TIRANË - Shqipëria është një vend i sigurtë për të investuar dhe ka një potencial të madh turistik, ka deklaruar sekretari Parlamentar i Shtetit për Ekonominë dhe Teknologjinë në Gjermani, Ernst Burgbacher gjatë një takimi me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Kjo e fundit ka pritur gjatë ditës së sotme një delegacion nga Republika Federale e Gjermanisë, i kryesuar nga Ernst Burgbacher, Sekretar Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale për Ekonominë dhe Teknologjinë (BMWi).

Gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve dhe për thellimin e mëtejshëm të tij, me theks të veҫantë në fushën e turizmit. Gjermeni falenderoi Burgbacher për ndihmën e deritanishme të qeverisë gjermane në Shqipëri, ndërsa kërkoi zgjerimin e bashkëpunimit me orientim të veҫantë fushën e turizmit.

“Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit i është mirënjohëse Qeverisë Gjermane për ndihmën e dhënë. Ne jemi të angazhuar për zhvillimin e turizmit të qendrueshëm dhe për krijimin e një modeli turizmi vjetor dhe për këtë asistenca Juaj do të jetë shumë e vlefshme, si në projekte, ashtu edhe në rritjen e kapaciteteve dhe arritjen e standardeve të kërkuara. Kërkojmë gjithashtu mbështetjen Tuaj në vendosjen e kontakteve me operatorët turistikë në Gjermani, për të shtuar numrin e turistëve gjermanë në vendin tonë dhe për të promovuar Shqipërinë,”- ka theksuar Ministrja Eglantina Gjermeni.

Gjithashtu, Gjermeni informoi delegacionin nga Gjermania për reformat dhe angazhimet që ka marrë përsipër qeveria e kryeministrit Edi Rama për të garantuar zhvillimin e turizmit të qendrueshëm, që gjeneron të ardhura dhe punësim.

Nga ana e tij, Burgbacher, theksoi gadishmërinë e palës gjermane për të ndihmuar, duke u shprehur se Shqipëria është një vend që ka shumë për të ofruar, për shkak se ka qëndruar për një kohë të gjatë e fshehur dhe e izoluar. Zyrtari i lartë i Ministrisë Gjermane për Ekonominë dhe Teknologjinë u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në vendosjen e kontakteve me operatorët turistikë në Gjermani, ndërsa theksoi se përveҫ potencialit turistik, Shqipëria ka një tjetër avantazh, pasi tashmë është një vend i sigurt.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)