Sipas informacioneve të NDR, disa dronë u panë mbi Brunsbüttel, zonë industriale për kompanitë në sektorët kimikë dhe të naftës këtë të premte.
Kështu vazhdon seria e fluturimeve të paautorizuara të avionëve pa pilot. Gazeta "Bild" dhe revista "Der Spiegel" raportuan për herë të parë të enjten, se Gjermania, Brunsbüttel (rrethi Dithmarschen), besohet të ishte objektivi i një sulmi spiunazhi.
"Zyra e prokurorit publik të Flensburgut konfirmon fillimin e procedurave paraprake për dyshimin e aktivitetit të sabotazhit agjenturor në lidhje me fluturimet e përsëritura me dronë mbi infrastrukturën kritike në Schleswig-Holstein", u bë e ditur. Detaje të tjera nuk u dhanë
Zona industriale, terminali LNG dhe centrali bërthamor i çmontuar janë të prekur
Departamenti i Policisë Itzehoe (Distrikti i Steinburgut) tha gjithashtu se kishte marrë informacione për fluturime potencialisht të paautorizuara me dron dhe ishte duke hetuar. Sipas informacioneve të tyre, dronët u panë duke filluar nga 8 gushti. Sipas policisë, janë prekur prona industriale e Brunsbüttel-it, terminali i ri LNG dhe termocentrali i mbyllur bërthamor Brunsbüttel. Në rastin e fundit, zona e ndalim-fluturimit është shkelur disa herë. Vetë industria nuk pranoi të komentojë incidentet.
Stacioni NDR i landit Schleswig-Holstein kishte raportuar që më 13 gusht se policia po hetonte fluturimet e paparalajmëruara me dron në ditët e mëparshme. Megjithatë, policia fillimisht kishte besuar se këto ishin fluturime private të paparalajmëruara. Pasuan fluturime të tjera me dron, i fundit prej të cilave ndoshta ndodhi të enjten mbrëma.
Autoritetet federale dhe shtetërore janë gjithashtu të përfshira në hetim. Sipas Ministrisë Federale të Brendshme, përgjegjëse për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, Policia Federale dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale po ofrojnë mbështetje. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura Gjermane po i japin policisë të dhëna radari për të plotësuar tablonë e situatës. Kjo është pjesë e detyrës së vazhdueshme të sigurisë së hapësirës ajrore. Një zëdhënës i Komandës Territoriale të Bundeswehr-it në Berlin shtoi se kjo ndihmë administrative është dhënë që nga e hëna e kaluar.
Eksperti i sigurisë: "Kjo mund të bëhet shpejt e rrezikshme"
Henrik Schilling nga Instituti për Politikat e Sigurisë në Universitetin e Kielit i tha stacionit NDR Schleswig-Holstein se dronët e këtij lloji mund të përbëjnë një kërcënim për infrastrukturën. Sipas tij, rasti tregon se infrastruktura kritike është e cënueshme. "Jo vetëm në kuptimin e nisjes së një sulmi fizik, por edhe në kuptimin e spiunimit dhe demonstrimit se është relativisht e lehtë të fluturosh me dronë mbi ta”. Aktualisht, mbrojtja nga kjo situatë është e mundur vetëm në një masë të caktuar.
Schilling gjithashtu vuri në dukje se nuk do të ishte rasti i parë i spiunimit të infrastrukturës potencialisht kritike. "Duhet të mendoni se çfarë mund të vijë më pas. Sigurisht, dronët gjithashtu mund të mbajnë objekte, jo vetëm kamera. Kjo mund të bëhet e rrezikshme shpejt."
Dronë rusë mbi parkun kimik Brunsbüttel?
Sipas raportimeve të mediave, dronet e vërejtur mund të jenë drone rusë Orlan-10, por ky është spekulim i pakonfirmuar. Ky dron do të kishte një rreze të gjatë, rreth 600 kilometra dhe mund të arrinte shpejtësi deri në 100 kilometra në orë. Kjo do t'i lejonte aao të niseshin nga anije civile para bregut. Dronët e vërejtur besohet se kishin fluturuar vërtet me atë shpejtësi. Sipas revistës "Der Spiegel", një pajisje speciale kishte dështuar në përpjekjen e saj për të lokalizuar dronët.
Autoritetet vazhdojnë hetimet. Niclas Dürbrook, zëdhënësi i politikës së sigurisë të SPD, tha: "Këto janë raporte shumë shqetësuese. Është mirë që qeveria federale dhe ajo e landit tani po punojnë së bashku për të sqaruar sfondin." Prandaj, çështja e dronëve do të debatohet në Komisionin e Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë më 4 shtator. Policia po ndërgjegjëson popullatën për të raportuar incidente të mundshme./DW