/ATSH/- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri deklaroi të hënën se gjatë muajit tetor është ulur në 34 % niveli i humbjeve, ndërsa faturimi është rritur me 10 %. Sipas ministrit Gjiknuri nëse shikojmë këto shifra do të kemi të bëjmë me 'legalizim' të sektorit energjitik. Duke folur në komisionin parlametnar të Ekonomisë dhe Financave, Gjiknuri shprehu besimin se trendi ulës i nivelit të humbjeve do të vazhdonte edhe në muajt në vijim duke shkuar në një mesatare prej 38 % në fund të vitit. "Synimi ynë është që të frenohet vjedhja e energjisë, që të mos bëhet barrë për konsumatorin. Këtë muaj ka pasur ulje të konsumit të energjisë në 15%. Kemi rritje të faturimeve me 10%, ka filluar legalizimi i informalitetit në energji", tha ai.

"Nuk do ketë më informalitet në sistemin energjetik", deklaroi ministri Gjiknuri. Duke folur për pagesën e kamatëvonesave të akumuluara në vite, Gjiknuri tha se ato nuk do të falen, ndërsa siguroi se për qytetarët do krijohen lehtësira, siç është zgjatja e kohës së pagesës së kësteve.

"Do të ketë lehtësi në pagesa, të shtrihen në kohë. Do të ketë lehtësira, por jo falje. Nuk do të ketë falje, nuk do bëjmë amnisti. Amnistia i ka nxitur njerëzit të mos paguajnë. Qytetarët kanë nevojë të kenë shërbime më të mira, lehtësira do të bëjmë", tha ai.

Ministri shtoi se, "sistemi ka filluar të ketë efekte pozitive. Sipas Gjiknurit, ky sistem ka qenë i dështuar në 24 vite dhe tani po fillon të gjallërohet.
I pranishëm në Komisionin e Ekonomisë ishte edhe deputeti i PD-së Gjovalin Kadeli, i cili i kujtoi ministrit se ashtu siç kërkon me rigorozitet që qytetarët të paguajnë energjinë, ashtu duhet edhe t'ju përgjigjesh. Sipas tij, një lagje në Lezhë vuan prej 9 ditësh mungesën e energjisë dhe ky nuk është shërbimi që presin qytetarët që e paguajnë energjinë.