Gjin Gjoni, ka fituar dhe në Gjykatën e Apelit Durrës betejën me prokurorinë, duke pushuar përfundimisht dosjen kundër tij, me argumentin se nuk ekziston fakti kriminal për fshehjen e pasurisë. Tashmë, hetimi për fshehjen e pasurisë 2.5 milion eurove është vulosur përfundimisht, pasi gjykata e Apelit Durrës ka hedhur poshtë argumentin e prokurorisë së Elbasanit se dosja kundër Gjin Gjonin dhe bashkëshortes së tij, pushohej për shkak të vendimeve gjyqësore që nuk i jepnin akuzës kohë të administronte përgjigjet e letërporosive nga Franca dhe Gjermania.

Sipas gjyqtares së Apelit Durrës Meriban Mullaj, argumenti i prokurorisë nuk qëndron pasi në dosjen e Gjin Gjonit nuk ekziston fakti kriminal, që është fshehja e pasurisë prej 2.5 milion euro, siç pretendohet dhe në kallëzimin e ILDKP. Gjin Gjoni aktualisht është gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë njëherësh dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Dredhitë” e Gjin Gjonit
Në një kohë kur njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Elbasanit kishte kryer 90 për qind të hetimeve për dosjen e gjyqtarit Gjin Gjoni, dhe ishte në pritje të një përgjigje me letërporosi nga Franca dhe Gjermania, gjykata e Elbasanit i ka dhënë një goditje shkatërruese kësaj çështje, duke ndalur hetimin e mëtejshme të saj.

Një vendim i 13 shkurtit i marrë nga gjyqtari Sulejman Kurti, ka ndalur hetimet e prokurorisë së Elbasanit për gjyqtarin e Apelit njëherësh anëtarin e KLD Gjin Gjoni, gruas së tij Elona Çaushi dhe dy notereve Margena Çela e Gentiana Shkodra. Gjoni ka përdorur thuajse të gjitha “dredhitë” për të arritur të mbyllë dosjen që në fazën e hetimit, duke përjashtuar një gjyqtar e të vendosë Sulejman Kurtin, për gjykimin e kërkesës së tij, për kundërshtimin e vendimit të prokurorisë për zgjatjen e afateve.

Ping-Pongu i gjykatës
Prokuroria e Elbasanit vlerëson se gjykata e këtij qyteti ka kryer të gjithë “manovrat” e saj për të penguar hetimin e gjyqtarit të Apelit Tiranë, Gjin Gjoni, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, shtetasen Elona Çaushi, janë persona nën hetim për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Fshehjes së pasurisë dhe deklarim i rremë”.

Në datë 13 shkurt 2015, gjyqtari Sulejman Kurti ka pranuar kërkesën e ankuesit, personit nën hetim Gjin Gjoni, i cili kundërshton vendimin e prokurorit për zgjatjen e afateve të hetimit. Me këtë vendim, gjykata ka bllokuar mbledhjen e të dhënave të plota për të vërtetuar dyshimet e krijuara gjatë hetimit për mundësitë e konsumimit të veprave penale për të cilat akuzohen personat nën hetim.

Prokuroria e Elbasanit, në datë 10 nëntor 2014 ka vendosur zgjatjen e afateve të hetimit, i cili ka filluar në datë 2 maj 2014, në bazë të kallëzimit të ILDKPKI, për shkak të pritjes së përgjigjeve të letër-porosive të dërguara tek autoritetet franceze dhe gjermane për pasuritë e shtetasit Ë.Mehlber, ish-bashkëshorti dhe ish-ortaku në biznese i shtetases Elona Çaushi.
 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)