Gjermani/ Ekstremistët e djathtë kanë gati listat e armiqve

Gjermani/ Ekstremistët e djathtë kanë gati listat e armiqve

Ruben Neugebauer është ambientuar prej kohësh me kërcënimet me vdekje. Ai punon për organizatën "Sea-watch", që shpëton refugjatët e rrezikuar nga mbytja në Mesdhe dhe i sjell ata në Europë. Me këtë angazhim ai nuk bën vetëm miq.

"Prej vitesh ne na kërcënojnë me vrasje, madje jemi konfrontuar edhe me kërcënime konkrete, kjo është diçka me të cilën na duhet të jetojmë tani", i tha ai DW-së. Që emri i tij është shfaqur në listat e armiqve të ekstremistëve të djathtë, kjo nuk e befason atë.

Ndërsa Mark Heinrich është i shokuar. Emri i tij po ashtu ndodhet në listat e armiqve si ai i Ruben Neugebauer-it. Por një gjë të tillë ai nuk e ka mësuar prej policisë, por nga Deutsche Welle. Ai është tërësisht i shtangur kur e mëson këtë. "Spontanisht mendoj, se mos vallë qysh tani më duhet të kem me vete spërkatësin me pluhur lotësjellës apo të mbrohem në ndonjë mënyrë tjetër?"

Mark Heinrich është mësues, deri tani ai nuk ka pasur të bëjë me ekstremistët e djathtë. Por në një blog të tij ai u pozicionua qartazi kundër partisë populiste të djathtë AfD dhe si rrjedhojë atij iu dërguan mesazhe urrejtje. Kjo mund të jetë arsyeja, përse tani ai është futur në listën e armiqve, hamendëson Heinrich. Ai nuk do të identifikohet me emrin e tij të vërtetë - nga frika se mund të vihet edhe më fort në shënjestër.

Neonazis greifen noch öfter zur Waffe (Nic Frank)

Qëllimi: Përhapja e frikës dhe tmerrit

Politologu Hajo Funke prej vitesh investigon ekstremizmin e djathtë. Sipas Funke, përpiluesit e listave të tilla ndjekin paralelisht disa qëllime: "Ajo që ata bëjnë me këtë është natyrisht përhapja e frikës e tmerrit, të paktën e kanë këtë si qëllim", thotë Funke. Por listat mund të shërbejnë edhe për të vepruar në "ndonjë sektor të rrezikuar konkretisht", sikurse ndodhi në rastin e vrasjes së politikanit kristiandemokrat, Walter Lübcke.

Deputeti kristiandemokrat dhe president i qeverisë së landit në Kasel ishte piketuar në një nga këto lista dhe para disa muajsh u vra prej një dorasi ekstremist të djathtë. Sipas Funke listat mund të jenë të përgatitura edhe për të ashtuquajturën dita X - "dita", në të cilën ekstremistët e djathtë shpresojnë të marrin pushtetin. Në një rast të tillë listat duhet të shërbejnë për të gjetur personat e për t'i bllokuar ata", thotë Funke.

Lista, në të cilën ndodhen edhe emrat e Mark Heinrich dhe Ruben Neugebauer mban titullin "wirkriegeneuchalle" (ne do t'ju kapim ju të gjithëve) dhe përmban të dhëna për rreth 200 persona. Përpiluesi i saj është i panjohur, kjo listë në interent qarkulloi vetëm për disa orë.

DW e ka në dorë këtë listë: Në të nuk ka thjesht emra, por krahas adresave ajo përmban edhe komente e ofendime. "Antikapitalist kaqol", "I majtë kokëtul", "Demonstrues i fëlliqur" – urrejtja shprehet qartë. Personat në listë janë kryesisht aktivistë, gazetarë, të majtë dhe politikanë ekologjistë.

Ka shumë lista të tilla: P.sh. një grup esktremist i djathtë me emërtimin 'Nordkreuz' hakeroi faqen e internetit të një tregtari të majtë pank që zhvillonte tregti me postë dhe të 25.000 adresat e përftuara i përfshiu në një listë. Prej kohësh është edhe një portal online, që është fokusuar kryesisht tek njerëzit e besimit hebre: Në platformën 'judas.watch', jo vetëm që klasifikohen gjoja "armiqtë" në kategori A (mjaft i urryer) deri në D, por njerëzit damkosen edhe me një yll të Davidit.

Deutschland Bundesministerium des Inneren in Berlin (picture-alliance/dpa/W. Rothermel)

S'ka rrezik konkret?

Ministria e Brendshme vë në dukje, se e ka verifikuar shkallën e sigurisë së këtyre listave. Në një deklaratë për shtyp thuhet, se "deri tani nuk ka indikacione konkrete, që të prekurit të jenë të rrezikuar drejtpërdrejt. Sipas vlerësimit të ministrisë ndaj personave dhe institucioneve të listuara aktualisht nuk ka rrezik."

Si rrjedhojë u është lënë në dorë zyrave të kriminalistikës të landeve, që të vendosin nëse do t'i kontaktojnë ose jo të prekurit. Një rregull unik për mbarë Gjermaninë nuk ka. Efekti është, se p.sh. ai që jeton në Mynih e mëson më shpejt, nëse ndodhet në listat e armiqve se sa dikush që jeton në Berlin.

Helga Seyb nga qendra e konsulencës në Berlin "Reachout" e konsideron pakujdesi qendrimin e policisë dhe të Ministrisë së Brendshme ndaj këtyre listave. Sipas saj, këto lista paraqesin një rrezik: "Grumbullohen të dhëna dhe këto të dhëna natyrisht që duhet edhe të përdoren. Ndoshta nuk është tani e rrezikshme, por në një moment të caktuar ato mund të bëhen të rrezikshme", thotë ajo për DW.

Sa të rrezikshme janë listat?

Politologu Hajo Funke mendon, se rreziku varet prej llojit të listës dhe ka dallim nga personi në person. Në një listë me 25.000 persona që është nxjerrë nga hakerimi i një faqeje interneti, nuk janë të gjithë të rrezikuar.

Por listat e vogla, si ajo "wirkriegeneuchalle", në të cilën qëllimisht janë kërkuar adresat dhe janë vendosur online, rreziku për të prekurit është më i madh. "Ata janë tani të rrezikuar drejtpërdrejt. Nëse autoritetet e sigurisë do të vepronin si duhet, do të duhej që ata ta vlerësonin këtë situatë dhe ta bënin atë publike", thotë Funke.

Për njerëzit në këtë listë frika, zhgënjimi dhe indinjata është e madhe. Ruben Neugebauer thotë: Autoritetet na kanë lënë në baltë. Ministria e Brendëshme nuk e ka kuptuar rrezikun që rrjedh prej këtyre listave dhe e mohon atë edhe tani, ky është një skandal i madh." Ndërkohë ai ashtu si edhe Mark Heinrich kanë hyrë në kontakt me të prekur të tjerë nga kjo listë. Mbështetja reciprokisht është për ta një ndihmë e madhe./DW/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri