BERLIN, 12 nëntor /ATSH-AFP/ - Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier theksoi sot se separatistët prorusë në lindje të Ukrainës po përgatiteshin për sulme të tjera të armatosura me ushtarët e qeverisë properëndimore të Kievit.
Shefi i diplomacisë gjermane theksoi se kishte informacione, të konfirmuara nga vëzhguesit e OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), për lëvizje të reja që tregojnë se separatistët po përgatiten për sulme të tjera shumë të dhunshme.
"Në situatën aktuale, kjo nuk ka kuptim në këtë rajon për t'u riarmatosur dhe për t'u përgatitur për konfrontime të tjera të dhunshme", deklaroi ai në një konferencë shtypi me homologun hungarez, Peter Szijjarto.
"Kjo nuk ndihmon asnjë dhe ne humbim kohë. Kohë, për të cilën kemi nevojë në mënyrë urgjente për stabilizimin politik dhe ekonomik në Ukrainë", shtoi Steinmeier.
"Të rifutesh tashmë në një konfrontim ushtarak do të ishte gabim për të gjithë", theksoi ai.
Ukraina theksoi sot se po përgatitej për luftime në reagim të një përqendrimi të trupave ruse në lindjen separatiste proruse, konfirmuar nga NATO duke rritur frikën për një luftë të hapur dy muaj pas armëpushimit të brishtë./
/ec/ a.jor.