TIRANE- Gjermania do të investojë19 milionë euro në fushën e energjetikes në vendin tonë që do të shkojnë kryesisht për projekte si siguria e digave në kaskadën Mat-Drin, linja e transmetimit 400 kv me Maqedoninë, projekti për ndërtimin e unazës energjetike në jug të vendit apo për linjën e interkonjeksionit me Kosovën. Marrëveshja është nënshkruar sot mes zv.kryeminitrit Niko Peleshi dhe ambasadorit të Gjermanisë në vendin tonë Helmut Hoffmann.

Zv Kryeministër i Shqipërisë, Niko Peleshi theksoi se Gjermania do të investojë rreth 90 milionë euro vetëm në sektorin e energjetikës. Ai e cilësoi Gjermaninë si partnerin më të madh financiar të Shqipërisë. Sipas Peleshit fondi Gjerman për investime në Shqipëri kap shifrën 200 milionë euro.
 
“Duhet theksuar që gjermania është partneri më i madh financiar për Shqipërinë. Është angazhuar një fond prej 200 milionë eurosh për të financuar një numër të madh projektesh për Shqipërinë. Angazhimet gjermane në fushën e energjetikës arrijnë në 90 milionë euro si siguria në kaskadën Mat-Drin, projekti për unazën energjetike në jug të vendit apo linja e interkonjuksionit me Kosovën. Angazhime në sektorin e infrastrukturës dhe ujësjellës kanalizimeve. Kjo marrëveshje vazhdon bashkëpunimin me qeverinë gjermane në fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane. Kemi besim që në fund të bisedimeve do të mund të shtrijmë bashkëpunimin edhe në disa fusha si inovacioni,”- u shpreh Peleshi.
 
Ambasadori Helmut Hoffman theksoi se Gjermania mbështet fuqishëm integrimin evropian të Shqipërisë dhe do vazhdojë të japë mbështetjen e saj.
 
“Dëshiroj të theksoj se gjermania mbështet me forcë integrimin Shqipërisë në BE. Dhe ca më shumë edhe për këtë arsye gjermania angazhohet më shumë në këtë vend. Shqipëria ka potencial të madh dhe ne duam të japim mbështetjen tonë në zhvillimin e mëtejshëm. Gjermania mbështet Shqipërinë e dhe në sektorë të tillë që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e kapaciteteve. Shqipëria duhet të ketë besim se Gjermania do jetë edhe në të ardhmen një partner i fuqishëm i saj”, tha Helmut Hoffman
Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

Ky ishte raundi i dytë në nënshkrimin e Memorandumit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, që përbën një rast të volitshëm për ekonominë shqiptare në shumë sektorë të saj, veçanërisht në energjetikë.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)