Filimisht Kreu i Kuvendit u takua me me Kryetarin e Senatit të Pakistanit, Syed Nayyer Hussain Bokhari. Të dyja palët ranë dakord se marrëdhëniet mes dy palëve duhen rivitalizuar. Gjithashtu Meta vlerësoi njohjen e Kosovës nga Pakistani si një kontribut për stabilitetin në Ballkan, por edhe si një akt miqësie ndaj shqiptarëve në rajon.
Kryeparlamentari u takua edhe me Kryetaren e Parlamentit të Indisë, Sumitra Mahajan. Të dyja palët vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, por nënvizuan se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi dypalësh mund të përforcohet.
Në fund të takimeve Meta shkëmbeu ftesa reciproke me të dy homologët e tij, të cilat u pranuan si nga kryeparlamentari ynë ashtu edhe nga homologët e tij të Pakistanit dhe Indisë.
Meta takohet me homologun e Pakistanit: Rivitalizim marrëdhënieve mes dy vendeve
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u takua me Kryetarin e Senatit të Pakistanit, Syed Nayyer Hussain Bokhari. Meta dhe Bokhari ndanë bindjen e përbashkët se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Pakistanit duhen rivitalizuar përmes forcimit të shkëmbimeve ndër-parlamentare, rritjes së nivelit të vizitave politike dhe intensifikimit të shkëmbimeve tregtare.
Kryetari i Kuvendit, Meta, u shpreh se Shqipëria e vlerëson peshën rajonale dhe globale të Pakistanit dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin si në nivel bilateral, ashtu edhe në kuadër të platformave ndërkombëtare si Organizata për Bashkëpunimin Islamik, Kombet e Bashkuara apo përmes Unionit Ndër-Parlamentar.
Meta vlerësoi njohjen e Kosovës nga Pakistani si një kontribut për stabilitetin në Ballkan, por edhe si një akt miqësie ndaj shqiptarëve në rajon dhe vuri në dukje se Shqipëria dhe Pakistani duhet ta rrisin bashkëpunimin në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë globale.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta dhe Kryetari i Senatit të Pakistanit, Bokhari shkëmbyen ftesat për vizita reciproke, të cilat u pranuan me kënaqësi nga të dy palët.
Meta takon homologen e Indisë: Forcim të bashkëpunimit dypalësh
Kryeu i Kuvendit, Ilir Meta, pati një takim me Kryetaren e Parlamentit të Indisë, Sumitra Mahajan me të cilën vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve. Meta dhe Mahajan ndanë bindjen e përbashkët se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Indisë duhen konkretizuar dhe çuar më tej drejt një stadi më të lartë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik.
Në këtë kuadër, dy palët ranë dakord që të intensifikojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndër-parlamentar përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare.
Meta u shpreh se afrimi i mëtejshëm i dy vendeve dhe dy popujve kërkon zhvillimin e një marrëdhënieje konstante pune përmes finalizimit të marrëveshjeve dypalëshe në proces dhe përmes intensifikimit të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Në këtë kontekst, Meta shprehu vullnetin e palës shqiptare për të mirëpritur investitorët indianë në Shqipëri, e cila mund të shërbejë si një portë hyrëse për tërë rajonin e Ballkanit.
Duke biseduar rreth zhvillimeve të fundit ndërkombëtare, Kryetari i Kuvendit, Meta ripërsëriti kërkesën e Shqipërisë për njohjen e shtetit të Kosovës nga India si një kontribut, jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, por edhe në funksion të thellimit të miqësisë mes dy popujve.
Gjithashtu, dy kryeparlamentarët ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria dhe India duhet të forcojnë bashkëpunimin e tyre në planin ndërkombëtar në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në përfundim të takimit, Meta edhe me Mahajan shkëmbyen ftesa reciproke për vizita zyrtare, të cilat u mirëpritën me kënaqësi prej të dy palëve.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)