BERLIN, 27 korrik /ATSH-DPA/ - Industria turistike gjermane pritet të ketë një vit rekord për shitjet pavarësisht dhunës dhe sulmeve terroriste që sollën një rënie të rezervimeve, njoftoi sot media gjermane.
"Kompanitë e udhëtimit pritet që të thyejnë rekordin e të ardhurave të vitit të kaluar me një shumë prej 26,3 miliardë euro, që përfaqësojnë një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2013", u shprehën përfaqësuesit e kompanive.
"Turqia së bashku me ishujt Baleare, që përfshijnë Majorkën dhe Ibizën, si dhe ishujt Kanarie janë ndër më të kërkuarit këtë vit", tha shefi i Federatës Gjermane të Turizmit, Norbert Fiebig për gazetën e përditshme "Sueddeutsche Zeitung".
Pavarësisht tensioneve në Greqi nga kriza financiare e vazhdueshme e vendit, ajo mbetet një destinacion i preferuar nga pushuesit gjermanë.
Fiebig deklaroi se rezervimet në Greqi kanë mbetur në të njëjtin nivel si në vitin 2014 të cilën ai e përshkroi si "një vit të bujshëm" për turizmin gjerman në shtetin më borxhli të eurozonës.
"Megjithatë, kërkesat për Tunizi kanë rënë ndjeshëm pas dy sulmeve terroriste në zonat turistike të Afrikës Veriore", shtoi Fiebig.
Gjithashtu, turistët gjermanë janë duke qëndruar larg nga Egjipti si rezultat I tensioneve të fundit politike në vend, përfundoi Fiebig./ /n.r/ a.jor.







