Gjergj Zefi, njëri ndër ish-themeluesit e PD komenton jo pa ironi qasjen e Eduard Selamit për t’u rikthyer në PD. “18 vjet më parë e pyetën të ndjerin Azem Hajdari në një takim elektoral se cili është mendimi i tij për Eduard Selamin i sapo arratisur në Amerike. Azemi përgjigjet me qesendi se herën e parë që shkova në Librazhd si dhëndër, gjëja e parë që më ra në sy ishte një djalë i ri që gjuante peshk mbi urën e Librazhdit. E pyes: Ke kap ndonjë peshk? Jo-më përgjigjet-por do të zë. Pesë vite më vonë-thotë Azemi-shkoj sërish në Librazhd dhe e shoh sërish djaloshin që gjuante peshk. Kurioz e pyes prapë nëse kishte kapur gjë? Jo-më thotë sërish por do zë. Ky djali i ri në Librazhd ishte Eduard Selami!”, perifrazon Zefi thënien e ish-liderit të dhjetorit. Duke shtuar se “sikur ta dinte i ndjeri Azem se ai djali vazhdon e gjuan peshk mbi urë të Librazhdit?!”. Por jashtë komentit nuk ka qëndruar as Auron Tare, aktualisht deputet i PS. “Të shesësh makina të përdorura në SHBA është punë e nderuar, të bëhesh tellali i Berishës kur të ka rrahur, përzënë nga Shqiperia e përbuzur gjithë këto vite është të jesh një njeri pa asnje fije personaliteti, shkurt legen”, shkruan Tare në facebook.