Vllaznia fitoi të hënën 0-2 kundër Dinamos në stadiumin "Air Albania" në kryeqytet dhe pas 20-të ndeshjeve të këtij sezoni e sheh veten në pozitën e dytë të Superligës. Dueli i djeshëm nuk ishte i qetë për dy kampet, me Edi Martinin, trajnerin e Vllaznisë që u ndëshkua me karton të kuq pas golit të dytë të të tijve.

Martini, në festë e sipër ka bërë një gjest që nga Enea Jorgji është cilësuar antisportiv, duke i drejtuar kartonin e kuq në fytyrë shkodranit. Trajneri, dukshëm i çliruar pasi të tijtë po shkonin drejt suksesit, u drejtua nga tifozët duke u treguar krahun dhe bërë një gjest të njëjtë me atë të 8 nëntorit 2025, kur në bazë të pamjeve filmike u dënua me dy ndeshje pezullim.

Më shumë se kundër Dinamos, kunja e Edi Martinit duket se ishte më shumë kundër trajnerit të 'Bluve', Ilir Dajës. Dyshja edhe më herët kanë pasur përplasje në distancë dhe në konferencat për mediet.

Gjatë fazës së dytë të këtij sezoni, Vllaznia fitonte 1-0 kundër Dinamos në "Loro Boriçi" dhe klima para ndeshjes mes dy trajnerëve ishte e tensionuar. Gjithçka vinte pas një fraze të Dajës, teksa në konsideratë e sipër për shkodranët, tha edhe se 'Vllaznia ka mësuar të luajë futboll duke parë Dinamon', gjë që solli tension mes dyshes.

“Vitin e fundit kemi qenë superiorë ndaj Vllaznisë dhe tani ata kanë kënaqësinë të luajnë me ne, sepse ua kemi mësuar si luhet futbolli. Ishte kënaqësi të luash në fushat e futbollit, jo në tribuna”, deklaronte Daja me tone ironike pas ndeshjes së humbur në Shkodër.

Ndërkohë që Edi Martini nuk e ka harruar këtë frazë dhe tonet e tensionit u shfaqën edhe dje në "Air Albania".

"Erdhëm të mësonim ndonjë gjë këtu sot (dje), nuk ia dolëm të mësonim asgjë, por më gëzojnë pikët që morëm.

Ta sqaroj kartonin e kuq, pas meje ku kam gëzuar kisha gjithë tifozët e Vllaznisë që bënin veprime me duar. E bëra me ta, nuk e bëra me askënd tjetër përveç tifozëve të mi, si po gëzonin, e kisha edhe unë. Nuk e kisha me asnjë, në mënyrë absolute. Nëse ndonjë është fyer, kërkoj ndjesë.

Nuk e kam bërë si herën tjetër, që e meritova plotësisht. Këtë herë gëzova me tifozët e mi, nëse unë ofendoj të mitë me këtë gjest, nuk di çfarë të them… Po e bëja me tifozët, nuk ka lidhje me asgjë tjetër", tha Martini që dukshëm po mundohej të qetësonte situatën pas ndeshjes së djeshme.