Gjermania si lokacion biznesi më pak i kërkuar

Gjermania si lokacion biznesi më pak i kërkuar

Gjermania ka humbur atraktivitetin e saj si lokacion biznesi. Në renditjen e publikuar nga Qendra për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) të hënën, Republika Federale e Gjermanisë ka rënë me katër vende dhe tani renditet në vendin e 18-të nga 21 vende të krahasuara. Çmimet e larta të energjisë dhe rregulloret e pafavorshme për kompanitë patën një efekt veçanërisht negativ. Ekspertët e vlerësojnë si të keqe edhe barrën e lartë tatimore, edhe pse në këtë fushë ka pasur përmirësime.

"Gjermania si një vend industrial ka humbur shumë nga cilësia e saj," thotë Rainer Kirchdörfer, kreu i Fondacionit të Biznesit Familjar. Sidomos çmimet e larta të energjisë, për të cilat ne mund të bëjmë pak, duhet të japin një nxitje për të përmirësuar kushtet e tjera kornizë për investime.

Sipas ZEW, një avantazh i madh për Gjermaninë si vend biznesi është borxhi relativisht i ulët i shtetit dhe i familjeve private. Kjo i jep shtetit mundësinë të reagojë ndaj krizave. Por edhe këtu Republika Federale "e cila dikur ishte në një pozitë të mirë, tani ka rënë në mesfushë”, sqarojnë ekspertët.

Kritika ndaj politikës së tatimeve

Fondacioni për Bizneset Familjare, i cili publikon këtë studim, ka bërë thirrje veçanërisht për uljen e taksave. "Kur bëhet fjalë për barrën tatimore për bizneset familjare, Gjermania vazhdon të jetë e parafundit”, shpjegoi fondacioni. Sipas ZEW, Gjermania ka rënë në këtë fushë me reformën e tatimit mbi trashëgiminë e vitit 2016 dhe nuk është rikuperuar që atëherë për shkak të "pasivitetit të vazhdueshëm të politikës tatimore gjermane ndër vite".

"Edhe raporti mes kostos së punës dhe produktivitetit tregon një trend të pafavorshëm në krahasim me konkurrencën”, theksojnë sipërmarrësit familjarë. Megjithatë, ZEW thekson zhvillimin e përgjithshëm pozitiv të rezultateve të PISA si një anë e mirë e aseteve gjermane.

Në përgjithësi, pozicioni i Gjermanisë jep "arsye të konsiderueshme për shqetësim", shpjegoi ZEW. "Në një krahasim ndërkombëtar, bizneset familjare në Gjermani ballafaqohen me taksa më të larta, me ngarkesa më të larta rregullatore si dhe kosto më të larta të energjisë, sesa në shumicën e vendeve të tjera." Infrastruktura dhe institucionet vazhdojnë të vlerësohen pozitivisht, por edhe më tej janë dukshëm më keq se në vendet më të vogla si Zvicra apo Danimarka.

Cilat vende renditen më mirë?

Në renditje, Gjermania është tani pak pas Francës. Vetëm Hungaria, Spanja dhe Italia janë në pozitë më të keqe. Kompanitë në SHBA, Kanada, Suedi dhe Zvicër kanë kushtet më të mira për biznes. Për sa i përket pikëve, Austria dhe Holanda humbën edhe më shumë pikë se Gjermania. Ato kanë probleme në fushën e rregullimit dhe energjisë. Japonia dhe Suedia janë përmirësuar më së shumti. SHBA shquhet me vlerësime të mira për faktorët e vendndodhjes për energjinë e lirë dhe rregullimin miqësor ndaj biznesit. Megjithatë, ZEW thekson inflacionin e lartë si një faktor rreziku: Presioni mbi çmimet dhe mbi pagat është veçanërisht i lartë në SHBA, e këtu duhet shtuar edhe dollari i fortë.

Megjithatë, duhet pasur parasysh gjithashtu se shtetet në vendet nga 14 deri në 19 janë shumë afër njëra-tjetrës. Por nuk ka shenja të një përmirësimi të gjendjes në renditjen e Gjermanisë. Në disa studime të tjera të bëra kohët e fundit ka pasur vlerësime më pak pesimiste. Rënia e frikshme e investimeve të huaja në Gjermani në vitin 2022 nuk ndodhi. Në disa çështje, siç është hapja e selive të kompanive, gjërat duken madje më mirë se në vitin 2021, thotë Robert Hermann, drejtor menaxhues i Agjencisë Federale të Zhvillimit të Biznesit (Germany Trade & Invest - GTAI). Në vitin 2021, gjithsej 1.806 kompani të huaja kanë hapur në Gjermani degët e tyre - që është një rritje prej shtatë për qind./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës