37-vjeçari shqiptar dhunon për vdekje ish-gruan e tij në një parking në sy të klientëve në Gjermani

37-vjeçari shqiptar dhunon për vdekje ish-gruan e tij në një parking në sy të klientëve në Gjermani

Pamje nga vendi ku u vra 28-vjeçarja Jetmira Beka

Një 28-vjeçare shqiptare e Kosovës ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj. Raportohet se çifti janë nga Mitrovica, ndërsa viktima është identifikuar si Jetmira Beka, nënë e tre fëmijëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi në parkingun e një marketi në Aachen të Gjermanisë, mbrëmjen e së shtunës. Disa orë më vonë në polici u dorëzua një 37-vjeçar, ish-bashkëshorti i të ndjerës, që dyshohet se e vrau atë, raporton “Bild”.

Kryeprokurorja e Aachenit, Katja Schleknermann-Pitts bëri të ditur të hënën për “Bild”, se bëhej fjalë për një çift që ishin ndarë. Ajo tha më tej se nuk dihen ende motivet e vrasjes.

Krimi ndodhi rreth orës 19:00 të së shtunës në mbrëmje, në sy të klientëve. Policia kishte rrethuar vendin e krimit dhe zonën përreth.

Jetmira Beka

Çifti ishin divorcuar për shkak të dhunës që ish-burri kishte ushtruar ndaj 28-vjeçares.

Në momentin e vrasjes së Jetmirës, ishte e pranishme edhe motra e saj. I dyshuari ndodhet në paraburgim që nga e diela.

Në vendin e krimit u vendosën lule

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:21
E bija u masakrua me thikë nga bashkëshorti në Gjermani, flet nëna e 28 vjeçares: Ishin ndarë prej 2 muajsh, e ka torturuar me kabllo dhe me thikë

1684856054_jetmirabeka.JPG

E ëma e 28 vjeçares, Jetmira Beka e cila u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj, Besmir Ademi në Gjermani, ka rrëfyer se e bija ishte torturuar nga mënyrat më çnjerëzore nga i shoqi i saj i cili nuk pranonte divorcin. Mes të tjerash ajo tha se Besmir Ademi e kishte kërcënuar edhe me vrasjen e të bijës nëse do të firmoste për t’u divorcuar.

“Ai s’ka mundur ta përballojë atë pse kjo ndahet prej meje. Ajo është rrahur me kabull të televizorit. Është rrahur me thikë në fytë, me çelësa të makinë. I ka thënë që nëse ndahesh prej meje, ka me ta pre çikën, Ledinën. Që çika, Ledina i ka 7 vjet”, tha ajo.

Në një intervistë të dhënë për mediat e Kosovës, e ëma e Jetmira Bekës, tha se prej 8 vitesh e bija kërcënohej nga familjarët e Besmir Ademit.

“Që prej 8 vitesh e kërcënuar prej tyre, jo e vrasim sot, jo e vrasim nesër. Nëse ti thua diçka në familjen tënde, ose ndahesh prej meje. Ai ka përdor dhunë fizike, dhunë psiqike. Ai ka përdor dhunë që nuk e përdor një serb, se s’po du me përdor fjalën serb se edhe ai është popull, por unë e kam babën e zhdukur prej Serbisë. Po nuk e përdor dhunën që e përdor Besmir Ademi. Ky është nipi i avokatit Sheremet Ademi. Sheremet Ademi që i mbron të drejtat e njeriut, s’ka qenë në gjendje me na thirrë me thanë ka ndodhur çfarë ka ndodhur, na vjen keq, edhe Jetmirën, që ka qenë një çike që nuk mundesh me e gjet në trojet shqiptare, s’ka thirrur me na kërku falje”, tha ajo.

Ajo rrëfen se vajza e tij është ndarë që dy muaj nga burri, me ndërhyrjen e shtetit gjerman.

“Jetmira është ndarë që dy muaj prej tij. E ka ndarë shteti gjerman për shkak të dhunës që ka përdorur Besmir Ademi. Jetmira ka ikur prej shtëpisë. Policia e ka kthyer Jetmirën në shtëpi se i ka tre fëmijë. Pas 10 ditëve, shteti e ka marrë Jetmirën e ka çuar në shtëpinë e grave”, tha ajo më tej.

Ora 12:27
Flet familjari i 28-vjeçares që u vra në Gjermani: Ish-burri plagosi edhe motrën e viktimës

1684837765_jetmira.JPG

Familjari i 28-vjeçares shqiptare që u vra nga ish-burri të shtunën në mbrëme në Gjermani, është shprehur se gjatë martesës Jetmira Beka është përballur me dhunë nga ish-bashkëshorti, veprime të cilat bën që çifti të shkurorëzohet.

“Viktima ka qenë e martuar, por për shkak të dhunës që ka ushtruar ish bashkëshorti i saj janë ndarë”, ka thënë ky familjar.

Ai tregoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur në një parking të një marketi në Gjermani, ku siç u shpreh ai “E ka vrarë 28-vjeçaren duke e goditur, dhe ka lënë të plagosur edhe motrën e saj 18 vjeçare”.

Ai theksoi se varrimi i viktimës do të bëhet në Kosovë, ndërsa tregoi se viktima la pas vetes tre fëmijë.

“Po presim që varrimi të bëhet në Kosovë, kur ta sjellin trupin e të ndjerës. Viktima ka lënë tre fëmijë të vegjël. Më i madhi është në klasë të parë”, tha familjari i viktimës për Telegrafin.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren