TIRANË - Zonja e Parë, bashkëshortja e Presidentit, Bujar Nishani, Odeta ka njoftuar dje se ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtoreshës së Tregut dhe Statistikave të Turizmit në Ministrinë e Turizmit. Një ditë më pas ka reaguar edhe Ministria e Turizmit. Sipas këtij institucioni zonja Nishani ishte emëruar në një post tjetër ekuivalent me të parin por në 3 dhjetor 2013 ka paraqitur dorëheqjen.

MINISTRIA: NISHANI U EMERUA NE NJE POST TE NJEJTE ME TE PARIN
Një ditë pas deklaratave të Odeta Nishanit, që ka akuzuar për presione në Ministrinë e Turizmit, ka reaguar edhe ky institucion. Në një njoftim për median thuhet se, Ministia e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka dy prioritete thelbësore, zhvillimin urban dhe zhvillimin e turizmit.

“Struktura organike, me emërtimet e drejtorive dhe pozicionet e çdo vendi pune u ndërtua mbi bazën e dy prioriteteve të zbërthyer në drejtime mëtë detajuara. Në këtë kontekst, ish-drejtoritë që mbulonin këto dy fusha përgjegjësie në ish-Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ish-Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, u gjykua që të kalonin në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Turizmit.

Kalimi i punonjësve respektivë është bërë nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike dhe konkretisht, Ministria e Kulturës kaloi në listë pritje pranë DAP-it punonjësit e ish-Drejtorisë së Përgjithshme të Turizmit.

Sipas këtij institucioni, në strukturën organike të ish-Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të miratuar me urdhërin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit dhe Trashëgimisë, ishte e përbërë nga tre drejtori, përkatësisht Drejtoria e Planifikimit të Turizmit, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria e Koordinimit dhe Monitorimit të Tregut, me gjithsej 21 punonjës.

Në strukturën e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, emërtimi është “Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit”, e përbërë nga tre drejtori, Drejtoria e Politikave dhe Planifikimit të Turizmit, Drejtoria e Standardeve, Cilësisë dhe Jetësimit të Prioriteteve dhe Drejtoria e Marketingut dhe Promocionit Turistik, me gjithsej 19 punonjës.
Përsa më lart, rezulton se drejtoritë e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit i përgjigjen plotësisht karakterit dhe përmbushjes të prioritetit themeltar për zhvillimin e turizmit.

Me shkresën nr. 1511/1, datë 23.10.2013, Departamenti i Administratës Publike ka dërguar listën e nëpunësve civilë të ish-Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për t’u vlerësuar për sistemim në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Në përgjigjen e dhënë Departamentit të Administratës Publike nga Ministrisë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, me shkresën nr. 279/1, dt. 04.11.2013, konfirmohet lista e nëpunësve civilë, ku Odeta Nishani, nga drejtore e Drejtorisë së Koordinimit dhe Monitorimit të Tregut iu propozua pozicioni drejtore e Drejtorisë së Marketingut dhe Promocionit Turistik, post ekuivalent me pozicionin e mëparshëm që ajo mbante, detyrë të cilën ajo e ka pranuar.

“Mbi këtë bazë, me shkresën 1511/7, dt. 11.11.2013, Departamenti i Administratës Publike ka emëruar znj. Odeta Nishani në pozicionin drejtor në Drejtorinë e Marketingut dhe Promovicionit Turistik, në Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit të Turizmit, në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit”, ka bërë të ditur Ministria e Turizmit.

Por në fillim të muajit dhjetor, në datë 3, Odeta Nishani, ka paraqitur njoftimin për dorëheqje te Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, gjë për të cilën po bëhen veprimet përkatëse konform ligjit të “Statusit të nëpunësit civil”.

NISHANI: PRESION NE MINISTRINE E TURIZMIT
Vendimin për largimin e saj, Odeta Nishani e ka bërë të ditur në Facebook se, e ka marrë duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme atmosferën e krijuar në institucionin ku punon. "Duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme këtë atmosferë, me keqardhje largohem nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga Ministria", shprehet Odeta Nishani, e cila pas ndarjes së MKTRS tashmë ndodhet në varësi të ministres Eglantina Gjermeni.

Fillimisht ajo argumenton situatën dhe atmosferën, sipas këndvështrimit të saj, që është krijuar në Ministrinë e Kulturës. "Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë po përdoren në menyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna, e shoqëruar kjo edhe me prishje kontratash, duke përfituar nga statusi i ri i ministrisë pas ndarjes së MTKRS-së (Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve)", shkruan Zonja e Parë.

Sipas saj, thënë thjesht, etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës. Kur ky parim cënohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur.

Ajo ka gjetur rastin për të falenderuar përzemërsisht të gjithë bashkëpunëtorët në këto vite "për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe rezultatet e arritura, të cilat sfidojnë çdo nihilist dhe nihilizëm qëllimor".


odeta nishani fb
(Foto: Postimi në Facebook i Zonjës së Parë)


Redaksia Online
(ac/mag/shqiptarja.com)