Gjermanët negociatorë për tryezë Rama-Basha? Kreu i PD: Bashkëpunim me ndërkombëtarët

Kreu i PD pas takimit me ndërkombëtarët ka komentuar edhe negociatat e mundshme me kryeministrin Rama nëse Gjermania do të ishte negociatore. Sipas Bashës, ai do të vlerësonte dhe vlerëson interesimin gjerman. Ndër të tjera kreu i opozitës ka thënë se PD është në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

"Pikërisht këtu dua të vij. Pra, kjo është një provë më shumë, a thua se duhen më shumë prova, se mali i provave është bërë më shumë se mali i Dajtit, që zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi ta thonë fjalën e tyre me një votë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Çka do të thotë një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale.Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i sotëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, zonjën (Katja) Leikert, komunikim i cili vazhdon intensivisht, në mënyrë pothuajse të përditshme, dhe do të vazhdojë, edhe në ditët e javët në vijim. Një gjë është e sigurtë, opozita e bashkuar dhe Partia Demokratike janë të vendosura në qëllimin që i kanë vënë vetes prej ditës së parë. Ky qëllim është t’i shërbejë interesit të qytetarëve dhe jo zgjidhjeve artificiale për hir të karrigeve tona apo të pushtetit tonë. Zgjidhja e kësaj krize duhet të vijë përmes pushtetit të atyre mekanizmave dhe atyre garancive që do të pengojnë çdo qeveri të ardhshme të bjerë në të njëjtin batak. Ky është misioni im, ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i opozitës së bashkuar. Opozita ka vazhduar gjatë gjithë verës aksionin e saj, përfshirë edhe protestat, dhe do të vijojë të bëjë të njëjtën gjë. Por së bashku me qytetarët shqiptarë, opozita, përveç protestave, që do të jenë edhe më të mëdha, edhe më të fuqishme, në një situatë që është edhe më e vështirë, edhe më e pakapërdishme për njerëzit, siç është kjo e sotmja, me ekonominë, me gjendjen e një krize totale, me buxhetin e vjedhur e të grabitur, me taksa të rritura edhe më shumë, që parashikoj e parathonë protesta edhe më të fuqishme, paralelisht me këto do të fokusohemi edhe më shumë në zgjidhjet që do t’u ofrojmë shqiptarëve, zgjidhje të cilat do të jenë si në rrafshin e përditshmërisë së tyre, ku po punojmë intensivisht, në kuadër të programit tonë për marrëveshje me të gjitha grupet e interesit, duke vijuar në shtator me biznesin e vogël dhe me fermerët, dhe më vonë edhe me grupet e tjera të interesit, dhe nga ana tjetër platformën për Shqipërinë si Evropa, që do të thotë se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë gati dhe janë gati që bashkë me shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, duke përfshirë edhe socialistët e ndershëm, të dëshmojnë kapacitetet dhe vendosmërinë tonë për t’u dhënë fund problemeve të cilat kanë bllokuar perspektivën evropiane të Shqipërisë, në veçanti luftën kundër krimit të organizuar, dekriminalizimin e plotë të politikës dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin, siç është rasti i dosjeve 184 dhe 339, për të cilat më kot ata që duhet dhe do të dalin para drejtësisë shpresojnë se do t’i varrosin me vapën e gushtit." ka thënë Basha. 


Lajmi kryesor:

Basha paralajmëron protesta pas takimit me ndërkombëtarët: Jemi shumicë, plan për në BE


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë