TIRANE - Kreu i PSD Skënder Gjinushi thotë se mbi Berishën rëndon vrasja e Përmetit, 21 janari e çdo vrasje në vend. “Marrëveshja e 9 marsit ishte zgjidhje politike që iu dha krizës së shkaktuar nga vjedhja e votës në mënyrë masive më ’96, e vjedhjes së parë të çdo fitimi kursimi e deri të pensioneve nëpërmjet skemës së piramidave që drejtoheshin nga ish-presidenti Berisha e ish ministri i Bode.

Piramidat janë veprimi më i papërgjegjshëm që çuditi mbarë Evropën ku 1-2 miliardë USD u keqpërdorën e vajtën në xhepat e pushtetarëve e horrave të tyre”, deklaroi Gjinushi për gazetën “Shqiptarja.com”. “Pikërisht këtë pakënaqësi popullore që erdhi nga mashtrimi i madh, këta hajdutë kanë kurajon ta quajnë rebelim komunist.

Këtë vjedhje, Saliu kërkon ta justifikojë me rebelime, terma të njëjta që janë bërë të njohura për shqiptaret, i përdori dhe për 21 janarin. Pra sa herë e kapin me presh në dorë, preshi është miliardash jo presh Lushnje, ai e akuzon popullin për rebelime, puçe me çadra etj”, tha kreu i PSD.

Gjinushi akuzon Berishën se “si më 21 janar dhe më 9 mars për të imponuar paktin vrau 7 të pafajshëm në Përmet çështje që s’është hetuar e gjykuar kurrë. Ai merret me zbardhjen e masakrës së Cërrikut që e provokoi vetë me gardën mercenare dhe mbulon krimin e Përmetit, sikurse po ndodh me 21 janarin”.

Për të, 9 marsi duhet kujtuar si marrëveshje që ishte normale në një shoqërinë normale, por që rezulton fatale në kushtet kur bëhet me Sali Berishën. “Çdo njeri normal në Shqipëri duhet të kuptoje se ka të bëjë me të njëjtin regjim, individ, që atëherë vodhi me piramidat për të marrë pushtetin ekonomik, sot vjedh nëpërmjet Kesh, ku shqiptarët kanë humbur 1 miliardë euro sipas vetë qeverisë etj.

U la shqiptarëve borxh, atëherë 1.2 miliardë të piramidave, tani borxhi ka shkuar 68% ku faturat janë po të rënda sa më ‘97. Vetëm shkatërron dhe rrënon. Ndaj marrëveshja ishte një zgjidhje të përkohshme, jo përhershme sepse nuk u shoqërua me largimin e Berishës. Mbi Berishën rëndon vrasja e Përmetit, 21 janarit e çdo vrasje në këtë vend”, akuzon Gjinushi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)