Ndërsa një studio ekspertësh kontabël ndërkombëtar e kontraktuar nga qeveria shqiptare, denoncoi në një raport të gjitha shkeljet kontraktuale të bëra nga kompania “Cez Shpërndarje”, ministri i energjitikës njëkohësisht kreu i negociatorëve, pranoi të dorëzohet në duart e Cez, duke pranuar t’i paguajë një faturë 96 milionë euro. Ky përbën kulmin, pasi sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi që Cez i ka shkaktuar shtetit shqiptar kapërcen 350 milionë euro. Pikërisht mbi këtë kontradiktë skandaloze Prokuroria e Përgjithshme po heton Damian Gjiknurin për shpërdorim detyre. “Shqiptarja.com” pati mundësinë të lexojë për herë të parë dorën e plotë.

Sipas dokumentavë ministri Gjiknuri është paraqitur plotësisht i butë në të gjithë fazën e negociatave, duke u vënë në dizpozicion të drejtorave dhe juristave të “Cez a.s”, pa hapur gojën të bëjë qoftë edhe një kërkesë të vetme, si përfaqësues i interesit të Shtetit Shqiptar. Gjiknuri, ka negociuar dhe ka firmosur gjithçka që përfaqësuesit e kompanisë çeke “Cez a.s” i kanë vënë mbi tavolinë si kredi investimi etj, ndërkohë që vetë ministri si kryetari i grupit negociator prej 14 anëtarësh, nuk ka hedhur mbi tavolinë asnjë dokument me kërkesa ekonomike që Shteti Shqiptar duhet të bënte ndaj çekëve të “Cez a.s”.

Ministri Gjiknuri ka negociuar me kompanitë energjitike “Cez a.s” si i dorëzuar pa kushte, dhe aq më tepër ka marrë kompetenca që nuk i takonin,duke firmosur së bashku me 4 anëtarë të tjerë(ndërkohë që ishin 14 anëtarë që duhet të firmosnin),marrëveshjen që solli paqen në gjykatën e Arbitrazhit mes “Cez a.s” dhe Shqipërisë, por kjo me një kosto shumë të lartë,duke pranuar t’i derdhinnë llogaritë bankare “Cez a.s” 95 milionë euro dhe shkaktuar njëherësh një dëm Shtetit Shqiptar që përllogaritet nga KLSH diku tek 479 milion euro.

E si të mos shkaktohej ky dëm ekonomik, në një kohë kur vetë ministri Gjiknuri nuk ka bërë asnjë kërkesë financiare tek kompani “Cez a.s” për shpagim dëmi apo diçka tjetër, dhe duket se për të provuar këtë nuk është mbajtur asnjë dokument, se çfarë ka kërkuar pala shqiptare. Kjo pjesë është e mbuluar me mjegull, kjo pasi në mes të kësaj negociate tepër të rrezikshme, për sa i përket përgjegjësisë morale, politike dhe penale, ka qenë ministri Damian Gjiknuri.

Vetë ky i fundit e ka mbrojtur këtë marrëveshje me çekët, duke pohuar se kishte zgjedhur variantin më të mirë për kompaninë OSHEE dhe interesat e shtetit, ndërkohë nga ana tjetër nuk ka treguar se çfarë konkretisht u ka kërkuar Çekëve të “Cez a.s”. Në këtë pjesë Gjiknuri në daljet e tij publike është mjaftuar vetëm me negocimin për tërheqjen nga arbitrazhi, pasi sipas tij mund të humbnim qindra milionë euro më tepër, nësë shteti shqiptar zgjidhen rrugën gjyqësore me “Cez a.s”.

Por a është marrë mendimi i juristëve të grupit negociator në këtë pjesë dhe a kanë sugjeruar ata me shkrim nëse interesat e shtetit shqiptar do humbeshin apo do fitoheshin në gjykatën e Arbitrazhit? Në dokumentacionin që ka sekuestruar Prokuroria e Përgjithshme dhe më konkretisht Prokurori Arben Kraja, për të hetuar procedurën e negocimit, nuk ka asnjë dokument apo procesverbal që i ka dhënë mendim teknik dhe juridik ministrit Gjiknuri, nëse Shqipëria do humbte ose jo në Arbitrazh

Një faturë 633 milione lekë që shkoi dëm

Zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme kanë marrë në dorë hetimet kundër ministrit Damian Gjiknuri. Fillesa e kësaj dosje hetimore ka qenë një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe dy kompanive kontabiliste dhe menaxhimi financiar të huaja si “BDO LLP” dhe “BBH”, të cilat janë kontraktuar nga Shteti Shqiptar për të bërë bilancet financiare të “Cez Shpërndarje”, që në atë kohë ishte braktisur nga privatizuesët Çekë.

Nga burime pranë prokurorisë mësohet se për këto dy raporte të përpiluar nga ekspertë të huaj shteti shqiptar ka paguar një faturë prej 633 milion lekëve. Dhe në fakt të dyja raportet si ai i “BDO LLP” dhe ai i “BBH”, ky i fundit ka mbëritur pak muaj me vonesë, pra pas firmosjes së marrëveshjes me çekët, nuk janë marrë në konsideratë nga kreu i grupit të negocimit Damian Gjiknuri, i cili ka firmosur së bashku me 4 anëtarë të tjerë, duke mos marë në konsideratë konkluzjonet e këtyre raporteve.

Tashmë të dyja këto raporte bashkë me një audit të KLSH ndodhen si prova materiale në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila është duke hetuar këtë çështje, megjithëse gjatë kësaj kohe është treguar e pafuqishme për të thirrur e marrë në pyetje 14 anëtarët e grupit negociator për të dakordësuar me çekët një marëveshje që do i jepte fund gjyqit në Arbitrazh. Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme kjo çështje vijon të hetohet, por ende nuk ka një konkluzion përfundimtar për çështjen. Megjithatë grupi i hetimit, ka filluar të marrë në pyetje anëtarët e grupit negociator, për të hedhur dritë mbi këto negociata.

dokument cez

Ngritja e grupit të negocimit
Pas problemeve të shumta me kompaninë “Cez Shpërndarje” që administrohej nga çekët dhe largimit të tyre nga Shqipëria me kërcënimin e një padia në gjykatën e Arbitrazhit, koalicionit të ri që sapo kishte marrë qeverinë, i lindi ideja të vlerësonte asetet e kompanisë, të braktisur nga çekët. Në 22 shkurt 2013 Këshilli i Ministrave ka bërë lëvrimin e një fondi prej 633 milion lekë të vjetra, për dy kompani kontabiliste dhe menaxhimi financiar të huaja si “BDO LLP” dhe “BBH”, në mënyrë që këto të fundit të dilnin me raporte konkrete, raporte këto që do ishin baza kryesore për mbrojtjen e cështjes gjyqësore në Arbitrazh mes “Cez a.s” dhe Shtetit Shqiptar. Tetë muaj pas këtij kontraktimi, sërisht këshilli i Ministrave vendos të ngrejë një grup negocimi i përbërë nga 14 anëtarë, emra të njohur të institucioneve shtetërore, ku në krye të këtij grupi është zgjedhur ministri Damian Gjiknuri.

Ndërkohë që çuditërisht është lënë jashtë këtij grupi krytari i ERE dhe Avokatura e Popullit. Në takimin e parë, grupi ka zgjedhur që çështjen t’ia besojë Damian Gjiknurit, duke e zgjedhur atë në krye të “negociatorëve”. “Grupi nuk ka bërë asnjë mbledhje që të diskutohej dhe të jepej mendime konkrete si do zgjidhej konflikti, dhe se për të provuar të kundërtën nuk ka asnjë dokument”-thotë Prokuroria e Përgjithshme, e cila evidenton vetëm një rast si ai i mbledhjes së 19 qershorit 2014, kur anëtarët e grupit janë takuar së bashku dhe kanë autorizuar 5 anëtarë, mes tyre dhe Damian Gjiknurin për të shkuar në Pragë dhe firmosur marëveshjen me kompaninë çeke “Cez a.s”, marëveshje që duket se ka shumë gjasa që të jetë shkruar nga vetë juristët e drejtorët çekë.

Sipas burimeve nga prokuroria, Grupi nuk ka pasur asnjë strategji se si duhet të zgjidhej çështja dhe ska administruar asnjë dokumentacion për të negociuar.Megjithëse ishte faktuar keqmenaxhimi që e ka çuar shoqërinë “Cez Shpërndarja” drejt një situate falimenti, ku humbjet shkonin në 66 miliardë lekë, nga ana e grupit të punës nuk është dokumentuar asnjë pretendim i tillë, por është rënë dakort që çekëve tu arkëtohet në llogari shuma prej 95 milion euro.Por akoma më i rëndë është fakti se nuk janë marrë parasysh vërejtjet dhe shkeljet nga ana e Cez shpërndarjete evidentuar nga raporti i audititI paraqitur nga studio e kontraktuar nga qeveria.


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)