Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas ka shprehur mbështetjen e Berlinit për integrimin e Kosovës. Në një intervistë për situatën në rajonin e Ballkanit, ai ka deklaruar se Gjermania dhe BE-ja duhet që të vijojnë mbështetjen për Kosovën.
"Qeveria gjermane e konsideron të gabuar nëse BE heq dorë nga mbështetja për Kosovën, duke përfshirë ndihmën financiare. Nëse kjo ndodh, atëherë në afat të shkurtër do të shkatërrohen të gjitha ato që me vite janë arritur me përpjekje të mëdha. Javën e kaluar u kemi thënë homologëve nga Kosova se duhet të besojnë fuqishëm në mbështetjen e Gjermanisë" tha ai.
Përveç ndihma nga Bashkimi Europian, qeveria gjermane nga viti 2014 deri 2018 ka mbështetur Kosovën me 179 milionë euro. Ndërkohë që në Kosovë vijon debati mbi tezën e Presidentit Thaçi për rishikimin e kufijve me Serbinë për njohjen e pavarësisë nga Beogradi.