Bashkimi Europian mund të hyjë në një fazë të re vendimmarrjeje, pa bllokime dhe veto, nëse kalon propozimi i Gjermanisë për votim me shumicë në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Më herët gjatë kësaj jave, ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul, dha një mesazh të qartë nga Dublini kur propozoi heqjen e parimit të votimit unanim në politikën e jashtme dhe të sigurisë brenda Bashkimi Evropian, duke e zëvendësuar atë me vendimmarrje me shumicë.
“Në një demokraci, parimi i shumicës është norma dhe unanimiteti përjashtimi. Dhe ne duhet ta bëjmë normën e demokracisë edhe normë në Bashkimin Europian. Vetëm në këtë mënyrë Europa mund të mbetet e aftë për të vepruar.”
Ai shtoi se momenti duhet shfrytëzuar, duke iu referuar zhvillimeve në Hungari:
“Pas zgjedhjeve në Hungari dhe humbjes së Viktor Orbán, tani kemi një dritare të mirë mundësie që duhet përdorur. Çdo muaj ka rëndësi, madje çdo javë.”
Wadephul paralajmëroi se BE nuk mund të përballojë më bllokime si në të kaluarën:
“Bllokime si ato që kemi parë në të kaluarën, veçanërisht në javët e fundit, nuk janë më diçka që mund ta përballojmë në këtë botë. Kohët janë shumë serioze për këtë.”
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur vetë Bashkimi Europian po vihet nën presion për të ndryshuar mënyrën si merr vendime, sidomos për zgjerimin.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Për Shqipërinë, një nga vendet që kryesojnë përpjekjet për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, ky propozim është lajm i mirë. Deri tani, një shtet i vetëm mund të bllokojë gjithçka, edhe kur vendet kandidate ecin përpara me reforma.
Kjo është ajo që e ka zvarritur procesin ndër vite por nëse kalon votimi me shumicë, historia ndryshon.. Me pak fjalë, Shqipëria shmang bllokimet politike dhe fiton kohë në turravrapin e saj drejt BE-së.
Dhe nuk është rastësi që ky debat po nxehet pikërisht tani. Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos e kanë thënë hapur se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të vendeve që po ecin më shpejt drejt anëtarësimit.
Madje Metsola ka shkuar edhe më tej, duke kritikuar hapur vetë BE-në për vonesat. Sipas saj, vendet kandidate po ecin më shpejt sesa vetë Bashkimi Europian merr vendime.
Ajo e lidh drejtpërdrejt këtë situatë me kërkesën për unanimitet, që sipas saj po e mban peng procesin.
Në ç’fazë është Shqipëria tani?
Procesi ka marrë ritëm sidomos pas vitit 2024. Në tetor u hap grup-kapitulli i parë, ai i “Themeloreve”.
Gjatë vitit 2025 ecuria ishte e shpejtë. Të gjithë grupkapitujt, përfshirë ata për Agjendën e Gjelbër u hapën, ndërsa tani fokusi i mazhorancës socialiste është tek mbyllja e tyre.
Qeveria Rama synon që të mbyllë 10 kapituj në vitin 2026. Disa prej tyre konsiderohen thuajse gati nga ana teknike, ndërsa të tjerë janë në fazë të avancuar.
Raporti i fundit i mazhorancës jep edhe shifra konkrete: janë adresuar 92 çështje për 24 piketa ndërmjetëse dhe janë miratuar dhjetëra akte rregullatore, ndërsa ka rezultate edhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave gjatë vitit 2025.
Nga ana tjetër, Komisioni Europian ka dhënë një vlerësim pozitiv, por fjala e fundit mbetet te vendet anëtare.
Dhe në një moment kur vetë zyrtarët më të lartë europianë pranojnë se procesi është zvarritur, ky debat mund të jetë pikërisht shansi që i duhet Shqipërisë që të arrijë objektivin e anëtarësimit në vitin 2030.
Komente









