TIRANE, 26 Qershor/ATSH/-Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, bashkë me një ekip të Ministrisë priti sot  një delegacion të  Ministrisë së Strehimit dhe Zhvillimit Rural-Urban të Republikës së Kinës, të drejtuar nga z.Ni Hong, Drejtor i Përgjithshëm i Departamentit të Zhvillimit dhe Reformës së Strehimit në këtë Ministri.
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni tha se, - "Strehimi për ne është prioritar, por deri tani kësaj çështjeje nuk i ishte kushtuar rëndësia e duhur." Ajo  shprehu interesin për ndihmën dhe angazhimin e ekspertëve kinezë në fushën e strehimit.  "Për çështjet e planifikimit të territorit dhe zhvillimit urban, jemi në kërkim të përvojave  më të mira për nismat e reja që po ndërmerren në Shqipëri- u shpreh Gjermeni".
Ni Hong,  në emër të delegacionit kinez shprehu gatishmërinë për dhënien e eksperiencës së vendit të tij për çështjet e strehimit, veçanërisht për programet sociale të strehimit, të cilat mund të përshtaten në Shqipëri.
Ekipet e ekspertëve të Ministrive të të dyja vendeve, e vunë theksin tek bashkëpunimi në fushën e eficiencës së energjisë në banesat me bashkëpronësi, një nismë e ndërmarrë së fundmi edhe nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, përmes projektit-pilot në Lezhë dhe projektit të Entit Kombëtar të Banesave në katër bashki të vendit: Lushnjë, Fier, Berat dhe Korçë./a.gegvataj/