FRANKFURT, 4 janar /ATSH-AFP/ - Një ashpërsim tjetër i sanksioneve kundër Rusisë do të rrezikonte destabilizimin e vendit dhe do ta zhyste në kaos, gjë që do të ishte kundër interesave të Evropës, theksoi zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel në një intervistë të publikuar sot.
"Qëllimi i sanksioneve nuk ka qenë kurrë për ta zhytur Rusinë në kaos politik dhe ekonomik", deklaroi ai për të përditshmen "Bild am Sonntag".
"Ata që e dëshirojnë këtë do të shkaktonin një situatë më të rrezikshme për të gjithë ne në Evropë", shtoi ai duke nënvizuar se Rusia ishte një fuqi bërthamore.
"Qëllimi i sanksioneve ishte për të vendosur Rusinë në tryezën e negociatave për zgjidhjen e krizës ukrainase. Ata që kërkojnë të destabilizojnë Rusinë ekonomikisht dhe politikisht kanë pikëpamje krejt të ndryshme" deklaroi ai.
"Disa në Evropë dhe SHBA dëshirojnë ta shikojnë rivalin e tyre, Rusinë në gjunjë", shtoi ai.
"Kjo nuk është në interes as të Gjermanisë dhe as të Evropës. Ne dëshirojmë të zgjidhim krizën në Ukrainë dhe jo të vendosim Rusinë në gjunjë", theksoi Sigmar Gabriel.
Fuqitë perëndimore kanë akuzuar disa herë Rusinë për përfshirje aktive në krizën ukrainase duke furnizuar me trupa dhe armë rebelët në lindje, gjë që Moska e ka përgënjeshtruar kategorikisht./
/ec/












