Vendimi i qeverisë për mbylljen e zyrës së Gjendjes Civile ka nxjerrë në protestë dhjetëra banorë të Cakranit në Fier. Ata do të detyrohen të përshkojnë 27 kilometra deri në Levan për të marrë dokumentet që deri dje i kishin pranë banesave. Banorët e konsiderojnë të padrejtë vendimin, pasi Cakrani ka 13 fshatra me 17 mijë banorë. Të moshurait thonë se nuk mund të udhëtojnë 27 km në këmbë për të marrë një dokument. 

Kontaktuar me telefon, kryetari i Bashkisë Fier, Armand Subashi, thotë se vendimi është marrë nga qeveria dhe është pjesë e ristrukturimit kombëtar të Gjendjes Civile. Në Bashkinë Fier, prek 20 punonjës, ku 10 prej tyre mbeten pa punë, ndërsa do shihet mundësia te sistemohen në sektorë të tjerë. Sa i përket shqetësimit të banorëve, Subashi sqaron se në çdo njësi administrative do ketë punonjës që do asistojnë qytetarët për të marre certifikatat online në platformën e-Albania.

Vendimi i Këshillit të Ministrave për reduktimin e zyrave të Gjendjes Civile është marrë në shkurt të këtij viti dhe ka nisur zbatimin në terren prej 30 marsit. Sipas këtij vendimi, në të gjithë vendin do ketë 141 zyra të gjendjes civile dhe 364 punonjës.