Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni i ka kërkuar Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi që ndotja mjedisore në zonat e mbrojtura si Krasta e Krujës apo në lumenjtë e vendit të frenohet sa më parë. Madje,Gjermeni i ka kërkuar Klosit që të marrë edhe masa penalizuese ndaj njësive vendore që nuk ushtrojnë kontrolle ndaj atyre që shkaktojnë masakër mjedisore.
Kërkoj ndërhyrje konkrete tek masakra mjedisore që është bërë në Krastë të Krujës, por edhe tek ndotja e ajrit.
Eglantina Gjermeni, deputete e Partisë Socialiste
Klosi u shpreh gjatë raportimit për projektbuxhetin e vitit 2019 se do t’iu hiqen licensat subjekteve që ndotin Krastën e Krujës.
Brenda pranverës së vitit të ardhshëm të gjithë guroret që ushtrojnë aktivitet në zonën që ju përmendët, do të largohen nga ajo zonë.
Blendi Klosi, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit
Ai tha më tutje se vitin e ardhshëm do të ketë investime në infrastrukturën turistike, pasi shumë kompani kanë shprehur interes për të investuar në hotelet me 4 dhe 5 yje. “Sot kemi 10 deri në 15 kompani, të cilat janë të gatshme të fillojnë investimet në hotelet me 5 yje në bregdet dhe në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit”, u shpreh Klosi.
Së shpejti, Klosi bëri të ditur se qeveria do të paraqitet me një draft të detajuar për projektligjin për pyjet në vendin tonë.