Gjermani/ Padi për dëme të shkaktuara nga vaksinat ndaj virusit Covid-19

Gjermani/ Padi për dëme të shkaktuara nga vaksinat ndaj virusit Covid-19

Foto ilustruese

Në të gjithë Gjermaninë, sipas avokatëve, janë ngritur të paktën 185 padi civile për shkak të dyshimeve për dëme nga vaksinimi kundër virusit korona. Dy zyra ligjore në Düsseldorf dhe Wiesbaden, sipas deklaratave të tyre, përfaqësojnë 135 dhe 50 nga këto raste. Janë ngritur padi kundër katër prodhuesve kryesorë të vaksinave kundër virusit korona: BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.

Gjyqi i parë pritet të nisë më 28 prill në Gjykatën e Frankfurtit. Prodhuesi i vaksinave BioNTech nga qyteti Mainz do të jetë në bankën e të akuzuarve. Paditësja është një grua që pretendon se ka pësuar dëmtime në zemër si pasojë e vaksinimit kundër Covid-19. Gruaja, e cila, sipas avokatit të saj, është vetë profesioniste e mjekësisë, dëshiron të mbetet anonime. Çdo kërkesë do të trajtohet individualisht ose do të ketë ndonjë marrëveshje jashtë gjyqit.

Problemi kryesor - lidhja midis vaksinimit dhe dëmtimit

Sipas mendimit të avokatëve dhe mjekëve, kjo çështje do të vendoset përfundimisht nga ekspertët. Firma ligjore nga Düseldorfi, siç u tha, ka pasur rreth 3000 kërkesa për padi. Këto kërkesa kanë rezultuar me 135 padi, sepse jo të gjithë kanë pasur dëshmi të mjaftueshme për hapjen e rasteve. Ndërsa zyra ligjore nga Wiesbaden thotë se kanë pasur 850 persona që kanë kërkuar hapjen e rasteve, nga këto kanë bërë 50 padi. Edhe kjo zyrë ka hedhur poshtë qindra kërkesa, për të cilat mendohet se janë të pabaza. Sipas njohësve të kësaj fushe, këto dy zyra të avokatëve përfaqësojnë shumicën e rasteve të ngjashme. Një çështje kyçe në të gjitha këto padi është çështja e shkakut të dëmeve shëndetësore dhe dëshmisë, nëse këto dëme kanë lidhje me vaksinat.

Në parim, të njëjtat rregulla përgjegjësie zbatohen për vaksinat kundër virusit korona sikundër edhe për ilaçet e tjera, sipas Ligjit të Barnave ose Ligjit të Përgjegjësisë ndaj Produkteve. Prodhuesi mund të mbahet përgjegjës nëse ka ndonjë gabim në prodhim. Por nëse ka pasur një gabim në administrimin e ilaçit, atëherë përgjegjësia është e personit që ka kryer vaksinimin. Avokati i Düsseldorfit, Tobias Ulbrich pret një "betejë të ekspertëve të fushës juridike" - ku duhet të dëshmohet se ku qëndron problemi, kuptohet nëse gjykatat nuk marrin menjëherë ndonjë "gjykim që do të frikësonte" paditësit e tjerë për të ndjekur këto çështje, tha ai për agjencinë e lajmeve dpa.

BioNTech: Çdo rast duhet të trajtohet me kujdes

Kompania BioNTech thekson se "deri më tani, në asnjë nga rastet e ekzaminuara nga BioNTech nuk është provuar një lidhje shkakësore midis dëmtimit të përshkruar shëndetësor dhe vaksinimit". "Ne e marrim përgjegjësinë tonë si prodhues vaksinash shumë seriozisht”, tha zëdhënësja e kompanisë.

BioNTech, siç shpjegoi ajo, po trajton me kujdes çdo rast në të cilin janë ngritur padi kundër kësaj kompanie. Megjithatë, është parakusht që avokatët të dorëzojnë dokumente të mjaftueshme për të dëshmuar këtë ndërlidhje. "Kur vlerësojmë një rast, ne mund të mbështetemi vetëm në faktet mjekësore për të gjykuar nëse ka apo jo një lidhje shkakësore. Fatkeqësisht, këtu shpesh mungojnë dokumentet."/DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?