GJERMANI - Gjermania do të lejojë synetin e djemve hebrenj si dhe mysliman, vetëm në rastin që kjo do të kryhet nga mjeku.

Projektligji në fjalë u paraqit gjatë ditës së martë nga ministrja e Drejtësisë, e cila shpjegoi se sipas saj, syneti nuk ka përse të ndëshkohet për aq kohë sa ai bëhet në përputhje me rregullat e mjekësisë.

Sipas një zëdhënësi të kësaj ministrie "syneti duhet të bëhet në mënyrë profesionale dhe duhet të tregohet mjaft kujdes. Përpara kësaj ndërhyrje mjekët duhet të informojë prindërit për të gjithë procedurën, ndërkohë që ata duhet të mbajnë parasysh edhe vullnetin e fëmijës së tyre."

Zëdhënësi shtoi gjithashtu se ky vullnet mund të përjashtohet në momentin që syneti kryhet për shkaqe fetare, gjë e cila parashikohet të kryhet brenda 6 muajve të parë pas lindjes së fëmijës.

Ky projektligj erdhi pasi më parë gjatë muajit maj, një Gjykatë në Këln e klasifikoi rrethprerjen tek fëmijët si një kërcenim të integritetit fizik.

Vendimi, edhe pse nuk është i detyrueshëm për gjykatat e tjera, tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve si dhe shkaktoi zemërimin e myslimanëve sëbashku me atë të hebrenjve.

Menjëherë parlamenti gjerman i kërkoi qeverisë të hartojë një projektligj për synetin, një vendim i cili është pritur mjaft mirë nga komunitetet e myslimanëve dhe hebrenjve në Gjermani.

(ed.ka/Shqiptarja.com)