Burrat gjermanë të moshës 17 deri në 45 vjeç – pra rezervistët e mundshëm – mund të detyrohen të kërkojnë një leje ushtarake për të qëndruar për periudha të gjata jashtë vendit: këtë e parashikon një pjesë e ligjit të ri për shërbimin ushtarak vullnetar, i cili ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2026 për të forcuar mbrojtjen e Gjermanisë.

Paragrafi i ligjit që e specifikon këtë pikë ka kaluar për një kohë të gjatë pa u vënë re: një rregull i ngjashëm ekzistonte edhe gjatë Luftës së Ftohtë, por në praktikë nuk është zbatuar kurrë. Para hyrjes në fuqi të ligjit të ri, detyrimi për të deklaruar qëndrime të gjata jashtë vendit parashikohej vetëm në raste emergjence kombëtare.

Megjithatë, së fundmi një gazetar i Frankfurter Rundschau e ka vënë në dukje këtë dispozitë, duke shkaktuar reagime emocionale në opinionin publik, si dhe tituj në mediat në mbarë botën. Edhe BBC ka kërkuar – dhe ka marrë – konfirmim nga Ministria gjermane e Mbrojtjes, megjithëse nuk ka ende sqarime se si mund të zbatohet në praktikë kjo normë.

“Nëse do të kishte një emergjencë, ne duhet të dimë se kush ndodhet jashtë vendit për një periudhë të gjatë”, ka deklaruar për BBC zëdhënësi i ministrisë. Sipas tij, kjo normë shërben për “të garantuar një sistem të besueshëm dhe racional të regjistrave ushtarakë”.

Ligji i ri, i quajtur “Wehrdienstgesetz” (ligji për shërbimin ushtarak), i miratuar në dhjetor 2025 nga parlamenti gjerman, parashikon rikthimin e shërbimit ushtarak vullnetar, si dhe dërgimin e një pyetësori për rekrutim tek të gjithë 18-vjeçarët. Qëllimi i ligjvënësit është të rrisë numrin e ushtarakëve aktivë nga 180 mijë në 260 mijë deri në vitin 2035./ Corriere della Sera