Gjermani/ A është funksional Bundeswehri? Ministrja e Mbrojtjes: Nëse 'Puma' nuk është operacionale, s'është as ushtria! Trupat të mbështeten në sistemet e armëve

Gjermani/ A është funksional Bundeswehri? Ministrja e Mbrojtjes: Nëse 'Puma' nuk është operacionale, s'është as ushtria! Trupat të mbështeten në sistemet e armëve

Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht

Ushtria gjermane u përball me një tjetër skandal të hënën, pas publikimit të lajmeve gjatë fundjavës se gjatë një stërvitjeje me tanket e saj më të mirë Puma, asnjë i vetmi nuk rezultoi në funksion. Opozita konservatore u hodh shpejt në sulm kundër qeverisë duke e akuzuar për keqmenaxhim të Bundeswehr-it nga Kancelari Olaf Scholz, veçanërisht nën kontrollin e Ministres së Mbrojtjes Christine Lambrecht.

"Është një makth," tha nënkryetari i grupit parlamentar të demokristianëve (CDU), Johann Wadephul për programin e parë televiziv gjerman, ARD. "Puma supozohet të jetë sistemi kryesor i armëve të ushtrisë gjermane. Dhe nëse Puma nuk është operacionale, atëherë ushtria nuk është operacionale." "Kritika nga parlamenti është plotësisht e justifikuar," tha Lambrecht në deklaratën e lëshuar të hënën. "Trupat tona duhet të jenë në gjendje të mbështeten në sistemet e armëve që janë të fuqishme dhe të qëndrueshme në luftime."

Lambrecht tha se ajo kishte porositur departamentet përkatëse të ushtrisë dhe prodhuesit Krauss-Maffei Wegmann dhe Rheinmetall që deri në fund të javës së ardhshme t'i dorëzonin një analizë të asaj që ka shkuar keq. Në stërvitjet e NATO-s tani do të përdoren tanket më të vjetra të tipit Marder, tha ajo.

Raportet për mungesë municioni

Dështimi total i Puma-s nuk është kurrsesi e vetmja mangësi alarmuese në ushtrinë gjermane. Së fundmi u raportua në media të ndryshme se Bundeswehr kishte municion vetëm për dy ditë luftime intensive. Shifra me sa duket doli nga burime të paidentifikuara nga qarqet e mbrojtjes. Nëse është e vërtetë (gjë që nuk mund të konfirmohet pasi është një sekret shtetëror), rezervat e municioneve të Gjermanisë janë shumë më poshtë standardeve të NATO-s, e cila kërkon që çdo vend anëtar të ketë një rezervë municioni 30-ditor. Sipas ekspertëve të mbrojtjes, Gjermania do të duhej të investonte 20 deri në 30 miliardë euro vetëm për të kompensuar këtë mangësi.

Por ushtria gjermane ka edhe ngushtica në fusha të tjera. Gjendja e pajisjeve të Bundeswehr-it ka qenë prej kohësh një temë shqetësuese: historitë e tankeve dhe helikopterëve që kishin nevojë për riparim, armët që nuk qëllojnë siç duhet dhe ushtarët që duhet të stërviten në të ftohtë pa të brendshme termike kanë mbushur mediat prej vitesh.

Pas sulmit rus në Ukrainë, kancelari Olaf Scholz njoftoi një "pikë kthese" që u përshëndet nga shumë brenda dhe jashtë vendit si një pikë kthese në politikën e jashtme dhe strategjinë ushtarake të vendit.

Për të vërtetuar se sa seriozisht e kishte, Scholz njoftoi një rritje të buxhetit vjetor të mbrojtjes, duke e bërë atë më të madhin në të gjithë Evropën dhe një fond special prej 100 miliardë eurosh për modernizimin e ushtrisë.

Industria dhe politika fajësojnë njëra-tjetrën

Rreth dhjetë muaj më vonë, lind pyetja se ku shkoi ky breshër parash. Mosmarrëveshja e municioneve ndezi tashmë një argument të pakëndshëm midis qeverisë dhe industrisë gjermane të armatimit se kush duhet të kishte marrë iniciativën: A i takon industrisë të rrisë kapacitetet fillimisht, apo qeveria duhet të bëjë porositë më shpejt?

"Ajo që unë pres tani nga industria e armatimeve është ndërtimi i kapaciteteve," tha Lars Klingbeil, kryetar federal i SPD, për ARD. "Por ata nuk mund të rrinë duarkryq e të presin derisa të marrin porosinë nga shteti. Ky nuk është një qëndrim me të cilin ne mund t'i mbushim me sukses këto boshllëqe." Dhe ai shtoi: "Nëse industria gjermane e armatimit nuk mund ta menaxhojë këtë, atëherë do të duhet të shohim se çfarë mund të blejmë jashtë vendit, për shembull nga vendet e tjera të NATO-s."

Klingbeil e ka "shumë gabim", ky ishte reagimi i menjëhershëm i Hans Christoph Atzpodien, Drejtor i Përgjithshëm i Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane të Sigurisë dhe Mbrojtjes (BDSV). Atzpodien i tha agjencisë gjermane të shtypit, dpa, se kompanitë e mëdha gjermane të armatimit kishin dyfishuar tashmë kapacitetet e tyre në javët pas fillimit të luftës në Ukrainë.

"Është qesharake zhurma e madhe që po bëhet midis industrisë së mbrojtjes dhe qeverisë," thotë Rafael Loss, analist i mbrojtjes në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), në një intervistë për DW. Ai kujton rregulloret që pengojnë kompanitë e mbrojtjes të prodhojnë në mënyrë proaktive armë ose t'u kërkojnë bankave hua pa një mandat qeveritar.

Ai thotë se Gjermanisë i mungon ndjesia e emergjencës për t'iu përgjigjur implikimeve gjeopolitike të luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë. "Vendet e tjera, veçanërisht në Evropën Lindore, kanë qenë shumë më të shpejtë në ngritjen e grupeve të duhura të punës qeveri-industri," thotë Loss.

Pyetje rreth besueshmërisë së Gjermanisë

Edhe tani, partnerët e NATO-s në Evropën verilindore janë të shqetësuar se nuk mund të mbështeten më tek Gjermania si partner ushtarak. "Ne jemi gati të japim jetën. A jeni edhe ju?" pyeti kolegët e tij evropianë në një konferencë në Berlin në fund të tetorit, ministri letonez Artis Pabriks. Duke folur drejtpërdrejt me gjermanët, ai tha: "Shumëçka do të varet nga fuqia ushtarake e vendit tuaj dhe, më vjen keq, por ju për momentin nuk keni fuqi ushtarake."

"Për të qenë i drejtë me Scholz, mendoj se fjalimi i tij për "kthesën epokale” tregoi se ai ishte i vetëdijshëm për këtë sfidë të rëndësishme," thotë Loss. "Por duket se Ministria e Mbrojtjes dhe institucione e tjera nuk janë në gjendje të mbajnë të gjithë këta kunguj nën sqetull."

Furnizimet kanë filluar

Kabineti Scholz megjithatë i ka bërë porositë e rëndësishme.  Gjermania ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë 35 avionë luftarakë F-35 të prodhimit amerikan për të zëvendësuar flotën e saj të vjetër me Tornado, me një kosto prej 200 milionë euro për çdo avion. Por avionët nuk priten të jenë gati para vitit 2027.

Prokurimi i furnizimeve ushtarake është gjithmonë i gjatë dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore përballen me probleme të ngjashme në rindërtimin e strukturave të tyre në kohë paqeje. Nga çorapet te avionët luftarakë, pothuajse gjithçka që i nevojitet ushtrisë duhet të porositet njëherë e më pas të prodhohet. "Disa sisteme nuk mund të shkosh t'i marrësh nga raftet e dyqaneve," tha ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht në debatin e fundit mbi buxhetin në Bundestag.

"Për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm të municioneve për armët e dorëzuara në Ukrainë dhe në të njëjtën kohë për të rindërtuar Bundeswehr-in në masën e kërkuar," thotë Loss, "kemi nevojë për rreth 15 herë më shumë municion."

Por ka shumë probleme afatgjata. Në dekadat e fundit, Forcat e Armatosura Gjermane kanë shitur shumë nga bunkerët e magazinimit që kishte që nga koha e Luftës së Ftohtë. Kjo do të thotë se edhe nëse ushtria do të kishte 30 ditë municione të mandatuara nga NATO, do të kishte vështirësi të gjente një vend për t'i ruajtur ato.

Çorape për Krishtlindje, Puma për Pashkë?

Eksperti i mbrojtjes Loss i quan "fjalë boshe” kritikat e opozitës kristian-demokrate. "Gjërat nuk ishin ndryshe në 16 vitet e fundit kur CDU ishte në pushtet”, thotë ai. "Është interesante të shohësh SPD dhe CDU që fajësojnë njëra-tjetrën për gjendjen e trishtuar të Bundeswehr-it, por unë mendoj se ato mbajnë të dyja të njëjtën përgjegjësi”.

E ngarkuara e Bundeswehr-it, Eva Högl, së fundi foli në një intervistë për të përjavshmen gjermane "Die Zeit" për një kombinim të mungesës së efikasitetit logjistik, vështirësive të shkaktuara nga pandemia dhe inercia burokratike: "Për fat të keq, ndonjëherë ka edhe indiferencë dhe mosinteresim ndër zyrtarët përgjegjës për Bundeswehr-in: 'Nuk kemi, kini durim, nuk është edhe aq e rëndësishme, do t'jua dërgojmë më vonë', këto janë justifikime që i dërgojnë ushtarët gjithë kohës për gjëra të tilla.

Disa pengesa burokratike tani po hiqen: Do të ndryshojë mënyra e dhënies së porosive më të vogla, në të ardhmen nuk do të ketë nevojë që porositë të jepen pas një procesi tenderimi në të gjithë Evropën, veç kësaj komandantët do të lejohen të shpenzojnë deri në 5.000 euro pa pasur nevojë të kalojnë një procedurë prokurimi zyrtar.

Qeveria gjermane ka premtuar edhe se pajisjet bazike duhet të dorëzohen deri në fund të vitit. Me pak fat, ushtarët gjermanë mund t'i marrin çorapet e tyre të reja qysh para Krishtlindjeve. Santa Claus nuk do të jetë në gjendje të sjellë Puma funksionale këtë vit, por nëse gjërat shkojnë mirë, këtë mund ta realizojë lepurushi i Pashkëve në vitin 2023./DW

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 20/12/2022 09:37

    Hahahah hajde Gjermani paske ik dhe ti per lesh bubi mbahesh dhe si lokomotiva e Europes pa le , e paske katandis ushtrine si ajo e Shqiperise cop cop . Dmth Rusia qe po ben lufte prej 10 muajsh dhe me gjithe keto sanksione qe ka i bie te jete vend vertet me kellqe dhe jo si na e pershkruani ju ne media gjoja skane buke te hane nderkohe qe po luftojne me gjithe vendet e perendimit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Kontrabandë bagëtish dhe cigaresh nga Greqia, 2 të arrestuar dhe 2 të tjerë nën hetim

Korçë/ Kontrabandë bagëtish dhe cigaresh nga Greqia, 2 të arrestuar dhe 2 të tjerë nën hetim