Kursanti për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë, Xhojsi Lamaj, u vlerësua me certifikatë mirënjohjeje pasi ka gjetur në Rrugën e Kavajës, një portofol me vlera të konsiderueshme në franga zvicerane, euro, lekë dhe dokumente personale, të cilin e ka dorëzuar në Komisariatin Nr. 2. Menjëherë është njoftuar qytetarja që kishte humbur portofolin, e cila ka vlerësuar veprimin e punonjësit të Policisë dhe e ka falënderuar.

Gjesti i Lamajt u vlerësua nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku, sipas të cilit duhet të ndiqet nga të gjithë punonjësit e policisë. Në këtë mënyrë Rrumbullaku vlerësoi edhe nivelin e lartë të mësimdhënies në Akademinë e Sigurisë.

“Gjesti i kursantit për Patrullë të Përgjithshme është modeli më i mirë që duhet të ndjekin punonjësit e Policisë, në raport me qytetarët. Nga ana tjetër, kjo tregon nivelin e lartë të mësimdhënies në Kolegjin e Policisë, të përgatitjes dhe të orientimit të kursantëve, të cilët pas përfundimit të Kolegjit, do t’i shërbejnë qytetarëve. Punonjësi i Policisë duhet të jetë mishërimi i vlerave më të mira njerëzore dhe pasqyra ku qytetarët duhet të shohin  shpresë, siguri, besim, humanizëm dhe shërbim cilësor”.- tha Rrumbullaku.