TIRANE - Vajzat e shkollave të mesme në Tiranë janë lënë pa mësim për të mësuar kërcimin e “One billion rising” të Kryetares së Kuvendit.

Për gati një javë, në gjimnazet e kryeqytetit kanë shkuar balerina për t’u mësuar  vajzave kërcimin, që u organizua dje në qendër të Tiranës nga Jozefina Topalli.
Për të mësuar lëvizjet e kërcimit nën tingujt e këngës "Break the Chain”, nëpër gjimnazet e Tiranës janë dërguar balerina, që për gati një javë, nëpër palestrat e çdo shkolle kanë dhënë leksione për mënyrën e kërcimit.

Këto leksione janë dhënë gjatë orëve të mësimit, duke bërë që vajzat të cilat kanë kërcyer dje ta humbisnin atë. Një nxënëse e shkollës së mesme “Arben Broci”  tregon: “Erdhën disa zysha këto ditë për të mësuar vajzat si të kërcenin. Unë nuk isha pjesë e atij grupi, por një shoqja ime, po. Ajo shkonte çdo ditë në palestrën e shkollës për të mësuar si do të kërcente” thotë M.B, gjimnaziste.

E pyetur se kur vajzat shkonin për të mësuar sesi do të kërcenin, gjimnazistja na është përgjigjur se ato bënin mësim vetëm tre orët e para. “Vajzat që do mësonin si të kërcenin bënin mësim vetëm tre orët e para, orët e tjera i linin, pasi vinin zhyshat dhe i merrnin” tregon M.B. Ajo më tej thotë se kishte raste kur ato nuk bënin mësim edhe gjatë gjithë ditës. Vajzat kanë shkuar me dëshirë për të mësuar kërcimin. “Erdhi zysha kujdestare dhe na pyeti se kush donte të kërcente. Ato që deshën, i morën për t’i mësuar; zyshat erdhën për atë punë” tregon nxënësja.

SHKOLLAT PA MËSIM

Ditën e djeshme në të gjitha shkollat e Tiranës, orët e mësimit janë bërë të shkurtuara. Në shkollën “Abdulla Keta”, kanë bërë mësim vetëm djemtë, ndërsa vajzat janë dërguar në aktivitetin e organizuar nga Kryetarja e Kuvendit.

Në shkollën “Ismail Qemali”, nuk është bërë fare mësim kurse tek shkolla e mesme “Partizani” janë bërë vetëm tri orët e para; më pas, nxënësit janë larguar  për në aktivitet.

Edhe në shkollën “Sami Frashëri”, orët janë bërë të shkurtuara. Kur shkojmë të pyesim në shkollën “Sami Frashri”, roja i shkollës  përgjigjet “ Sot nuk ka njeri dhe orët janë bërë të shkurtuara sepse është festë. Edhe drejtoresha është larguar”.

Në gjimnazin “Arben Broci” është bërë mësim deri në orën 10.00 kurse në shkollat profesionale orët janë bërë nga 20 minuta. Të pyetur se përse nuk është bërë mësim normalisht, mësueset e shkollave të mesme të kryeqytetit, në anonimitet, na thonë se: “ Kështu ka qenë urdhri. Çdo vit është bërë kështu, që, në datën 14 shkurt, orët e mësimit bëhen të shkurtuara. Por këtë vit mesa kam dëgjuar është bërë më urdhër të Drejtorisë Arsimore” tregojnë arsimtarët.

Dje rrugët e Tiranë, kanë qenë të tejmbushura me nxënës të shkollave, në orët që ata duhet të ishin në mësim. Kurse oborret e shkollave kanë qenë të boshatisur.

(Shkrimi i publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")

(ar.sh/shqiptarja.com)