TIRANE - Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni ka inspektuar aksionin e sotëm të OSHEE-së kundër abuzimeve me energjinë elektrike pranë Fakultetit Juridik në Tiranë.
 
Në fjalën e saj, Gjermeni theksoi se pagesa e faturës së energjisë elektrike është një detyrim ligjor dhe se çdo qytetar apo biznes duhet të ndergjegjësohet për të shlyer abuzimet me energjinë.

“Jemi të gjithë bashkë për t'i dhënë fund mospagesave të energjisë elektrike. Abuzimi është një vepër penale dhe ky aksion i përket ndërgjegjësimit të të gjithë qytetarëve dhe bizneseve për të paguar faturat e energjisë elektrike.” u shpreh Ministrja

Sipas ministres Gjermeni aksioni deri më tani ka rezultuar i suksesshëm, si në rritjen e arkëtimeve dhe në ndergjegjësimin e qytetarëve.

"150 milionë euro çdo vit për buxhetin e shtetit do të thotë ndërtimin e 80 mijë banesave sociale nga ku do të përfitonin strehim me mijëra qytetarë dhe familje nga shtresat në nevojë. Me nevojat që ka, Shqipëria, nuk e ka luksin të humbasë kaq shumë para dhe si qytetarë që duam të integrohemi në familjen e madhe evropiane, duhet t'i japim fund mospagesës së faturave të energjisë elektrike” tha Gjermeni

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)