Sipas një artikulli të fundit të botuar në revistën mjekësore gjermane "Deutsches Ärzteblatt", legalizimi i kanabisit në Gjermani është pasuar nga një dyfishim i psikozave të shkaktuara nga kanabisi.
Studimet konfirmojnë frikën e disa shoqatave mjekësore, të cilat theksojnë rreziqet e konsumit të kanabisit sidomos për të rinjtë, truri i të cilëve zakonisht nuk është zhvilluar plotësisht deri në mesin e të njëzetave. Këto shoqata janë shprehur për legalizimin e kanabisit vetëm nga mosha 21 vjeç e lart.
Psikozat janë sëmundje të rënda të karakterizuara nga halucinacione, paranoja dhe iluzione. Në disa raste simptomat zhduken brenda disa ditësh apo javësh pasi kanë nisur. Megjithatë ka edhe raste që tek personat e prekur halucinacionet dhe iluzionet përsëriten në mënyrë të përsëritur, madje ndonjëherë për tërë jetën.
Krahasimi i të dhënave para dhe pas legalizimit
Legalizimi i kanabisit në Gjermani hyri në fuqi më 1 prill 2024. Autorët e studimit krahasuan shifrat e shtrimeve në spitalet e qarkut Schwaben në jug të Gjermanisë në harkun kohor 1 prill 2022 deri 31 mars 2025.
Analiza përfshinte individë të moshës 18 vjeç e lart të shtruar me këto diagnoza kryesore: psikozë e shkaktuar nga kanabisi, çrregullim prej përdorimit të kanabisit në përgjithësi, ose çrregullim psikotik jo-organik nga spektri i skizofrenisë.
Nga analiza e të dhënave rezultoi se pas legalizimit të kanabisit numri i pacientëve të shtruar në spital me psikoza të shkaktuara nga kanabisi ishte thuajse dyfish më i lartë se në periudhën para legalizimit.
Meshkujt më të prekur
Sipas një studimi nga Danimarkameshkujt e rinj janë më shumë të prekur prej skizofrenisë të shkaktuar nga kanabisi sesa femrat.
Sipas këtij studimi rreth 15 përqind e rasteve të skizofrenisë tek meshkujt e rinj mund të parandalohen, nëse kufizohet përdorimi i tepërt i kanabisit.
Rrezik më i madh për demencë për përdoruesit e kanabisit
Një studim i botuar në vitin 2025 në revistën "JAMA Neurology" në Kanada dha prova se përdorimi i lartë i kanabisit mund të çojë në demencë.
Sipas studimit personat nga mosha 45 vjeç e lart, që kishin pasur nevojë për trajtim spitalor për shkak të përdorimit të kanabisit, ishin sëmurur më vonë shumë më shpesh nga demenca sesa të tjerët. Në Kanada kanabisi është i legalizuar për përdorim personal që nga viti 2018.
Por duhet thënë se studimi i mësipërm trajton vetëm raste konsumi të lartë të kanabisit të shoqëruara edhe me shtrim në spital. Pyetja se sa i lartë është rreziku për demencë tek personat që e konsumojnë kanabisin me masë dhe që nuk kanë nevojë për trajtim spitalor për shkak të konsumit të tyre, mbetet e parqartë./DW
Komente










