TIRANE- Një nxënëse e vitit të dytë në gjimnaz ra nga kati i 3-të në të dytin dhe mbeti e plagosur lehtë, kryesisht në gjymtyrë. Ndërkaq, mbeten ende të paqarta rrethanat e marrjes apo dhënies së lejes, pasi vajzat pretendonin se kishin marrë lejë nga mësuesja kujdestare, ndërsa nëndrejtori i shkollës thotë se kjo nuk ka ndodhur. Ngjarja u regjistrua mëngjesin e djeshëm në Shkollën e Mesme “Aleks Buda”, kur 17-vjeçarja Dylbere E. dhe një vajzë tjetër ishin duke dalë nga shkolla në çastin kur u vunë re nga nëndrejtori dhe roja. Dylberja u hodh, duke mbetur e plagosur lehtë në duar dhe këmbë. Automabulanca, e lajmëruar nga nxënësit, e dërgoi në spital, ku pasdite u shoqërua për në shtëpi, në gjendje të mirë. Menjëherë sapo ngjarja u bë publike, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka qenë e pranishme në shkollë ku u njoh me rrethanat.

Senatorja
Xhuljana, senatorja e klasës, teksa u shfaq në media me Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, është shprehur se nuk e dinte arsyen pse shoqja e saj e kishte kryer këtë veprim. Më tej senatorja tha se “Nga ora e parë në të tretën nuk ishte në mësim. Erdhi vetëm orën e 4-t dhe iku. Dhjetë minuta pas orës së pestë na erdhi lajmi që ajo kishte bërë atë veprim dhe na erdhi keq shumë, por shkakun nuk e dimë. Bënte mungesa vazhdimisht.”

Nëndrejtori
Rrok Pjetri, duke folur për kamerat e “A1 Report” tha për nxënësen se: “Ajo ka pasur mësim me mësuesen kujdestare. Nuk ka kërkuar leje prej meje. Unë e kam zënë këtu duke dalë nga shkolla dhe më tha që kishte marrë leje nga mësuesja e lëndës, mirëpo edhe mësuesja tha që ajo nuk kishte marrë leje. Dhe roja nuk lejohet t’i japë leje nxënësve pa konfirmimin e mësueses kujdestare. Ishin 2 vajza që kishin ikur pa leje nga klasa. Ato s’kanë shkuar në mësim. I thashë hajde në mësim se ne nuk japim asnjë leje pa konfirminin e prindërve dhe për lejën që ka fëmija ne komunikojmë në telefon”.

Ministrja
Lindita Nikolla, ministrja e Arsimit tha se: “Unë takova qoftë drejtuesit e shkollës dhe mësuesit e Dylberes. Shkova edhe në klasë për të takuar nxënësit. Më rezultoi në fakt se është një shkollë me disiplinë të mirë. Në të gjithë dokumentacionin e mësueses kujdestare, ishte e rregullt dhe reflektonte të gjitha ditët, vijueshmërinë e Dylberes. Në fakt ajo vjen nga një familje e divorcuar dhe jeton vetëm me vëllain e saj, i cili duhet të punojë që të mbajë veten dhe motrën. Babai jeton jashtë shtetit dhe nëna në një qytet tjetër. Dhe sigurisht që këto problematika sociale reflektohen edhe në shoqëri në shkollë dhe jetën e Dylberes. Ajo që konstatoj në fakt dhe më vjen mirë është një komunikim tejet i shëndetshëm mes nxënësve të klasës dhe mësues kujdestare. Ato reflektojnë që kanë qenë pranë shqetësimeve të here pas hershme të Dylberes, që shprehen për largimin para disa ditësh. Shokët më thanë që ka qenë pranë nënës së saj, para disa ditësh.”

Jashtë rrezikut
Ndërkaq, në vendngjarje, përveç zjarrfikëses, mbërritën efektivët e Policisë së Tiranës dhe autoambulanca, të cilët e dërguan në spital vajzën që ishte pa ndjenja. Burime spitalore pohuan për gazetën “Shqiptarja.com” se vajza është përcjellë për në shtëpi që në orët e pasdites dhe gjendja e saj shëndetësore është brenda të gjitha parametrave normalë.

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)