Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar solt se akuzat e Perëndimit ndaj Moskës për përfshirjen në incidentin me dron në aeroportin e Lajpcigut përbëjnë “në përgjithësi, fillimin e një lufte të vërtetë”.
Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, Lavrov tha se kancelari gjerman Friedrich Merz po i kthen në veprim deklaratat e tij për forcimin ushtarak të Gjermanisë.
“Të gjitha këto deklarata të Merz për ta bërë Gjermaninë sërish fuqinë kryesore ushtarake në Evropë po vihen në zbatim. Në fakt, ai po na shpall luftë”, u shpreh Lavrov.
Deklaratat e tij vijnë 5 ditë pasi qeveria gjermane njoftoi se kishte arritur në përfundimin se Rusia ishte përgjegjëse për tentativën e sulmit me dron në aeroportin e Lajpcigut/Hale, ngjarje e ndodhur më 4 gusht.
Sipas autoriteteve gjermane, një dron i pajisur me eksploziv u zbulua në zonën e sigurisë së aeroportit, pranë avionëve ukrainas të transportit. Hetuesit dyshojnë se një dron i dytë është përplasur pranë një avioni të kompanisë DHL, ndërsa më pas në aeroport u gjet edhe një dron i tretë, gjithashtu me eksploziv.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se hetimet, provat e mbledhura dhe informacionet e inteligjencës e çuan qeverinë federale në përfundimin se Rusia qëndron pas sulmit, të cilin Berlini e cilëson pjesë të një serie operacionesh hibride kundër Evropës.
Edhe ministri i Jashtëm, Johann Ëadephul, deklaroi se konfigurimi i dronëve, eksplozivët dhe sistemi i shpërthimit përputhen me elementë të përdorur në operacione të tjera hibride të lidhura me Rusinë dhe luftën në Ukrainë.
Prokuroria Federale e Gjermanisë e cilësoi ngjarjen një “sulm serioz ndaj infrastrukturës gjermane të transportit dhe logjistikës”, ndërsa Dobrindt tha se vendi nuk është në luftë, por përballet çdo ditë me kërcënime hibride dhe se përgjigjja do të jetë “proporcionale, e matur, por e vendosur”.
Aeroporti i Lajpcigut/Hale është një nga qendrat më të rëndësishme të transportit të mallrave në Gjermani dhe një nyje kyçe e mbështetjes logjistike për Ukrainën. Ai përdoret rregullisht nga avionët transportues Antonov dhe strehon programin e NATO-s Strategic Airlift International Solution (SALIS), që mbështet transportin e pajisjeve për aleancën.
Pas akuzave të Berlinit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca është “plotësisht solidare” me Gjermaninë dhe se përpjekjet e Rusisë për të frikësuar aleatët dhe për të minuar mbështetjen për Ukrainën “do të dështojnë”.
Mbështetje për Gjermaninë shprehën edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas. Sipas tyre, Bashkimi Evropian do të mbetet i bashkuar përballë sulmeve hibride, ndërsa çështja dhe mundësia e sanksioneve të reja do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së.
Si pjesë e përgjigjes, Gjermania njoftoi mbylljen e konsullatës ruse në Bon më 18 shtator, ndërprerjen e kontratës së “Shtëpisë Ruse”, kontrolle më të rrepta për shtetasit rusë dhe shtimin e presionit ndaj të ashtuquajturës “flotë hije”. Berlini synon gjithashtu të propozojë sanksione të reja të BE-së ndaj individëve rusë të lidhur me sulmet hibride.
Moska i ka hedhur poshtë akuzat. Rusia i ka cilësuar ato të pabazuara dhe ka pretenduar se autoritetet gjermane kanë fabrikuar prova për ta fajësuar për incidentin. Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi më herët Gjermaninë se “sponsorizon terrorizmin”, duke iu referuar mbështetjes ushtarake që Berlini i jep Ukrainës.










Komente
Komento