Gjiknuri dhe Leli bashkëbisedim me investitorët në turizëm: Ndryshimi i bajpasit Vlorë-Orikum do të devijojë trafikun, mundëson zhvillim optimal për turizmin

Gjiknuri dhe Leli bashkëbisedim me investitorët në turizëm: Ndryshimi i bajpasit Vlorë-Orikum do të devijojë trafikun, mundëson zhvillim optimal për turizmin

Dritan Leli dhe Damian Gjiknuri

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri dhe Kryebashkiaku Dritan Leli zhvilluan një bashkëbisedim me investitorët kryesorë të fushës së turizmit në hapësirën mes Radhimës dhe Orikumit.

Pak kohë më parë, ata ngritën shqetësimin se projektet infrastrukturore që po zbatohen në zonë kalonin midis parcelave të tyre duke jua bërë të pamundur zhvillimin e biznesit. Pas një procesi intensiv negocimi dhe falë punës së bërë nga Bashkia e Vlorës, shqetësimi i tyre u mor në konsideratë ndërsa tashmë është marrë vendimi për ndryshimin e drejtimit të bajpasit të dytë të projektit Vlorë-Orikum duke e kaluar prapa parcelave të tyre. Pasi ju dhanë lajmin pozitiv, Gjiknuri e Leli inkurajuan këta sipërmarrës të investojnë për të krijuar kushte edhe më të mira për zhvillimin e turizmit.

“Në çdo hap të projektit të dy bajpaseve dhe të rikonstruksionit të rrugës nga tuneli deri në Orikum ju keni qenë prezent në të gjitha takimet. Ne kemi bërë konsultat, kemi paraqitur qëndrimin tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit që është investitori i kësaj zone. Kemi folur me arkitektët dhe projektuesit, për ta kaluar bajpasin pas pronave që janë duke u zhvilluar sot, duke i lënë mundësi gjithë kësaj rruge që sot është nën trafik të rënduar të zhvendoset prapa godinave dhe kjo pjesë e rrugës të ngelet në funksion të bizneseve si shëtitore. Dua të ju falenderoj që keni qenë pranë bashkisë, pranë meje dhe me zërin tuaj të qytetëruar mundëm të trokasim aty ku duhet për tu dëgjuar nga specialistët. Dje kemi bërë aplikimin e projektit duke përfshirë e marrë në konsideratë edhe shqetësimin tuaj”, u shpreh Leli.

Sipas kryebashkiakut Leli, rruga do të kalojë pranë kanalit kullues, një zonë që është pronë shteti dhe kërkon më pak shpenzim për shpronësim. “Pjesa e trafikut do të kalojë pas godinave tuaja duke patur një rotondo tek Porti i Jahteve për tu dhënë mundësi vazhdimi drejt jugut ose kthimi në Portin e Jahteve”, nënvizoi Leli.

Drejtuesi politik i socialistëve për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri tha se është me shumë rëndësi që bashkëbisedimi dhe komunikimi mes Bashkisë dhe grupeve të interesit çoi në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Zgjidhja ishte logjike në fakt. Ju kërkonit diçka krejt normale, që rrugën aktuale ta ktheni në një rrugë me trafik të kufizuar duke qenë praktikisht një shëtitore. Gjithashtu është një zgjidhje komerciale sepse do të ngrihet shumë vlera e pronave tuaja. Bajpasi i Vlorës do ta devijojë fluksin drejt jugut, ndërsa bajpasi i dytë nga qyteti drejt Orikumit e devijon gjithashtu trafikun nga kjo zonë. Nuk kam parë ndonjë shëtitore të gjatë sa ajo që do të kemi nga Vlora në Orikum. Të kesh 20 kilometër pa ndërprerje do të jetë diçka thjesht fantastike”, theksoi Gjiknuri.

Sipas tij, gjitha këto investime do të ndryshojnë plotësisht panoramën e Vlorës. “Qeveria këtë ka në dorë. Të ndërtojë infrastrukturën me perspektivën e turizmit siç po e bën ndërsa pjesa tjetër ju takon juve. Nuk mund të mos e them se këtu ka dhe një problem ende të trashëguar të energjisë elektrike. Kur isha ministër unë fillova një projekt për rrjetin nga Radhima, Orikumi e deri në Dukat për të bërë linjën 20 kilovolt. U bë Unaza Energjetike e Jugut, u bë nënstacioni i Orikumit, Projekti më pas u bllokua për shkak të një arbitrazhi në Itali. Lajmi i mirë është që tani fondet janë zhbllokuar, pala italiane e ka miratuar procedurën dhe fituesin. Pritet miratimi final zyrtar për fillimin e punimeve. Janë 11 milion euro investim që do mundësojë një rrjet të ri të energjisë dhe këtu”, u shpreh Gjiknuri.

 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar