nivelet e lartë i administratës publike ku ne ndjejmë dobësi të mëdha dhe duam njerëz me më shumë kapacitet, sot mund të thonë “prapë policët”. Por ne besojmë që, nëse çdo rritje tjetër pagash ka impakt të drejtpërdrejtë në një sektor, rritja e pagave të Policisë së Shtetit ka impakt të drejtpërdrejtë në çdo sektor. Cili prind nuk do të donte të mos kontribuonte për Policinë e Shtetit, në këmbim të marrjes së një shërbimi më të mirë.
Unë jam i bindur që, nëse sot, Policia e Shtetit nuk ka të krahasuar me tre vjet më parë, në pesë vitet e ardhshme, Policia e Shtetit nuk do të ketë të krahasuar me sot. Nëse sot, ne kemi e ngritur kokën dhe i kemi shpallur krimit një luftë frontale, që është larg së qenit e fituar, në pesë vitet e ardhshme, kjo polici do të renditet ndër policitë më shembullore të Bashkimit Europian, për njëmijë e një arsye dhe ku më pak e rëndësishmja është qeveria. E them këtë me bindje dhe me modestinë që më imponon respektipër plot nga ata zotërinjtë që janë ulur aty sot, drejtues të vjetër policie, të cilët për herë të parë në karrierën e tyre ndihen Zot në detyrë; Të cilët për herë të parë në karrierën e tyre nuk përdhunohen në telefon as nga ministra, as nga deputetë, as nga drejtorë dhe as nga kriminelë; Të cilët, për herë të parë në detyrën e tyre nuk janë detyruar të marrin në telefon vartësit, për t’u thënë lëshoje këtë apo atë, mos e prek atë makinë, apo mos e ngacmo atë timon. Kjo nuk ndodh më dhe është një gjë e madhe në krahasim me të shkuarën.
Shumë më shumë se kaq, ne jemi të detyruar të gjithë së bashku të bëjmë dhe mbi të gjitha jemi të detyruar të gjithë së bashku, në radhë të parë, që të rrisim kapacitetin analitik të Policisë së Shtetit, të fuqizojmë trurin që e vë në veprim Policinë e Shtetit, në kuptimin e mekanizmave drejtues, në mënyrë që në 28 mijë kilometra territor të kësaj republike të vogël, por me kaq shumë probleme, të mos ketë qenie që të mund të imagjinojë se mund ta fitojë sfidën ndaj ligjit dhe ndaj Policisë së Shtetit, pavarësisht se mund ta ndërmarrë, si kudo në çdo vend të botës.

Duke ndjekur fushatën elektorale në SHBA, mendoj vazhdimisht për situatën këtu. Nuk ka ditë pa vrasje, nuk ka ditë pa përballje të egra me krimin, që përfundojnë edhe në vrasje të punonjësve të policisë. Nuk kam dëgjuar as më absurdin ndër amerikanët, që është Donald Tramp, që të sulmojë policinë. Edhe vetë Donald Tramp, që nuk ka lënë pikë pa arritur për nga absurditetet që i nxjerr goja, nuk arrin deri në atë pikë. Përfytyroni se çfarë dallimi!

Kurse këtu, për fat të keq, duket sikur ata që kanë mandatin nga populli për t’i bërë opozitën kësaj qeverie, që të përmirësohet, mezi e presin vrasjen apo ngjarjen e radhës. Përfytyroni sa heshtje dëshpëruese do kishin, sikur këtu të mos ndodhte asgjë. Do ishin në një gjendje depresioni të përhershëm. E vetmja gjë që i nxjerr nga depresioni është një fatkeqësi.

Nuk është vetëm trajtimi financiar, por janë edhe kushtet. Trajtimi financiar në fund të ditës është buxheti i çdo familjeje, ndërsa uniforma është parakushti për të qënë një punonjës policie i motivuar. Arriti puna të kishim policë me atlete, që e përdornin kapelen për të depozituar mbetjet e farave të kungullit, ndërkohë që ndalonin njerëzit nëpër udhëkryqe për t’u vënë gjoba individuale. Çfarë të bënin!? Kur i lë me atlete, duhet të vraposh dhe mund të vraposh vetëm në drejtim të paditur.

U përurua ndërtesa e Ministrisë së Brendshme, pas një procesi përbaltjeje spektakolar, a thua se opozita ka për detyrë të mbrojë në radhë të parë, liritë dhe të drejtat e merimangave që u fshinë nga tavanet e godinës. Apo liritë e të drejtat e minjve, që bënin xhiro kur vinte turni i tretë. Pa llogaritur këtu asfare, liritë dhe të drejtat e vetë atyre që ishin në godinë, të cilët jo sikur hynin në godinën më të rëndësishme të shtetit, por sikur ishin në pritje të një përgjigjeje për azil. Dhe ja ku është godina, pak metra larg, shprehje e ambicies tonë për të pasur një institucion që sigurisht nuk janë vetëm muret, por si mund të jetë institucion pa mure?!

E mbani mend edhe Komisariatin Rrugor të Tiranës. 200 mijë njerëz, gjatë një viti detyroheshin të shkonin, sikur të ishin në kufi me ndonjë vend tjetër dhe sikur i sillte aty ndonjë luftë nga e cila donin të shpëtonin, ndërkohë që torturoheshin mbrapa ca hekurave të ndryshkur, të mbetur aty, shumë e shumë kohë më parë.

Kemi dëgjuar dhe kemi jetuar disa prej nesh, radhën e qumështit, por nuk besoj se e dëgjon në ndonjë vend tjetër, jo të Europës, por kudo ku ka pak shtet, që qytetari duhet të shkojë të zëri radhën në dy të mëngjesit tek Komisariati Rrugor! Kjo ishte një nga shprehjet më kuptimplota të degjenerimit, ditën për diell, të Policisë së Shtetit.
Sot, pasi u vu dorë për herë të parë që nga viti 1981, nuk ka radhë dhe qytetarët atje janë përsëri qytetarë.

Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë që sot është më moderni në rajon, dje çfarë ishte? Si foleja e një bande, ku trupat më të specializuara dhe më të përkushtuara trajtoheshin si një kope që nisej për misione dhe mbërrinte mbrapa telefonatës që arrinte nga Ministria e Brendshme, për të kërkuarin që nuk gjendej.

Po reparti RENEA, elita e Policisë së Shtetit? Është në proces edhe shtëpia e RENEA-s, pa folur për komisariatet, shumë prej të cilave janë bërë, më shumë akoma duhet të bëhen.

82% e mjeteve të Policisë së Shtetit, jo sipas nesh, por sipas raportit të lënë nga misioni i asistencës ndërkombëtare, ishin jashtë standardit. Pa folur për teknologjinë që as nuk ekzistonte, edhe pse Shqipëria ishte shpallur në “moshën e internetit”. Mosha e internetit ishte vetëm për t’u kthyer nga plak në adoleshent në Facebook, por jo për Policinë e Shtetit.

Po ashtu salla operative e Policisë së Shtetit dhe numri unik i emergjencave, ku Tirana sot është kryeqyteti i parë në Ballkan që e ka dhe nuk ka më bjeri telefonit dhe matanë është vetëm sinjali i zënë, se recepsionisti i sallës po gërhet. I mbani mend mirë ato telefonat me ato kokat e zeza që liheshin varur, me telefonin që rrotullohej dhe bjeri se i bie bukur, se Policia është “në gjumë”. Nuk ka më! Sot ka filluar në Tiranë dhe do shtrihet në gjithë Shqipërinë. Çdo telefonatë, sot në Tiranë e merr përgjigjen në çast dhe jo vetëm për Policinë, por edhe për Urgjencës Mjekësore. Sot është e lehtë të flasësh për problemet që ka Urgjenca, por po të kthejmë kokën tre vjet më parë, nuk flitej fare për problemin e Urgjencës se nuk kishte Urgjencë dhe urgjenca bëhej me zetor, me kamion, me kamionçine, me motoçikletë, me biçikletë, se autoambulancat ishin “në gjumë”.

Të mos flasim për sportelin unik. Ju e dini mirë se në çfarë kushtesh priteshin qytetarët, nëse priteshin në mjediset e Policisë së Shtetit dhe si zhvilloheshin ngjarjet nga paraqitja e qytetarit, tek bërja e ankesës, tek marrja e ankesës dhe trajtimi i saj.

70 shërbime, 24 orë në 24 në sportelin unik, kurse tre vjet më parë ishte të gjeje një herë se ku bëhej ankesa, se të thoshin “nuk e kemi ne, dil nga rruga atje tek ai pallati me shigjeta, pastaj kthehu atje ku e ka shtëpinë filani”.

Po kamerat e trupit, që janë një risi, të cilës po ja shikojmë rezultatet dhe që duhet shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

Në fund, Komisariati Dixhital. Sot realisht, çdo qytetar që ka një celular e ka komisariatin në xhep, mjafton të çojë një mesazh dhe e ka policinë aty.
I them të gjitha këto, jo për të bërë një paradë arritjesh, por për të ardhur prapë tek financimi. Të gjitha këto janë bërë me para dhe në një vend që në të njëjtën kohë, tre vjet rresht është përballur me pengesat e jashtëzakonshme të rrugës së daljes nga kriza e trashëguar.

Me reforma shumë të vështira, me reforma të dhimbshme, me reforma që shpesh herë u çojnë njerëzve mesazhin e vështirë për t’u përtypur; prapë ti do paguash koston e keqqeverisjes së 20 e ca viteve. Nuk mjafton që e vuajtët atë qeveri, do vazhdosh ta paguash se nuk ka rrugë tjetër, nëse nuk duam që pas 25 vitesh të tjera të kemi përballë nesh, një tjetër gjeneratë njerëzish me shanse të humbura, siç ishte gjenerata e atyre që lindën në vitin 1990 dhe sot janë 26 vjeç. Të cilët e kërkuan fatin e tyre dhe vazhdojnë ta kërkojnë vetëm falë ambicies, aftësive dhe vullnetit të tyre, por kush mund t’u thotë që në këtë rrugën tënde, ja ku e kishe shtetin! Në asnjë stacion të jetës, që nga klasat, deri tek auditorët e universiteteve.

Patjetër që është stres sot të regjistrohesh në universitet, ku nuk është? Pyetja është, si mund të jetë regjistrimi në universitet pa konkurrencë dhe pa stres? Mund të jetë ashtu siç ishte; Të gjithë për vete, Zoti për të gjithë.

Për ta mbyllur me shtjellimin jo të plotë të lajmit që dha ministri, me rritjen e mëtejshme të rrogave për Policinë e Shtetit. Them jo të plotë, sepse ende duhet të finalizojmë programin e rritjes me dakordësinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili për hir të së vërtetës nuk e dëshiron një rritje rrogash dhe pensionesh, ende. Po ta marrim strikt, me llogarinë e tyre mund të kenë edhe të drejtë, sepse ende nuk jemi plotësisht të vendosur mbi themelet solide mbi të cilat të ngremë më tutje shtetin, por ama ka një gjë, që për mua është vijë e kuqe; Sot, njerëzit që i shërbejnë këtij shteti dhe që pjesa më e madhe janë përfaqësues familjesh që meritojnë të kenë më shumë duhet të marrin shpërblimin e parë për koston e reformave.

Kemi bërë reforma që të tjerët përpara nesh, jo nuk i kanë bërë, por më besoni, nuk e kanë çuar nëpër mend që mund të bëhen në këtë vend. I kemi bërë ne, por dhimbja, vështirësitë, mundimet kanë qenë tuajat. Të të gjithëve ju, jo si punonjës policie vetëm, por si familjarë; Të gjithë atyre shqiptarëve që e kanë paguar gjithë jetën energjinë elektrike; Të gjithë atyre shqiptarëve që kanë filluar ta paguajnë, të bindur se kjo është gjëja e duhur për fëmijët e tyre nesër. Pa mbështetjen e tyre, pa mbështetjen e shumicës dërrmuese të këtij populli që është dhe baza, burimi i fuqisë tonë për t’i çuar përpara, me çdo kusht, këto reforma, jemi sot, në kushtet kur mund të themi se po vendosim më në fund, një bazë që është e pathyeshme. Le të vijë nesër kush të dojë, nuk mund ta kthejë më mbrapa, këtë bazë që ne po vendosim.

Sot, prioriteti i parë i imi dhe i qeverise sonë është të ndajmë suksesin e reformave me të gjithë ata, pa të cilët reformat nuk do ishin bërë, shumica dërrmuese e popullit shqiptar. Me të gjithë ata, që në një mjedis banal, duke përballur çdo ditë sulme, agresion, baltë, kanë bërë të mundur që reformat të fillojnë të japin sukses. E ndër ta, Policia e Shtetit është e para që ka treguar se shtet në këtë vend mund të bëhet dhe së sëbashku, ne mund të bëjmë sukses.

E pra, për këto arsye, ne, në këtë buxhet të vitit të ardhshëm, pjesën kryesore do t’ia dedikojmë njerëzve, familjarëve dhe pensionistëve, punonjësve të shtetit, punonjësve të policisë, mësueseve, mjekëve, infermierëve e kështu me radhë.

Ky është detyrim moral dhe është edhe pranim i një fakti të madh. Reformat i udhëheqim ne, por ato bëhen bashkë me ju dhe ne nuk mund të themi prisni dhe disa vjet të tjerë. Sepse jemi të vetëdijshëm që, nëse sot, inspektori i policisë merr një pagë shumë më të lartë se tre vjet më parë, nuk mjafton. Ashtu sikundër ju siguroj se jam i vetëdijshëm se edhe rritja e konsiderueshme përsëri nuk mjafton.

Por është mesazhi i qartë që në këtë anije, ne jemi të gjithë bashkë dhe këtë anije, që kemi marrë përsipër ta ankorojmë në bregun e Bashkimit Europian, o e çojmë përpara të gjithë bashkë, o mbytemi të gjithë bashkë, duke mbytur një gjeneratë tjetër. Gjeneratën e fëmijëve tuaj.

Ajo që mund t’ju them sot është se projeksioni ynë për pagat, duke filluar nga inspektori, është që të ketë një rritje me rreth 15%. Kryeinspektori të ketë një rritje për t’u definuar, por mbi 10%. Nënkomisari të ketë një rritje për t’u definuar, por me ambicien për të shkuar deri në 10%. Komisari të ketë një rritje përsëri për t’u definuar, por pak më pak se sa nënkomisari. E kështu me rradhë, për të ardhur tek drejtorët, të cilët në mos do të marrin sa ministri, do t’i afrohen shumë ministrit. Ministri ka bërë punë të mirë, por nuk do ia rrisim rrogën. Aq më pak Kryeministrit.

Miqtë e mi, unë ju jam shumë mirënjohës e mos dëgjoni zhurmën e kazanit. E di që është e vështirë, se mjafton të hapësh televizorin dhe kazanin e ke në shtëpi. Por telekomanda ka shumë numra, kur shfaqet kazani, çojeni tek “Bang-Bang” dhe bëni dy gjëra në të njëjtën kohë, e para, kompensoni kohën që ju keni borxh fëmijëve tuaj; E dyta, nuk i prezantoni fëmijët me gogolin. 
Shumë faleminderit!​

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me puno​njës të Policisë së Shtetit

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet