
Gjermania dënoi sot dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe i kërkoi qeverisë izraelite të marrë masa për të mbrojtur palestinezët nga sulmet e dhunshme.
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Sebastian Fischer tha se Gjermania mbështet të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje kundër grupit palestinez Hamas, por qeveria e Tel Avivit duhet gjithashtu të kundërshtojë dhunën e kolonëve ekstremistë.
“Ne dënojmë qartë sulmet dhe dhunën nga kolonët kundër komuniteteve palestineze. Ne po i bëjmë thirrje Izraelit që të mbrojë palestinezët nga aktet e kolonëve ekstremistë dhe të sigurojë që ata që janë përgjegjës të sillen para drejtësisë”, tha Fischer, duke shtuar se këto sulme në territoret e pushtuara kanë marrë shumë jetë javët e fundit, raporton agjencia e lajmeve turke Anadolu.
Sulmet e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar janë rritur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor. Që atëherë, kolonët kanë kryer 280 sulme kundër civilëve palestinezë, duke vrarë të paktën shtatë persona deri më tani, sipas burimeve palestineze.
Metodat e përdorura nga kolonët ekstremistë në këto sulme variojnë nga gjuajtja me municion të vërtetë deri te rrahja, gurëzimi i automjeteve dhe sulmi ndaj shtëpive, familjeve dhe fermerëve.
Lajmi kryesor:
Lufta/ Netanyahu refuzon thirrjet për armëpushim: Është koha për luftë, do godasim përbindëshat e Hamasit! Shpëtohet ushtarja izraelite e marrë peng në Gaza











