"Gjika", skandal edhe me pallatin
e Lulzim Bashës në Vlorë

e Lulzim Bashës në Vlorë">
TIRANE- Prokuroria e Vlorës ka marrë të pandehur drejtorin e Urbanistikës në bashkinë e Vlorës, Odhise Zoto, pasi ky i fundit ka shkelur ligjin, duke i paraqitur një material të dyshimtë antarëve të KRRT-së, lidhur me miratimin e lejës së ndërtimit të kompleksion “Jon”, që njihet dhe si pallati i kreut të opozitës shqiptare Lulzim Basha.

Miratimi i lejeve të ndërtimit, duke përdorur plane studimi dhe akte-teknike false nga zyrtarë të bashkisë së Vlorës, ka nxjerrë në dritë shkelje të rënda dhe për pallatin që njihen në Vlorë, si pallati i Lulzim Bashës.

Praktika antiligjore e ndjekur dhe ndërtimi i pallatit në një teren, që konsiderohen nga ekspertët si “teren uji” që nënkupton shumë pranë bregut të detit, duket se i hap rrugë procedurave për shembjen e tij, gjë të cilën e përmendi disa ditë më parë dhe kryeministri i vendit Edi Rama. Shkeljet për këtë rast janë konstatuar gjatë një hetimi të kryer nga njësia Task-Forcë në prokurorinë e Vlorës, dhe se për këtë nën akuzë për “Shpërdorim detyre” është vënë kreu i Drejtorisë së Urbanistikës në bashkinë Vlorë, Odhise Zoto. Sipas prokurorit të çështjes Zoto ka paraqitur në KRRT e Vlorës një plan studimi tërësisht të gabuar dhe në kundërshtim me ligjin urbanistik. Ky plan i gabuar është diskutuar në KRRT dhe për pasojë është miratuar nga anëtarët, duke i hapur kështu rrugë ndërtimit të pallatit disa kate në bregdetin e Vlorës, që sot njihet si kompleksi “Jon” dhe që ndodhet pranë zonës së “Ujit të Ftohtë”.

Drejtori i pandehur
Për shkeljen ligjore të kryer Odhise Zoto, drejtori i urbanistikës është marrë i pandehur dhe se momentalisht çështja ndodhet për gjykim në gjykatën e Vlorës. Nga sa mësohet pranë burimeve të prokurorisë së Vlorës, çështja fillimisht ka shkuar deri në dhënien e konkluzjoneve përfundimtare nga ana e prokurorit të çështjes, i cili ka kërkuar dënimin me 2 vjet burg dhe gjobë financiare për të pandehurin Odhise Zoto. Mirëpo, në kushtet kur pritej të jepte konkluzjonet avokati mbrojtës i Zotos, kryetari i trupit gjykues Artur Malaj, njëherësh dhe kryetari i Gjykatës së Vlorës, ka vendosur të pezullojë procesin gjyqësor, duke ju drejtuar me një kërkesë për interpretim ligji Gjykatës Kushtetuese.

Kjo kërkesë është bazuar në faktin se për një vepër penale, nuk mund të kërkohen dy dënime njëherësh siç dhe bëri prokurori i çështjes që në seancën e gjykimit kërkoi dënimin me burg dhe gjobë, për drejtorin e urbanistikës Odhise Zoto, i cili kaloi në mënyrë të paligjshme çështjen e ndërtimit të pallatit në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës në mbledhjen e KRRT-së. Dosja penale ka qëndruar disa kohë e pezulluar nga gjykata e Vlorës, ndërkohë që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çështja ka rifilluar sërisht nga e para ndaj të pandehurit Odhise Zoto i cili akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndërkohë që mësohet se vetë Zoto gjatë procesit gjyqësor ka mbajtur qëndrim mohues para gjykatës së Vlorës, duke pretenduar se ai nuk e kishte shkelur ligjin në rastin e ndërtimit të pallatit disa katësh, në pronësi vjehrrit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Dorëhiqet Malaj
Lidhur me këtë çështje, gazeta “Shqiptarja.com” ka kontaktuar në telefon me kryetarin e Gjykatës së Vlorës z. Artur Malaj. Ky i fundit, ka pohuar se akltualisht çështja në ngarkim të Odhise Zotos, është në gjykim nga e para, ku procesi ka hyrë në shqyrtimin e shqyrtimit të provave në themel. Malaj nënvizoi se i pandehuri i prokurorisë është sjellë nga organi i akuzës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, ndërkohë që paralajmëroi se shumë shpejt ai do jepte dorëheqjen nga çështja pas emërimit si gjyqtar i gjykatës administrative të Apelit në Tiranë. Një gjë e tillë sjell dhe rihedhjen sërisht në short të çështjes, duke bërë që drejtori i urbanistikës në bashkinë e Vlorës, Odhise Zoto, të gjykohet për të tretën herë nga e para.

(Ne foto: Kompleksi "Jon" i ndërtuar nga vjehrri i Lulzim Bashës ne zonen e Ujit te Ftohte)

Shkrimi u publikua sot (30.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit