Gjermeni me ndërtuesit: Javën
e ardhshme testojmë lejet online

Gjermeni me ndërtuesit: Javën<br />e ardhshme testojmë lejet online
Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni është takuar këtë të martë me një përfaqësi të Shoqatës së Ndërtuesëve, me të cilët diskutoi mbi shqetësimet  që  ndërtuesit hasin sa i përket procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit.

Ky takim vjen pak ditë pasi Ministrja Gjermeni iu drejtua me një shkresë të posaçme drejtuesve të 61 njësive vendore dhe  grupeve të interesit, mes të cilëve edhe Shoqatës së Ndërtuesve.  

Ministrja Gjermeni risolli në vëmendje vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, më 30 korrik 2015, i cili ligjëron mundësinë e dhënies së lejeve të ndërtimit nga kryetarët e bashkive.

Gjermeni tha se javën e ardhshme do të nisë testimi i sistemit online për aplikimin e lejeve të ndërtimit. Pas aplikimit, do të jenë bashkitë ato, të cilat do të rakordojnë procesin me institucionet e tjera, që kanë në kompetencë dhënien e lejeve të ndërtimit.

Testimi do të vijojë deri në fund të muajit mars, ndërsa pas 31 Marsit 2016, aplikimi online do të jetë i detyrueshëm për çdo individ apo biznes, duke eliminuar kështu procedurat e gjata dhe dorëzimin nëpër zyra të dokumentacionit të nevojshëm për lejet e ndërtimit.

Nga ana tjetër Përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve shprehën disa nga shqetësimet, që kanë të bëjnë kryesisht me ndryshimet e reja ligjore sa i përket rritjes së taksës së ndikimit të infrastrukturës.  

Një tjetër shqetësim i tyre ishte fakti se, disa bashki në vend nuk kanë vijuar me dhënien e lejeve të ndërtimit, sikundër parashikon kuadri ligjor në fuqi. Në fund të takimit u ra dakord për  organizimin e një tryeze mes ndërtuesve dhe drejtuesve të bashkive kryesore, lidhur me problemet dhe paqartësitë që të dy palët kanë për të mos penguar dhënien e lejeve të ndërtimit në të gjithë vendin. Tryeza do të drejtohet nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

Përgjegjësitë lidhur me dhënien e leje të ndërtimit
Të gjitha bashkitë e vendit kanë mundësinë dhe përgjegjësinë ligjore të japin leje ndërtimi, me përjashtim të rasteve kur kërkesa nuk përmbush kushtet ligjore.
Procesi i hartimit të planeve të përgjithshme vendore nuk pengon dhe nuk duhet të konsiderohet nga kryetarët e bashkive si faktor bllokues i zhvillimit të territorit, qoftë kjo për nevoja të biznesit privat ashtu edhe për nevoja të strehimit të qytetarëve. Vetëm për ato zona të cilat nuk janë të mbuluara me plane të përgjithshme vendore ekziston një kufizim sa i përket kategorive të ndërtimeve të lejuaradhe kjo me qëllim ruajtjen e territorit për qëllimet e planifikimit që do të kryhet.

Konkretisht, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, neni 45, si dhe në vendimin nr. 1,  datë 30 korrik 2015, të Këshillit Kombëtar të Territorit:

a) Në territoret e ish-bashkive ku ka plane të përgjithshme vendore të miratuara (Bashkitë Himarë, Lushnjë, Berat, Kamëz, Tiranë, Fier, Vorë, Mamurras, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Fushe-Krujë, Bulqizë, Korçë), bashkitë mund të vijojnë normalisht me shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, në përputhje me planet vendore përkatëse, për territoret administrative bashkiake përpara reformës territoriale.

b) Në të gjitha zonat e tjera të vendit, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, bashkitë mund të vijojnë me dhënien e lejeve të ndërtimit për objekte biznesi me funksion prodhues, industrial, bujqësor, turistik si dhe për banesa familjare apo ndërhyrje të natyrës urgjente, sikurse specifikuar në mënyrë të detajuar në vendimin e sipërcituar të Këshillit Kombëtar të Territorit. 

c) Deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, për objektet mbi 6 kate, leja e ndërtimit do të jepet nga bashkitë përgjegjëse pas një kontrolli paraprak pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me përputhshmërinë me instrumentet kombëtare dhe/ose vendore të planifikimit në proces.
ç) Në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike si dhe përgjatë brezit bregdetar, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, ndërtimet e reja do të jetë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Tri pikë 'me dhimbje', Arsenal fiton 3-0 kundër Bournemouth dhe qëndron në krye të Premier League

GOLAT/ Tri pikë 'me dhimbje', Arsenal fiton 3-0 kundër Bournemouth dhe qëndron në krye të Premier League