PRISHTINË, 17 Shkurt/ATSH/.- Në universitetin "Kadri Zeka" në Gjilan u çel sot ekspozita me vepra të artit pamor të autorit dhe profesorit Ahmet Ibrahimi, në kuadër të 7 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës,
Sipas një njoftimi për media të kësaj komune, në këtë ekspozitë u preantuan 32 punime artistike dhe 3 vizatime nga më të ndryshmet, stilistike e shprehëse.
Rektori i Universitetit "Kadri Zeka" në Gjilan, Naim Syla, tha se "7 vjetori i pavarësisë së Kosovës, është një moment ku mund të tregojmë se si po e kryejmë borxhin ndaj këtyre figurave, që piktori Ibrahimi i ka paraqitur figurativisht, e të cilët e kanë dhënë jetën për lirinë e vendit tonë".
Gjatë fjalës së tij rektori i siguroi pjesëmarrësit se universiteti do të jetë përherë aktiv dhe do t'i mbështesë organizime të tilla.
Profesori, Lon Laska, duke folur për vlerën e veprave artistike, tha se këto punime nuk karakterizohen vetëm për nga forma, shprehja, përkatësisht gjuha e mëvetësishme dhe bashkëkohore, por sipas tij, në to ka nuanca të qenies sonë kombëtare nga motet e shkuara përplot qëndresë, por edhe shpresë dhe drejt një të ardhme të përbashkët dinjitoze të kombit tonë./KosovaPress/k.s/