/ATSH/- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri vlerësoi sot punën e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, deklaroi se qeveria do të vijojë mbështetjen ndaj punës kërkimore dhe shkencore dhe njoftoi ndryshime ligjore për forcimin e rolit të shërbimeve gjeologjike në vend.

Duke përshendetur konferencën e organizuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, "Gjeologjia, gjeoresurset dhe gjeorreziqet e 12 qarqeve të vendit", që u mbajt sot në Hotel "Tirana International", ministri vlerësoi hapjen për herë të parë sivjet të degës për gjeologjinë nënujore pranë shërbimit Gjeologjik Shqiptar, ku do të studjohet struktura gjeologjike nënujore e vendit.

Duke u ndalur tek roli i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH) me studimet mbi pasuritë e nëntokës dhe nënujore, Gjiknuri bëri të ditur se, po hartohen ndryshimet e reja ligjore për shërbimin gjeologjik, me synim që t'u jepen zgjidhje mjaft problemeve për pushtetet vendore si dhe ndihmon në zhvillimin ekonomik të qarqeve. "Nuk duhet të punohet në boshllëk, do të vendosim ligj edhe për reformat e tjera gjeologjike për kryesimin e studimeve dhe hartimin e strategjive të duhura", tha ministri.

Gjiknuri u ndal tek problemet e krijuara ndër vite me mosruajtjen e burimeve ujore nëntokësore, ku roli i njeriut merr rëndësi të madhe. "Kemi përgatitur ndryshimet ligjore për shërbimin gjelogjik, që të ketë zërin e duhur në zhvillimin e ndërtimeve në qarqe të ndryshme. Do kemi prioritet pasuritë ujore se vërtet rrezikohen shumë nga ndotjet apo që shterojnë", tha ai.Ministri vlerësoi masat e SHGJSH-së ndaj fenomenit të ndotjes së burimeve ujore nëntokësore. "Edhe ndotja është problem. Në studimin e qarqeve është dhënë pasqyrim i gjendjes dhe jepen masat mbrotjese", tha ai, duke theksuar se "nuk mund të lejojmë me abuzimet e vërejtura mbi këtë cështje".

Ministri cilësoi se organet e qeverisjes vendore nuk mundet më të lejojnë ndërtime mbi basenet e burimeve nëntokësore të ujrave.

Gjiknuri theksoi rëndësinë e këtij studimi dhe në shmangien e abuzimeve me lejet e ndërtimit në zona që nuk lejohen, në zbulimin e zonave të pasura me naftë , krom, etj. Sipas tij, "do kemi hartë të qartë të strukturave gjeologjike që i shërbejnë aktivitetit ekonomik të vendit dhe zhvillimit të turizmit".

Studimi "Gjeologjia, gjeoresurset dhe gjeorreziqet e 12 qarqeve të vendit" jep panoramë të qartë mbi situatën e sotme gjeologjike në vend, ku i takon pushtetit vendor të tregohet i kujdesshëm për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe administrimin e duhur të territorit.

"Shkelja e rregullave teknike gjeologjike dhe mosnjohja ka shkaktuar probleme të mëdha për vite me rradhë. Për më tepër, neglizhimi i studimeve gjeologjike i ka kushtuar para vendit, ndaj ky studim ka bërë realitet atë që na nevojitet për administrim më të mirë", tha Gjiknuri.

Ministri tha se "do të bëjmë të mundur reformimin nga ana ligjore dhe strukturore të shërbimit gjeologjik, në linjë me shërbimet e caktuara dhe parametrave europiane".