Ekonomia gjermane, e para në Evropë, ka vazhduar progresin e saj me një ritëm të ulët prej 0,3 për qind në tremujorin e katërt të 2015, konfirmoi Zyra Federale e Statistikave “Destatis”.

Rritja ekonomike Gjermane, që ishte 1,7 për qind gjatë gjithë vitit 2015, është mbajtur tre muajt e fundit të vitit nga konsumi i brendshëm (0,2 për qind), shpenzimet shtetrore (1 për qind) dhe rritja e investimeve (2,4 për qind).

Në të kundërt, tregtia e jashtme e ka frenuar rritjen, pasi eksportet kanë rënë me 1,7 për qind në raport me tremujorin e tretë. Importet janë zvogëluar, por në një nivel më të ulët.

Përfundimisht, Gjermania ka njohur një rritje 0,4 për qind në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2015 dhe 0,3 për qind në tremujorin e tretë dhe të katërt.
Vëmendja tashmë përqëndrohet në vitin 2016 dhe mbi aftësitë e ekonomisë gjermane që t’i bëjë ballë trazirave ekonomike botërore.

Për momentin qeveria gjermane parashikon sërish një rritje me 1,7 për qind në vitin 2016. /ATSH/