Gjermani/ A do të kthehet shërbimi ushtarak me detyrim?

Gjermani/ A do të kthehet shërbimi ushtarak me detyrim?

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius

Që nga pezullimi i rekrutimit në vitin 2011, Bundeswehr-it i mungojnë ushtarë. Në vend që të punësonte më shumë personel, Bundeswehri filloi të zvoglohet.

Në mars, statistikat regjistruan vetëm 181,123 rekrutë. Sipas planeve të ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius (Partia Socialdemokrate e Gjermanisë SPD), kjo tani duhet të ndryshojë. Premtimi i Gjermanisë për NATO-n: deri në vitin 2031, Bundeswehri duhet të numërojë 203.000 ushtarë, e më vonë ndoshta edhe 240.000.

Ministri i Mbrojtjes Pistorius ka thënë vazhdimisht, se Bundeswehri duhet të bëhet më në fund "gati për luftë". Pistorius flet për një situatë të re kërcënuese. "Rusia po bën luftë," u tha ai gazetarëve në Berlin të mërkurën (13.06.2024).

Siç tha ai, Rusia do të jetë në gjendje të sulmojë një nga anëtarët e NATO-s në vitin 2029. Pistorius kaloi muaj për të përgatitur konceptin e tij për shërbimin e ri ushtarak që tani e prezantoi në Berlin. Megjithatë, nuk flitet më për shërbimin e detyrueshëm ushtarak: "Ne parashikojmë shërbimin selektiv ushtarak. Për shërbimin ushtarak duhet të zgjidhen më të përgatiturit, më të përshtatshëm dhe më të motivuarit", shpjegon Pistorius.

Problemi: infrastruktura e kufizuar

Koncepti i Pistorius nuk përfshin rekrutimin e përgjithshëm ushtarak. Fillimisht, kërkesa e vetme është që 18-vjeçarët të plotësojnë një pyetësor. Ky është një detyrim për meshkujt, por jo edhe për gratë. Ata që kontaktohen duhet të shpjegojnë nëse në përgjithësi do të ishin të gatshëm të shërbenin në ushtri. Kjo do të zgjaste gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje deri në 23 muaj. Pistorius vlerëson se rreth 400.000 burra do të duhet të plotësojnë pyetësorin çdo vit. Ai shpreson që një e katërta e tyre mund të shfaqin interes. Është planifikuar që rreth 40.000 kandidatë të ftohen për provim, gjegjësisht kontroll të aftësive të tyre fizike dhe mendore. Pjesëmarrja në rast ftese është e detyrueshme. Sigurisht, e drejta për të refuzuar më pas shërbimin ushtarak ekziston ende.

Çështja e kapaciteteve të mjaftueshme për montim dhe trajnim të plotë mbetet e paqartë. "Faktori kufizues”, sipas Pistorius, është infrastruktura e kufizuar. Kjo do të thotë kazerma, instruktorë, pajisje. Vlerësohet se për të arritur objektivin e 5000 rekrutëve shtesë në vit, do të nevojiteshin rreth 1.4 miliardë euro. Pistorius gjithashtu llogarit në një rritje të numrit të të ashtuquajturve rezervistë, kryesisht ata që shërbyen para pezullimit të shërbimit ushtarak në 2011. Ai dëshiron të kontaktojë me ta dhe shpreson të rrisë numrin e rezervistëve me 200.000 njerëz.

Shërbimi ushtarak "gjysmë vullnetar"

Këto plane i bëjnë forcat vullnetare të Bundeswehrit gjithnjë e më pak vullnetare. Për Hans-Peter Bartels, megjithatë, koncepti i Pistorius mund të jetë vetëm hapi i parë. Ai është president i Shoqatës për Politikë të Sigurisë, dhe më parë ka qenë komisioner i mbrojtjes i Bundestagut gjerman. Në një intervistë për DW, Bartels shprehet qartë se vetëm pyetësori "nuk e zgjidh problemin”. "Pyetësori është aty për ta plotësuar. Dhe nëse keni dyshime, plotësoni që të mos ju prekin më. Mund t'i ndryshojë pak gjërat, por si rregull nuk ndryshon asgjë."

Bartels sheh një problem tjetër: parimin e drejtësisë në rekrutim; do të thotë se burrat dhe gratë janë njëlloj përgjegjës. Sipas kushtetutës, shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani aktualisht prek vetëm burrat. "Nëse do të donit të arrinit atë që dëshiron ministri, do të duhej të ndryshonit Kushtetutën. Dhe Pistorius e di këtë. Siç është tani, plani i tij nuk funksionon," thotë Bartels.

Me riarmatimin e Republikës Federale të Gjermanisë në mesin e viteve 1950, burrat nga mosha 18 vjeç u rekrutuan në shërbimin ushtarak. Ideja: ushtarët duhet të jenë "qytetarë me uniformë”. Në verën e vitit 2011, shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani u pezullua, por nuk u shfuqizua. Në atë kohë, Bundeswehri do të reduktohej. Por në rast të ndonjë tensioni apo nevoje për mbrojtje, rekrutimi mund të aktivizohet sërish. Sot, Bundeswehri është një ushtri vullnetare në të cilën shërbejnë edhe gratë. Që në fillim, Boris Pistorius kritikoi pezullimin e shërbimit ushtarak, madje e quajti atë një "gabim”.

Gjermanët duan rekrutimin

Nëse i pyet gjermanët nëse vendi ka nevojë përsëri për shërbimin ushtarak, shumica është e mendimit: Po! Një sondazh i fundit i institutit të kërkimit të opinionit publik YouGov për të përditshmen "Welt am Sonntag" tregoi se 60 për qind ishin në favor të rekrutimit të përgjithshëm.

Politikanët reaguan mjaft të rezervuar ndaj konceptit të paraqitur të Pistorius. Sidomos në koalicionin qeverisës të SPD, të Gjelbërve dhe Liberalëve (FDP). Politikani i SPD-së Boris Pistorius po përballet edhe me rezistencë brenda partisë së tij. Kancelari Olaf Scholz ishte i rezervuar që në fillim. Kreu i SPD, Lars Klingbeil foli në favor të vazhdimit të mbështetjes në rekrutim vullnetar. Edhe partneri i koalicionit të gjelbër është mjaft skeptik. Kreu i FDP-së, Christian Lindner, shkroi në X: "Në vend të rekrutimit të ri, ne duhet të bëjmë më shumë njerëz të interesuar të shërbejnë në Bundeswehr dhe të forcojmë rezervën." Pistorius mori mbështetje në parim nga radhët e opozitës Kristiandemokrate Unioni CDU/CSU. Megjithatë, Bashkimi do të donte më shumë detyrime dhe më pak vullnetarizëm.

Eksperti i mbrojtjes Hans-Peter Bartels përmbledh situatën për DW: "Koncepti nuk është një goditje e plotë, por fillimi i një ndryshimi që na thotë se kemi nevojë urgjente për më shumë ndryshime." Është e qartë se idetë e Pistorius janë kryesisht vetëm - ide. Tani fillon diskutimi i vërtetë social dhe politik rreth konceptit të Pistorius./ DW

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)