Qeveria do të hartojë një program të plotë investimesh për të gjithë rrjetin elektro-energjitik ka bërë të ditur Ministri i Energjisë dhe Industrisë  , Damian Gjiknuri gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e rrjetit 110kV të jugut të Shqipërisë te nënstacioni e Zëmblakut dhe linjën Ersekë-Përmet.
 
Ky investim sipas Gjiknurit përmirëson cilësinë e furnizimit me energji elektrike në të gjithë zonën jugore, krijon infrastrukturën elektrike të përshtatshme për zhvillimin e turizmit në zonën e bregut të detit Jon. Gjithashtu, ndikon në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit, përmirëson nivelin e tensionit dhe balancimin e rrjetit të transmetimit.
 
 
Ministri i Energjisë dhe Industrisë ka qenë i shoqëruar gjatë inspektimit edhe nga drejtori i OST-së Ëngjëll Zeqo. Sipas këtij të fundit ky projekt përfshin fuqizimin e nënstacionit të Zemblakut dhe ndërtimin e linjave Ersekë-Permet, Babicë-Sarandë.
 
 
Deklarata e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri
“Kjo është një nga veprat e rëndësishme të sektorit elektro-energjitik shqiptar. Siç edhe u tha këtu dhe siç po e shikoni dhe vet, ka të bëjë direkt me rrjetin e transmetimit. Kjo do të pasohet edhe me përforcimet që do të bëhen edhe në zonën e bregdetit shqiptar me ndërtimin e dy nënstacioneve për ti shërbyer një zonë e cila siç dihet ka patur probleme energjitike. Këto janë realisht vepra të rëndësishme që ndikojnë direkt në furnizimin më të mirë me energji elektrike, ndikojnë në uljen e humbjeve teknike të rrjetit, pasi siç dihet rrjeti shqiptar është në një gjendje të vështirë. Kjo do të thotë se do të ndikojë direkt në impaktin ekonomik pozitiv të të gjithë sistemit elektro-energjitik shqiptar. Kjo është një pjesë e investimeve pasi qeveria shqiptare në vitet në vijim do të shpallë një program të plotë investimesh për gjithë rrjetin elektro-energjitik shqiptar, një rrjet që gjatë viteve të fundit nuk ka patur investime. Kjo është vetëm një pjesë e punës, do të kemi mundësi të shpalosim edhe investime të tjera shumë serioze të cilat do të ndikojnë në furnizim më të qëndrueshëm me energji, do të ndikojnë në uljen e humbjeve dhe mbi të gjitha këto dy element do të sjellin edhe një qëndrueshmëri edhe nga pikëpamja e çmimeve, nga pikëpamja e furnizimit. Do të thotë një sigurim i qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe përdorim më i mirë nga konsumatorët. Prioriteti i kësaj qeverie do të vazhdojë të jetë energjia për arsye se ajo nga një kërcënim që ka qenë për Buxhetin e Shtetit, një sektor që u gjet në një periudhë shumë të vështirë, në krye të disa viteve do të kthehet në një sektor që do të gjenerojë vet të ardhura, do të ecë me këmbët e veta dhe një burim i mirë për investimet e huaja, për forcimin e rrjetit por dhe shfrytëzimin e atyre burimeve që Shqipëria i ka me shumicë”.
 
Deklarata e administratorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ëngjëll Zeqo
“Seksioni i ri është pjesa Ersekë-Përmet dhe pjesa nga Babica në Bistricë. Është një investim që kryhet me financim të KfË, pjesa e linjës kap vlerën prej 35 milion euro, plus 5 milion euro që është rehabilitimi i nënstacionit të Zemblakut ku kemi vendosjen e një autotransformatori të ri 150 MVA. Ky investim ka të bëjë me rritjen e sigurisë së furnizimit për të gjithë zonën e jugut, pasi kemi një mbyllje në unazë që ka munguar që prej ndërtimit të këtyre linjave. Përveçse investimi rrit sigurinë, rrit edhe cilësinë pasi ka dhe një ndikim në pjesën le të themi të nivelit të tensionit, ka ndikim edhe në zvogëlimin e humbjeve që kemi në rrjetin e transmetimit”.
 
Të dhënat teknike të projektit:
Projekti financohet nga një kredi e Qeverisë gjermane nëpërmjet bankës KfW dhe është i ndarë në dy lote. LOT 1 përfshin fuqizimin e nënstacionit 400/110 kV Zemblak, me vlerë investimi rreth 5 milion euro që po implementohet nga kompania KONCAR.

Ndërkaq, LOT 2 përfshin ndërtimin e linjave 110 kV Ersekë-Permet 55.7 km; Babicë-Sarandë 105 km, Qarku i dytë 110 kV Zemblak-Korçë 13 km si dhe rehabilitimi i linjave Korçë-Ersekë 36 km, Memaliaj-Këlcyrë-Permet 43 km dhe punime në nënstacionet respektive. LOT i dytë i projektit, sipas kontratës është parashikuar të përfundojë shtatorin e vitit të ardhshëm.

Fuqizimi i nënstacionit në Zemblak do të rrisë fuqinë transformuese dhe do të kompletojë skemën e këtij nënstacioni duke rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit me energji elektrike të këtij rajoni.

Ndërtimi i linjës 110 kV Babicë-Sarandë mbyll në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110kV, duke plotësuar kriterin e rezervimit të furnizimit me energji elektrike në rast defekti në linjat e transmetimit të një zone të gjërë që përfshin rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës dhe Tepelenës.

Kalimi i linjës në zonën e bregut të Jugut krijon mundësinë e ndërtimit nga OSHEE të nënstacionit 110/20 kV Orikum dhe nënstacionit 110/20 kV Himarë, për të përmirësuar infrastrukturën elektrike si një domosdoshmëri në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)