Qeveria gjermane ka ndaluar Artgemeinschaft, një grup i ekstremit të djathtë i njohur për përhapjen e besimeve të tij tek fëmijët dhe të rinjtë.
Janë bastisur rreth 26 apartamente dhe dhjetëra persona dyshohet se janë përfshirë në veprimtari kriminale. Ministria e Brendshme e Gjermanisë tha të mërkurën se kishte ndaluar një grup të ekstremit të djathtë të njohur për indoktrinimin e fëmijëve, ndërsa policia kreu një seri kontrollesh. Ministria tha se grupi përdorte një besim pseudo-fetar në perënditë gjermanike për të përhapur ideologjinë naziste në familje.
Ministria e Brendshme e Gjermanisë tha se kishte ndaluar grupin Artgemeinschaft, të cilin e konsideronte një shoqatë antidemokratike me rreth 150 anëtarë. Policia bastisi 26 apartamente në 12 nga 16 shtetet e Gjermanisë për të synuar 39 anëtarë të rrjetit.
Ministria përshkroi ndalimin e grupit dhe pasojat e tij, duke e quajtur atë si një "shoqatë sekt, thellësisht raciste dhe antisemitike" që kërkon të indoktrinojë fëmijët me ide të së djathtës ekstreme. "Kjo është një tjetër goditje ndaj ekstremizmit të djathtë dhe agjitatorëve intelektualë që ende propagandojnë ideologjitë naziste sot," tha Ministrja e Brendshme Nancy Faeser.
"Ky grup i ekstremit të djathtë u përpoq të krijonte armiq të rinj të Kushtetutës duke indoktrinuar në mënyrë të neveritshme fëmijët dhe të rinjtë,” shtoi Faeser. Ministria tha se grupi kishte "përdorur një besim gjermanik pseudofetar te Zoti për të përhapur botëkuptimin e tij që cënon dinjitetin njerëzor".
Ai përdor literaturën e epokës naziste për t'i kthyer të rinjtë në teoritë e tij racore dhe drejton një librari në internet që kërkon të radikalizojë dhe të tërheqë jo anëtarë. Ministria tha se të gjitha nënorganizatat e grupit që synonin familjet gjithashtu janë ndaluar. Ndër rajonet ku policia kreu bastisjet e saj ishin landet jugore të Bavarisë dhe Baden-Württemberg-ut, si dhe landi lindor i Brandenburgut.
E fundit në një seri ndalimesh
Gjermania ka ndaluar një numër grupesh ekstremiste në muajt e fundit, duke përfshirë degën lokale të grupit neonazist me bazë në SHBA, Hammerskins. Ky grup njihet për koncertet e tij supremaciste rock. Një raport i shërbimit të inteligjencës gjermane thotë se në vitin 2022 rreth 38.800 vetë i përkisnin spektrit të ekstremit të djathtë në Gjermani. Kjo shifër është rritur nga 33.900 persona të regjistruar në vitin 2021, dhe numri i individëve të konsideruar potencialisht të dhunshëm është rritur gjithashtu, nga 13.500 në 14.000./DW